Saranda turistike, joshja e kësaj vere
2023-08-28 10:28:04

Kësaj vere Shqipëria kaloi çdo pritshmëri. Ajo mbushi hotelet me turistë në kërkim të argëtimit me kosto të ulët, të cilët përveç plazheve kanë mësuar edhe më shumë rreth saj.

Për turistët Shqipëria e këtij viti ka qenë një zbulim i madh. Ata gjetën në Shqipëri që nga rrënoja romake, deri te kështjellat mesjetare, bunkerët sovjetikë dhe mbetje osmane. Sot do të flasim për skajin më jugor të vendit, Sarandën dhe mundësitë që të jep ajo, pasi ky destinacion ishte edhe në qendër të kërkesës, sidomos së turistëve italianë gjatë këtij viti.

Saranda nga Kalaja e Lekuresit (Foto Trip advisor)

Falë ujërave të saj të kristaltë dhe smerald, Saranda është një nga destinacionet kryesore bregdetare të Shqipërisë, plot aktivitete, veçanërisht për të rinjtë. Ajo ofron argëtim, klube të modës, hotele dhe shëtitore të bukura përgjatë bregut të detit. Ka ushqim të mirë dhe plazhe publike, të cilat nisin nga porti dhe përfundojnë në rrugën dalëse drejt Ksamilit.

Qyteti ka një port, që bie menjëherë në sy dhe të krijon idenë e një vendi hyrës dhe dalës për në qytet, megjithëse shumica e turistëve të këtij sezoni, nuk erdhën nga porti, i cili zakonisht sillte turistë një ditorë nga Korfuzi, por erdhën nga toka…. Turistët vinin nga porti i Vlorës e pastaj udhëtonin drejt Sarandës, ose nga aeroporti i Rinasit e sërish, me rrugë tokësore në Sarandë.

Shëtitorja është zemra e qytetit të Sarandës, ajo pret çdo orë qindra turistë që u përkasin kategorive të ndryshme: të rinj, çifte dhe familjarë. Të gjithë mund të shëtisin dhe të pushojnë përgjatë kësaj rruge, e cila nga njëra anë shkon buzë detit, nga ana tjetër prek nga afër objektet akomoduese më mbresëlënëse në  qytet. Qyteti është i mbushur me buganvila të kuqe duke i dhënë një pamje tipike mesdhetare, ndërsa qyteti ngrihet shkallë shkallë mbi faqen e malit. Karakteristik dhe joshës, këtu ndodhet edhe një liman i vogël që i dedikohet varkave të vogla, duke krijuar një pamje mjaft piktureske. Mbrëmjet gjallërohen nga kioskat, tezgat dhe muzika, ku turistët kërcejnë duke pirë. Restorantet janë plot me turistë ndërsa biseda në gjuhë të huaj dëgjohen nga të katër anët.

Plazhet publike janë mjaft joshëse për turistët që nuk duan të shpenzojnë, ato nisin që nga porti, përgjatë bregut, deri në rrugën ndarëse për në Ksamil. Por, shumica që zgjedhin Sarandën për pushime, nisen drejt Ksamilit për të bërë plazh.

Moli i Sarandes ( Foto Trip advisor)

Ksamili është një fshat i vogël turistik bregdetar, me ujëra kristal e me ngjyrë të bruztë. Edhe këtu ka ndërtesa me mjaft mundësi akomoduese, ndonëse ndërtimet janë disi kaotike, pasi nuk janë ndërtuar me një plan të paramenduar. Gjithsesi secili pronar përpiqet të rregullojë e zbukurojë pronën e tij, duke e bërë sa më joshëse për turistët që mund të zgjedhin edhe Ksamilin për të fjetur.

Ksamili veçanërisht u promovua këtë vit në të gjitha mediat ndërkombëtare si një nga vendet më mahnitëse në bregdetin shqiptar dhe që rekomandohej për t’u vizituar. Etiketa mediatike apo cilësimi si “Maldivet e Europës” u bë një refren tek të gjithë. Në pranverë, në platformën ndërkombëtare TripAdvisor, Ksamili vlerësohej me 5 nga 5 vlerësimet e mundshme.

Ksamili është i vendosur në një mjedis spektakolar, ndodhet në një gji, ka katër ishuj të vegjël përkarshi, drejt të cilëve mund të shkohet me not, ose me varka. Të mbushura me bimë dhe zogj, të gjithë ishujt ofrojnë plazhe natyrore ngjyrë bruz, ku turistët mund të shijojnë diellin dhe detin, të shohin zogjtë dhe të zhyten.

