Rrëshqitja shkëmbore në Alpe bllokon trenat midis Francës dhe Italisë
2023-08-29 11:31:38

Franca dhe Italia kanë pezulluar shërbimin e përbashkët hekurudhor të paktën deri të enjten, pas rrëshqitjes shkëmbore në luginën Maurienne në Alpet Franceze, njofton “RTSH”.

Autoritetet e Savojës thanë se shembja ndodhi në orën 17:15 të së dielës, kur një masiv dheu me vëllim rreth 700 metër kub u përplas në barrierën mbrojtëse përgjatë rrugës RD 1006 që lidh aksin Mont-Cenis me luginën italiane të Suzës.

Operatori hekurudhor francez “SNCF” njoftoi se rrëshqitja e dheut detyroi pezullimin e të gjithë trenave ndërkufitarë në linjën Chambery-Torino, si dhe trenat rajonalë TER në luginën Maurienne.

Tuneli Frejus që lidh Francën dhe Italinë nën Alpe gjithashtu do të qëndrojë i mbyllur për kamionët e rëndë. Shoferët e këtyre mjeteve janë këshilluar të përdorin tunelin e Mon-Blanit ose autostradën A8.

Ministri francez i Transportit, Clement Beaune, tha se kthimi në normalitet i transportit në këtë zonë do të marrë disa ditë. (Fatosi)