Foto nga Chinese Ministry of Commerce
Marrëdhëniet ekonomike dhe tregtare janë themeli i marrëdhënieve Kinë-ShBA, tha të hënën ministri kinez i Tregtisë Wang Wentao gjatë një takimi me sekretaren amerikane të Tregtisë Gina Raimondo, e cila po viziton Kinën nga 27 deri më 30 gusht.
Duke e pranuar rëndësinë e zhvillimit të dialogut të hapur e të frytshëm ndërmjet Kinës e ShBA-së në fushën e ekonomisë dhe tregtisë, Wang dhe Raimondo njoftuan krijimin e kanaleve të reja të komunikimit ndërmjet Ministrisë së Tregtisë së Kinës dhe Departamentit të Tregtisë të ShBA-së.
Të dy palët nisën një mekanizëm të shkëmbimit të informacionit për kontrollin e eksporteve, për të shpjeguar sistemet e tyre përkatëse të kontrollit të eksporteve e për të përmirësuar komunikimin, duke pranuar të shkëmbejnë informacione për kontrollin e eksporteve në përputhje me ligjet e tyre përkatëse.
Wang shprehu shqetësime serioze rreth çështjeve si tarifat sipas Seksionit 301 të ShBA-së mbi mallrat kineze, politikat e ShBA-së lidhur me gjysmëpërcjellësit, kufizimet e investimeve të dyanshme, subvencionet diskriminuese dhe sanksionet ndaj ndërmarrjeve kineze.
Ai vuri në dukje se përgjithësimi i konceptit të sigurisë kombëtare nuk është i dobishëm për shkëmbimet normale ekonomike e tregtare dhe se masat e njëanshme e proteksioniste janë kundër rregullave të tregut dhe parimit të konkurrencës së drejtë, dhe do të dëmtojnë sigurinë e qëndrueshmërisë e zinxhirëve globalë të industrisë e furnizimit.
Është ngritur gjithashtu një grup pune në nivel zëvendësministrash dhe drejtorësh drejtorish si nga Kina, ashtu dhe nga ShBA-ja, së bashku me përfaqësues nga sektori i biznesit, për të gjetur zgjidhje për çështje të veçanta të biznesit. Grupi i punës do të mbajë takime në nivelin zëvendësministrash dy herë në vit.
Wang dhe Raimondo ranë dakord të mbajnë komunikimin e rregullt, duke u takuar së paku një herë në vit.
Të dy palët diskutuan gjithashtu dhe ranë në një mendje se ekspertët nga të dy vendet do të angazhohen në këshillime teknike mbi mbrojtjen e sekreteve tregtare e të informacionit konfidencial të biznesit gjatë procesit të përmirësimit të dhënies së lejeve administrative.