Një nga plazhet më të njohura në Ksamil dhe më i pëlqyeri është Plazhi Bora Bora. Deti është shumë i bukur dhe ishujt janë shumë afër. Plazhi është mjaft i madh dhe gjithashtu ka një skelë ku turistët marrin varkat për të lundruar drejt ishujve. Plazhi “Tre Ishujt” është gjithashtu një nga plazhet më të bukura në Ksamil dhe për këtë arsye ka më shumë njerëz. Shpesh gjatë gushtit, është e vështirë për të gjetur një vend të lirë për të bërë plazh. Këtu pamja e ishujve është edhe më e bukur dhe mund të shkohet lehtë drejt tyre duke notuar. Përveç kësaj, uji duket shumë i pastër dhe i qetë, sidomos pasditeve është gjithmonë shumë i bukur.

Një ndër gjërat më të bukura për tu bërë në Ksamil është zhytja, prandaj turistët i  shikon me maskat e zhytjes me vete. Është vendi ku zakonisht mblidhen të rinjtë dhe kënaqësia e pushimeve këtu nuk qëndron thjesht tek plazhi por edhe tek argëtimi. Janë të njohura festat me shkumë dhe diskot e plazhit, ku argëtimi vijon deri në orët e para të mëngjesit.

Ksamili është vërtet një plazh i bukur, por sidomos gushti krijon një dyndje masive njerëzish ku dhe mundësia për spekullime është e madhe. Çmimet rriten, trafiku rëndohet dhe ndonjëherë është e pamundur të gjesh trafik, prandaj duhet të paguash shtrenjtë për të gjetur një vend makine. Kush dëshiron të kursejë, zakonisht e shmang muajin gusht. Dyndja masive e këtij viti, sidomos kjo e muajit gusht, për shkak të pamundësisë të përballimit të fluksit, ka ngjallur edhe ndonjë zhgënjim tek turistët që erdhën të gjenin parajsën mesdhetare me një çmim “low cost”, por kjo gjë nuk heq asnjë presje nga bukuritë e Ksamilit dhe të Sarandës dhe rrit përgjegjshmërinë e pronarëve të bisneseve për të qenë më fleksibël dhe profesionistë me kërkesat e tregut.

Ishujt e Ksamilit ( foto Trip Advisor)

Turistët që vizitojnë Ksamilin i drejtohen edhe Butrintit, një atraksion që kurrsesi nuk duhet humbur. Butrinti ndodhet rreth 20 minuta me autobus nga Ksamili. Parku Arkeologjik i Butrintit, është më i rëndësishmi në Shqipëri.

Butrinti është një qytet antik në rrënoja të ruajtura mirë që bën pjesë në listën e vendeve të trashëgimisë botërore të UNESCO-s. Në Butrint turistët vizitojnë amfiteatrin e vjetër, rrënojat e një manastiri, kullat e vrojtimit, muret mbrojtës, banjove publike, etj.  Vizita në Parkun e Butrintit zgjat afërsisht 3 orë.

Një atraksion tjetër që nuk duhet humbur është Syri i Kaltër - një fenomen i bukur natyror, i vendosur në brendësi. Syri i kaltër është një burim natyror që vjen nga nëntoka, ngjyra e të cilit bëhet shumë e ërrët, aty ku buron uji, duke krijuar imazhin e një syri. Ky vend gjeneron një pellg me ujë të thellë, blu, shumë të ftohtë, në të cilin më të guximshmit kërcejnë duke u hedhur nga një platformë.

Syri i Kaltër ndodhet rreth 40 minuta me makinë larg nga Ksamili. Autobusët që lidhin qytetin e Sarandës me Gjirokastrën janë mënyra e vetme për të arritur këtë destinacion turistik.

Turistët që shkojnë në Sarandë gjithmonë e lidhin vizitën e tyre edhe me Gjirokastrën. Ky qytet është në listën e Vendeve të Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s. Arsyeja kryesore pse e vizitojnë këtë qytet është kështjella e tij vjetër e vendosur në majë të qytetit dhe shtëpitë tradicionale prej guri. Vizitën e shkurtër në Gjirokastër, turistët e konsiderojnë si pjesë të paketës frymëzuese të Sarandës dhe Ksamilit, ku në pak ditë pushimesh, ata mund të zbulojnë pjesë të ndryshme të Shqipërisë duke bërë disa gjëra njëherazi, shumë të ndryshme njëra nga tjetra. 

Neritana Kraja