Raporti: Mbi 76.4 për qind e popullsisë kineze është përdoruese interneti
2023-08-29 14:35:39

Foto nga CFP

Foto nga CFP

Një raport i ri tregon se më shumë se 76.4 për qind e popullsisë kineze është tani përdoruese interneti, me aftësi më të mira digjitale se kurrë më parë.

Raporti, i publikuar të hënën nga Qendra e Informacionit për Rrjetin e Internetit e Kinës, bën të ditur se baza e përdoruesve kinezë të internetit kishte arritur në 1.079 miliard deri në qershor 2023, me një rritje prej 11.09 milionë nga dhjetori i vitit 2022.

Kjo e çon normën e përhapjes së internetit në Kinë në 76.4 për qind, 10 pikë përqindjeje më e lartë se mesatarja botërore në vitin e kaluar.

Në raport vihet në dukje gjithashtu se përdoruesit kinezë të internetit po përdorin gjithnjë e më shumë një gamë të gjerë shërbimesh. Për shembull, deri në qershor 2023, numri i përdoruesve të mesazheve të çastit, videove në internet dhe videove të shkurtra ishte përkatësisht 1.047 miliard, 1.044 miliard dhe 1.026 miliard. Kjo do të thotë se rreth 95 për qind e përdoruesve kinezë të internetit po përdorin të tre llojet e shërbimeve.

Tre sektorët me rritje më të shpejtë janë porositja e makinave-taksi në internet, rezervimi i udhëtimeve dhe romanet në internet.

Po sipas raportit, Kina ka ndërtuar strukturën bazë të një qendre kombëtare të të dhënave të mëdha për internetin industrial.