BRICS, zhvillohet Forumi i Biznesit me diskutime mbi nxitjen e zhvillimit ekonomik
2023-08-29 16:54:06

Foto nga VCG

Foto nga VCG

Javën e kaluar, u zhvillua në Johanesburg të Afrikës së Jugut Forumi i Biznesit i BRICS-it. Në dekadën e fundit, vendet e BRICS-it - Brazili, Rusia, India, Kina dhe Afrika e Jugut - e kanë ndryshuar shumë strukturën e ekonomisë globale. Këto pesë vende përbëjnë një të katërtën e vëllimit të përgjithshëm ekonomik të botës dhe një të pestën e tregtisë globale.

 

Në këtë forum, palët u shprehën që do të vazhdojnë të fokusohen te bashkëpunimi dhe do të nxisin zhvillimin e ekonomisë botërore në një rrugë më të drejtë dhe më gjithëpërfshirëse. Në mbylljen e forumit, kryetari i shtetit i Kinës Xi Jinping mbajti fjalimin e rastit, ku theksoi që Kina me siguri do të japë më shumë kontribut për ekonominë botërore dhe do të ofrojë më shumë hapësirë për qarqet e biznesit të vendeve të tjera.

 

Qysh prej krijimit të BRICS-it në vitin 2006, vendet anëtare kanë thelluar vazhdimisht bashkëpunimin praktik ekonomik e tregtar. Sipas statistikave doganore, në 7 muajt e parë të sivjetshëm, import-eksporti i Kinës me vendet e tjera të BRICS-it arriti në 2.38 trilionë juanë, duke u rritur 19.1 %. Eksporti ishte 1.23 trilionë juanë dhe importi 1.15 trilionë juanë, me një rritje përkatësisht prej 23.9 % dhe 14.3 %.

 

Import-eksporti i Kinës me vendet e BRICS-it zë 10.1% të tregtisë së jashtme të Kinës, 1.6 pikë përqindjeje më shumë se vitin e kaluar.

 

Të dhënat statistikore tregojnë që në këtë periudhë (janar-korrik), eksporti i produkteve mekanike dhe elektronike me vendet e BRICS-it arriti në 759.45 miliardë juanë, 38 % më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit 2022. Ndër to, eksporti i baterive të litiumit dhe makinave elektrike është rritur përkatësisht 129.5% dhe 601.3%. Krahas kësaj, edhe eksporti i pjesëve të këmbimit të automjeteve, pajisjeve elektrike shtëpiake dhe makinave bujqësore ka pasur rritje mbi 40 %.

 

Foto nga VCG

Foto nga VCG

Në tregtinë me vendet e BRICS-it, ndërmarrjet private janë forca kryesore e Kinës. Në 7 muajt e parë të sivjetshëm, import-eksporti i ndërmarrjeve private të Kinës me vendet e BRICS-it shënoi 1.36 trilionë juanë, duke u shtuar me 29.4 %. Ndër to, eksporti arriti 862.69 miliardë dhe importi 496.57 miliardë juanë, 28.8% dhe 30.5% më shumë se në të njëjtën periudhë të një viti më parë.

 

Qarqet e biznesit në Afrikën e Jugut janë të mendimit që samiti i BRICS-it i vitit 2023, që u zhvillua në Johanesburg, do të nxitë bashkëpunimin praktik mes Kinës dhe Afrikës së Jugut të arrijë fryte të reja. Bashkëpunimi në energjetikë, infrastrukturë, tregti dhe investime do të ofrojë mbështetje për rritjen ekonomike dhe shtimin e punësimit në Afrikën e Jugut.

 

Anëtari i Këshillit të Biznesit të BRICS-it në Afrikën e Jugut, Stavros Nicolaou, tha: “Kina dhe Afrika e Jugut kanë bashkëpunim që bazohet në respektin dhe mirëkuptimin e ndërsjellë. Kina dhe Afrika e Jugut kanë pasur rritje të dukshme në tregti dhe investim. Unë mendoj që marrëdhëniet Kinë-Afrikë e Jugut kanë një perspektivë të mirë, pasi mes të dy palëve ka respekt e mirëkuptim të ndërsjellë dhe qarqet e biznesit të dy palëve kanë dëshirë për zhvillimin e biznesit dhe ekonomisë.”

 

Lidhur me nismat e paraqitura nga pala kineze për zhvillim dhe bashkëpunim, kryeekzekutivi i grupit “Numolux”, Hilton Klein, u shpreh: “Nismat e paraqitura nga Kina kanë rëndësi të madhe për ekonomitë e reja që përfaqësohen nga vendet e BRICS-it, si edhe për vendet në zhvillim. Shtimi i bashkëpunimit dhe koordinimit mes ekonomive të reja dhe vendeve në zhvillim mund të ndajë më gjerësisht rastet e zhvillimit dhe të nxitë zhvillimin dhe lulëzimin e botës.”

 

Për rritjen e tregtisë mes vendeve të BRICS-it, Stavros Nicolaou u shpreh që qysh prej formimit të mekanizimit të bashkëpunimit BRICS, vendet anëtare kanë shënuar rritje të dukshme të tregtisë mes tyre. Në periudhën 2017-2021, tregtia mes Afrikës së Jugut dhe vendeve të tjera të BRICS-it është rritur me 44%. “Afrika e Jugut është gati të ndërtojë ura mes vendeve të BRICS-it dhe kontinentit afrikan dhe bashkë me palët e ndryshme të sjellë gjallëri për zhvillimin e ekonomive të reja dhe vendeve në zhvillim,” tha Nicolaou.

 

Foto nga VCG

Foto nga VCG

Në fjalimin e tij, Xi vuri në dukje që me hyrjen e mbi 1.4 miliardë kinezëve në fazën e modernizimit, Kina me siguri do të japë më shumë kontribut për ekonominë botërore dhe do të ofrojë më shumë hapësirë për qarqet e biznesit të vendeve të tjera.

 

Për këtë, drejtori i Qendrës së Kërkimeve dhe Biznesit Kinë-Brazil, Ronnie Lins, tha: “Shumë politika dhe masa që përfshijnë konceptin e modernizimit të stilit kinez, si këmbëngulja te paqja e zhvillimi, nxitja e pasurimit të përbashkët, nxitja e çështjeve kulturore dhe e harmonisë mes njeriut dhe natyrës, sipas meje, mund të ofrojnë mësime serioze për ekonomitë e reja, ku përfshihen vendet e BRICS-it. Kjo do të jetë në të mirë të zhvillimit të vazhdueshëm të palëve të ndryshme.”

 

Hilton Klein nga ana e tij vuri në dukje: “Gjatë 40 vjetëve të Reformës dhe Hapjes, Kina ka përjetuar ndryshime gjigante. Kjo ka treguar fuqinë e madhe nxitëse të hapjes dhe bashkëpunimit. Kina në mënyrë të vendosur zgjeron hapjen dhe ka sjellë më shumë raste për hapjen dhe zhvillimin e botës dhe për bashkëpunimin me përfitime të përbashkëta me vendet e tjera. Ne presim që të zgjerojmë bashkëpunimin me partnerët kinezë për një zhvillim të mëtejshëm.”

(Jiang Lei)