Papa Françesku: Marrëdhëniet njerëzore janë reduktuar në algoritme
2023-08-28 15:20:40

Papa Francesku (Foto Rtsh)

Papa Francesku (Foto Rtsh)

Papa Françesku paralajmëroi për rrezikun e reduktimit të marrëdhënieve njerëzore në “algoritme të thjeshta”. Ai u kërkoi ligjvënësve që të jenë vigjilentë kundër propagandës përçarëse në mediat sociale, shkruan “RTSH”.

Në një fjalim për pjesëmarrësit e Rrjetit Ndërkombëtar të Ligjvënësve Katolikë, papa Françesku vuri në dukje se rrjetet sociale mund të jenë një mënyrë për t'i ndihmuar njerëzit të kuptojnë se janë pjesë e diçkaje më e madhe se vetja.

“Në të vërtetë, ky është qëllimi i deklaruar i shumë platformave të mediave sociale dhe sigurisht që shumë të mira ndodhin përmes këtyre mjeteve të komunikimit”,- tha Ati i Shenjtë.

Megjithatë, tha papa, vigjilenca është e nevojshme, pasi fatkeqësisht në këto media ka shumë prirje çnjerëzore që rezultojnë nga teknokracia.

Ai përmendi përhapjen e qëllimshme të informacionit të rremë për njerëzit, lajmet e rreme dhe nxitjen e urrejtjes dhe të ndarjes.

Papa Françesku më tej dënoi atë që ai e quajti “propagandë partizane dhe reduktimin e marrëdhënieve njerëzore në algoritme të thjeshta”.

Sipas tij, një tjetër rrezik në rrjetet sociale është një ndjenjë e rreme përkatësie, veçanërisht mes të rinjve, që mund të çojë në izolim dhe vetmi. (Fatosi)