Sektori i turizmit po përjeton në 2023-n vitin më të mirë historik deri tani. Dy vitet e fundit, falë dëshirës për të udhëtuar sërish pas pandemisë, Shqipëria është bërë një destinacion në trend për turistët e huaj, që kërkojnë stacione të reja pushimi. Ajo që i tërheq vizitorët është bregdeti të bukur me çmime të pranueshme, por dhe vizitat ku njihen me trashëgiminë e pasur historike dhe kulturore, qytete-muzetë e Beratit dhe Gjirokastrës, gjallëria e qendrave urbane, mjediset e paeksploruara, të favorizuara nga adhuruesit e aktiviteteve në natyrë. Për mikrofonin e Radio Ejani disa turistë që po vizitojnë Shqipërinë në gusht tregojnë përshtypjet e tyre për vendin tonë.
Turistë nga Franca dhe Zvicra në intervistë për CMG
Turistë nga Franca dhe Zvicra kanë ardhur për disa ditë në Shqipëri.
Luar është një turist francez që na flet për pushimet e tij shqiptare
“Unë jetoj në Francë pranë kufirit me Zvicrën, afër Gjenevës për të qenë më i saktë. Kjo është hera e parë që vijmë në Shqipëri, ne mbërritëm dje. Këtu është shumë ngrohtë dhe tani do të vizitojmë muzeun. Njerëzit janë vërtetë të mirë. Ne udhëtojmë ditë pas dite dhe nuk kemi ndonjë plan konkret akoma, por ndoshta do të shkojmë edhe në Kosovë në ditët e ardhshme, dhe nëse do të qëndrojmë më gjatë në Shqipëri do të vizitojmë zonat malore, si mali i Dajtit, që nuk ndodhet shumë larg Tiranës”, u shpreh turisti francez.
Ndërsa një turist tjetër francez ka dëshirë të provojë gatimet tradicionale dhe muzikën shqiptare
“Është vërtetë shumë këndshëm. Ne po qëndrojmë në një hostel, i cili është shumë i mirë. Nuk e dimë akoma se çfarë do të bëjmë sonte, por do të ishte këndshëm që të shkonim në një restorant tradicional, ndoshta me muzikë tradicionale”
Aleksi nga Zvicra e viziton për here të parë Shqipërinë dhe i pëlqen shumë.
“Unë jam Aleks nga Zvicra 23 vjeç dhe është hera e parë në Shqipëri. Më pëlqen shumë Shqipëria, njerëzit janë të mirë dhe shumë miqësorë. Unë bleva një bluzë nga Shqipëria dhe kam takuar futbollistin e njohur shqiptar Klodian Duro. Ne do të vizitojmë dhe restorante tradicionale dhe mendoj se gjërat do të shkojnë mire”.
Pierre nga Franca dhe Ana nga Rusia janë një çift që jetojnë prej 20 vitesh në Gjermani. Ata do të vizitojnë zonat malore të vendit sepse pëlqejnë ajrin e pastër dhe freskinë e maleve e lumenjve.
Turistë duke vizitur Xhaminë në Tiranë (Foto CMG)
“ Unë quhem Pierre dhe jam nga Franca, dhe për mua është hera e parë që vizitoj Shqipërinë. Sapo kemi mbërritur dhe deri tani kemi parë vetëm Tiranën dhe duket mirë. Unë po shikoj shumë ndërtesa të reja dhe nuk e di se çfarë po ndodh me këtë vend sepse shoh ndërtesa dhe çdo gjë të re. Ne do të vizitojmë këto ditë qytetin dhe pastaj do të shkojmë në veri për të vizituar liqenin e Komanit, Valbonën dhe Thethin. Unë kam dëgjuar më përpara për Shqipërinë nga disa miq që jetojnë në Europë, kështu që njerëzit kanë filluar të vijnë në Shqipëri dhe të shpërndajnë fjalën. Këtu çdo gjë duket mirë, me njerëz të mirë dhe ne vendosëm të vijmë për ta vizituar këtë vend.
