Presidenti i Këshillit të Evropës, Charles Michel, bëri thirrje që viti 2030 të caktohet si afati deri kur Bashkimi Evropian dhe vendet kandidate të jenë të gatshëm për zgjerim.
Gjatë fjalimit në Forumin Strategjik të Bledit, ai përsëriti disa herë se tani e tutje vendeve kandidate duhet referuar si “vende anëtare të ardhshme të BE-së”.
Michel tha se BE-ja duhet të përballet me dilemën se a do të jetë vetëm një union që merret me menaxhimin e krizave apo një aktore që vendos për të ardhmen, shkruan “RTSH”.
Ai pranoi se rruga e gjatë e shteteve të Ballkanit Perëndimor drejt BE-së, që ka nisur para më shumë se 20 vjetësh, ka shkaktuar zhgënjim te shumë njerëz, si në rajon, ashtu edhe në bllokun evropian.
Presidenti i Këshillit Evropian bëri thirrje edhe për caktimin e një agjende të qartë e me afate kohore.
“Në kohën kur ne po përgatisim agjendën e ardhshme të BE-së, duhet të vendosim para vetes edhe caqe të qarta. Unë besoj se ne duhet të jemi gati, nga të dyja anët, që më 2030 të zgjerohemi. Kjo do të thotë se buxheti i ardhshëm shumëvjeçar duhet të përfshijë edhe këto qëllime tona. Kjo është shumë ambicioze, por e domosdoshme. Dëshmon se ne jemi serioze”, tha ai.
Sipas tij, ideale do të ishte që të gjithë të hynin në BE në të njëjtën kohë, por procesi i zgjerimit do të vazhdojë të mbesë i bazuar në meritat e vendeve që janë në proces.
Michel u bëri thirrje shteteve të rajonit të Ballkanit Perëndimor që të zgjidhin konfliktet e tyre dypalëshe. (Irma)