Foto nga CFP
Ministri turk i Punëve të Jashtme, Hakan Fidan, deklaroi se asnjë opsion tjetër nuk mund të jetë alternativë ndaj Nismës së Drithërave të Detit të Zi pasi ato mbartin rreziqe.
“Ne e dimë se aktualisht po kërkohen mënyra alternative për eksportin e drithërave. Megjithatë, ne shohim gjithashtu se këto mënyra nuk mund të jenë një alternativë ndaj nismës origjinale dhe përmbajnë rreziqe”, tha Fidan në një konferencë të përbashkët për media në Kiev me homologun ukrainas Dmytro Kuleba, shkruan “ATSH”.
Fidan tha se Turqia po vazhdon përpjekjet për të ringjallur marrëveshjen e drithërave përpara se të humbasin përfitimet prej saj, duke theksuar se falë kësaj nisme, më shumë se 33 milionë tonë drithëra dhe produkte ushqimore arritën në tregjet ndërkombëtare.
Më 17 korrik, Rusia pezulloi pjesëmarrjen e saj në marrëveshjen e drithërave të Detit të Zi, të ndërmjetësuar nga Turqia dhe OKB-ja, marrëveshje e cila parashikonte rifillimin e eksporteve të grurit nga tre porte ukrainase të Detit të Zi që u ndaluan pas luftës në Ukrainë në shkurt 2022.
Rusia është ankuar vazhdimisht se Perëndimi nuk i ka përmbushur detyrimet e veta në lidhje me eksportet e drithërave të Rusisë.
Turqia ka bërë përpjekje intensive për rivendosjen e marrëveshjes së korrikut të vitit të kaluar dhe gjithashtu i ka bërë thirrje Ukrainës dhe Rusisë që t’i japin fund konfliktit përmes negociatave. (Fatosi)