Foto nga Instagrami
Teatri Kombëtar gjatë turit të tij artistik ka shfaqur komedinë satirike “Ferma e kafshëve” në Vlorë, Durrës dhe Shkodër, në kuadër të sezonit veror Kult Art 2023. Më 24 gusht komedia u mbaj në Vlorë, më 26 gusht në Durrës dhe më 28 gusht në Shkodër”, thuhet ndër të tjera në njoftimin e TK për turin artistik të këtij sezoni veror.
“Ferma e kafshëve” është një nga kryeveprat letrare të shekullit të 20-të, ku në qendër tij është vullneti për pushtet dhe nënshtrimi i masës ndaj pushtetit. Kryevepra e George Orwell “Ferma e kafshëve” u ngjit fundjavën e kaluar në skenën e Amfiteatrit të Durrësit me regji nga Driada Dervishi. Kjo shfaqje ka njohur suksesin e saj në Tiranë, Durrës por edhe në qytete të tjera të vendit përgjatë dy viteve të fundit.
Foto nga Instagrami
Në fundjavë shfaqja u rivu në skenë në Amfiteatrin e Durrësit, ku hyrja ishte e lirë dhe u ndoq me mjaft interes nga publiku shqiptar, por edhe turistët e huaj të cilët ndodhen me pushime në vendin tonë.
Produksioni i Teatrit Kombëtar te "Ferma e kafshëve", i cili shënoi premierën e tij në korrik të vitit 2021, pati në role artistë të mirënjohur të skenës si, Neritan Liçaj, Hervin Çuli, Erjona Kakeli, Florian Agalliu, Anila Bisha, Donald Shehu, Niada Saliasi, Doriana Çaushi, Xhuliano Brisku, Urim Aliaj. Me përkthim nga Sokol Çunga, muzikë dhe efektet nga Bojken Lako e Mia Lako, skenografi nga Ergys Krisiko, kostumografia u relaizua nga Berina Kokona dhe koreografia nga Robert Nuha.
Foto nga Instagrami
Prej 20 vitesh regjisore, Driada Dervishi pas diplomimit me dramën “Babai” nga autori August Strindberg, ka kryer një specializim mbi teatrin bashkëkohor në Modena (Itali), i mbështetur nga Emilia Romagna Teatro me regjisorin Pippo Delbono. Ajo nisi punën në teatrin profesionist “Aleksandër Moisiu” të Durrësit ku fton herë pas here aktorë të njohur të skenës teatrore, duke realizuar kështu 27 premiera. Në aktivitetin e saj regjisorja Driada Dervishi realizon bashkëpunime dhe me teatro të tjerë. Në prononcimin për mediat, sa i përket kësaj shfaqje ajo është shprehur:
“Si nga ana e publikut, por edhe nga e të gjithë aktorëve dhe komponentëve të tjerë teatralë, ky ishte një moment i shumëpritur. Mendoj se duhet të shfrytëzojmë edhe gjithë këto hapësira të bukura që kanë qytetete të ndryshme të Shqipërisë për të bërë teatrin. Pra që skenat verore të kenë jetë artistike edhe gjatë periudhës së verës dhe teatri mos të ketë një sezon të ndaluar siç është zakonisht nga muaji maj deri në fund shtatori, po të ketë një kalendar të vetin edhe përgjatë periudhës së verës” ka theksuar regjisorja Dervishi.
Sava Lena