Foto nga CFP
Udhëheqja ukrainase po përgatit thirrje shtesë nën armë, ndërsa kërkon të zmbrapsë pushtimin e vazhdueshëm të Rusisë.
“Ndoshta do të ketë një thirrje shtesë nën armë”, tha sekretari i Këshillit të Sigurisë Kombëtare, Olexiy Danilov.
Danilov tha se masa nuk ishte e paplanifikuar dhe se mobilizimi ka vazhduar për një vit e gjysmë, shkruan “ATSH”.
“Nuk ka nevojë të bëjmë zhurmë për këtë, gjithçka po shkon sipas planit që po ndjekim aktualisht”, tha ai.
Ukraina shpalli gjendjen ushtarake pasi Rusia nisi sulmin e saj në shkallë të plotë.
Të gjithë burrat midis moshës 18 dhe 60 vjeç janë të detyruar të kryejnë shërbimin ushtarak, nëse thirren.
Numri i saktë i të thirrurve deri më tani nuk dihet, por vitin e kaluar, zëvendësministrja e Mbrojtjes Hanna Maliar tha se numri ishte disa qindra mijëra.
Humbjet në luftimet e vazhdueshme nënkuptojnë se rekrutët e rinj duhet të trajnohen vazhdimisht dhe të dërgohen në luftime. (Fatosi)