CMG: Do të shijoni dhe gatime tradicionale shqiptare?
Pierre: Unë kam dëgjuar që ushqimi është shumë i mirë dhe besoj se do të gjejmë gatime të shijshme këtu.
Ndërsa Ana punon për një kompani ndërkombëtare në Gjermani dhe është përgjegjëse për Shqipërinë. Ajo ka dëgjuar shumë për Shqipërinë nga miqtë e saj.
“ Unë jam Ana nga Rusia dhe bashkëshorti im është nga Franca, por ne jetojmë në Gjermani prej 20 vitesh. Për mua gjithashtu është hera e parë që vij në Shqipëri, por kam dëgjuar shumë nga miqtë e mi dhe mendoj se është shumë i njohur ky destinacion tani për gjermanët. Ne nuk i pëlqejmë shumë plazhet sepse ka shumë njerëz tani në gusht dhe mendoj që nuk është vendi i mirë për të shkuar në det. Preferojmë të vizitojmë zonat malore sepse është më mirë për ne. Unë punoj për një kompani ndërkombëtare dhe kemi shumë projekte në Shqipëri. Jam përgjegjëse për Shqipërinë në kompaninë gjermane që merret me projekte ndërkombëtare në vende të ndryshme. Gjithashtu ne do të provojmë edhe gatimet shqiptare sepse nuk i kam provuar më përpara dhe kjo do të jetë hera e pare”.
Një grup turistësh në Tiranë (Foto CMG)
Turistë në sheshin Skënderbej në Tiranë (Foto CMG)
Në sheshin “Skënderbej” takuam tre turistë italianë, të cilët sjellin përshtypjet e tyre për Shqipërinë përmes mikrofonit të Radio Ejani.
Mikele: Jam Mikele nga qyteti i Milanos dhe më pëlqen shumë monumenti i Skënderbeut këtu në shesh. Kam parë shumë njerëz nëpër rrugë dhe kjo është përshtypja ime e parë. Ne po vizitojmë pak qytetin dhe më vonë do të provojmë edhe gatimet tradicionale. Ditët në vijim do të shkojmë në Sarandë. Gjithashtu do të dëshiroja të shkoja në Berat, por të shohim më vonë sepse jemi shumë njerëz dhe duhet të organizohemi”.
Luka: Unë jam Luka nga Italia dhe sapo kemi mbërritur në Tiranë, ku përshtypjet e para jënë të mira. Është një qytet i bukur dhe shumë nxehtë. Tirana është shumë e bukur, por nuk kemi parë gjëra të tjera akoma. Gjithashtu në qytet më pëlqeu xhamia dhe hoxha që këndonte. Do të vizitojmë Sarandën dhe Ksamilin, ku shpresojmë të gjejmë vende të bukura atje”.
Ludovik: Unë quhem Ludovik dhe jam nga Varese e Italisë. Sapo kemi mbërritur dhe përshtypjet e para janë shumë të mira, por është pak herët për të thënë tani. Kur të kthehem pas disa ditësh mund t’ju tregoj më shumë rreth përshtypjeve të mia sepse deri tani nuk kemi parë shumë gjëra, vetëm sheshin dhe nuk kam provuar akoma gatimet shqiptare.
CMG: Keni dëgjuar më përpara për Shqipërinë?
Turistë italianë në intervistë për CMG
Ludovik: Po sigurisht kam dëgjuar sepse në Itali ka shumë shqiptarë. Unë jam këtu me një shokun tim shqiptar i cili më ka treguar shumë rreth Shqipërisë. Do të qëndrojmë këtu një javë dhe mund të them që presim të vizitojmë vende të bukura, ku deti është i mirë dhe ambienti shumë miqësor. Mendojmë të kemi pak argëtim dhe të relaksohemi në këtë javë pushimesh.
Intervistoi: Gazmend Agaj