Sekretarja amerikane e Tregtisë në Pekin, çfarë do të diskutojnë Kina e ShBA-ja?
2023-08-28 14:37:38

Foto nga VCG

Foto nga VCG

Sekretarja amerikane e Tregtisë, Gina Raimondo, ka filluar një vizitë 4-ditore në Kinë. Kjo është hera e 4-t që një zyrtar i lartë amerikan viziton Kinën në dhjetë javët e fundit.

 

Gjatë vizitës së Raimondo-s, Kina do t'i deklarojë qëndrimin e vet palës amerikane mbi çështjet ekonomike e tregtare me interes, sipas një zëdhënësi të Ministrisë së Tregtisë të Kinës, i cili shtoi se Pekini është i gatshëm për diskutime të thella mbi zgjidhjen e dallimeve ekonomike dhe tregtare dhe nxitjen e bashkëpunimit praktik.

 

Në një diskutim "të thellë, pragmatik dhe konstruktiv" me Raimondon në Uashington përpara vizitës së saj, ambasadori kinez në ShBA Xie Feng i kërkoi palës amerikane të punojë me Kinën dhe "ta bëjë listën e bashkëpunimit më të gjatë e ta shkurtojë listën negative", në përpjekjet e përbashkëta për të stabilizuar marrëdhëniet kino-amerikane.

 

 

Vizita e Raimondo-s bëhet disa ditë pasi Departamenti amerikan i Tregtisë njoftoi heqjen e 27 subjekteve kineze nga "lista e paverifikuar" e kontrollit të eksportit, një veprim që Ministria kineze e Tregtisë e ka përshëndetur si "favorizues" për tregtinë normale ndërmjet dy ekonomive më të mëdha të botës.

 

Në konferencën e shtypit mbi vizitën e Raimondo-s në Kinë, këshilltari amerikan për Sigurinë Kombëtare, Jake Sullivan, tha të martën se sekretarja amerikane e Tregtisë "do të mbartë mesazhin se ShBA-ja nuk kërkon shkëputjen nga Kina, por çrrezikimin."

 

Wang Yiwei, drejtor i Institutit të Çështjeve Ndërkombëtare në Universitetin Renmin të Kinës, tha se, pavarësisht ndryshimit të retorikës, Uashingtoni ende kërkon të "shkëputet" nga Kina, por në një mënyrë graduale.

 

Për shkak të ngurrimit të aleatëve të ShBA-së dhe interesave të bizneseve dhe konsumatorëve amerikanë, Uashingtoni ka ndaluar së përdoruri gjuhën e "shkëputjes", tha Wang për CGTN-in. "'Çrrezikimi' është 'shkëputje' në një proces të ngadaltë."

 

Përkundër zotimit të shpallur në mënyrë të përsëritur se nuk do të ketë "shkëputje", Biden nënshkroi një urdhër ekzekutiv në fillim të këtij muaji për të ndaluar investimet amerikane në Kinë në kategori si gjysmëpërcjellësit dhe mikroelektronika, teknologjitë e informacionit kuantik dhe inteligjenca artificiale.

 

Ndalimi më i fundit pason shtimin nga administrata e Biden-it të përpjekjeve për të penguar përparimin e teknologjisë së lartë të ekonomisë së 2-të më të madhe në botë, pas "Projektligjit të mikroçipave dhe shkencës" që u miratua vitin e kaluar.

 

Foto nga VCG

Foto nga VCG

Numri i madh i kufizimeve teknologjike ka penguar në njëfarë mase rritjen e të ardhurave të kompanive amerikane të mikroçipave. Sipas Agjencisë së Lajmeve "Xinhua", kryeekzekutivët e tre gjigantëve të gjysmëpërcjellësve - "Intel", "Qualcomm" dhe NVIDIA - u takuan me zyrtarë të lartë të administratës së Biden-it muajin e kaluar dhe i kërkuan të tregojë përmbajtje lidhur me kufizimet e mëtejshme të eksporteve të mikroçipave në Kinë, të ndalet e të rishikojë ndikimet e politikave të tanishme mbi këtë sektor.

 

"Industria amerikane i ka bërë presion të madh qeverisë amerikane," tha Wang. Ai shtoi se ata duan një lehtësim kur bëhet fjalë për Kinën, dhe duan të ndajnë një pjesë të tregut gjigant kinez.

 

"Kështu që qeveria amerikane mund të kuptojë se nuk ia vlen ta shtrëngojë [sektorin e teknologjisë së lartë të Kinës] në mënyrë të pamatur," tha ai.

 

Vizita e Raimondo-s përkon gjithashtu me njoftimet që ShBA-ja po kërkon një rizgjatje afatshkurtër të marrëveshjes me Kinën mbi bashkëpunimin shkencor e teknologjik.

 

Marrëveshjes ShBA-Kinë për Bashkëpunimin në Shkencë dhe Teknologji, e cila u nënshkrua në vitin 1979 dhe është rinovuar afërsisht çdo 5 vjet që nga ajo kohë, i mbaroi afati të dielën. Ajo u zgjat për herë të fundit zyrtarisht në gusht 2018, kur pala kineze e quajti atë një kuadër ligjor për bashkëpunimin ndërqeveritar shkencor dhe teknologjik Kinë-ShBA dhe një platformë efektive për një bashkëpunim të tillë joqeveritar.

 

Ish-korrespondenti në Shtëpinë e Bardhë, William Jones, paralajmëroi koston e mundshme për ShBA-në nëse kjo marrëveshje nuk zgjatet.

 

“Në atë rast, ShBA-ja do të bëhej ‘e përjashtuara’, meqë Kina është shumë e hapur për bashkëpunim shkencor me vendet e tjera. Dhe shumica e vendeve të botës janë të hapura në këtë drejtim,” shkroi Jones në një opinion të publikuar nga CGTN-i.

 

Vizita e Raimondo-s në Kinë pason ato të sekretarit të Shtetit Antony Blinken, sekretares së Thesarit Janet Yellen dhe të dërguarit të posaçëm presidencial mbi çështjet klimatike John Kerry.

 

Gjatë vizitës së Blikenit, Kina dhe ShBA-ja pranuan të inkurajojnë forcimin e shkëmbimeve njerëzore e arsimore dhe të shtojnë numrin e fluturimeve ndërmjet dy vendeve.

 

Rasti më i fundit i zbatimit të një marrëveshjeje të tillë është njoftimi nga Kina më 10 gusht i rinisjes së udhëtimeve në grup në ShBA. Kompanitë ajrore kineze dhe amerikane do të bëjnë 36 fluturime vajtje-ardhje në javë nga 1 shtatori, dhe numri do të rritet në 48 nga 29 tetori, duke u dyfishuar në krahasim me numrin e tanishëm.

 

Foto nga VCG

Foto nga VCG

Sekretarja amerikane e Tregtisë përshëndeti rinisjen e udhëtimeve në grup. "Para shpërthimit të pandemisë së COVID-19, deri në 3 milionë udhëtarë kinezë vizitonin ShBA-në çdo vit, duke kontribuuar më shumë se 30 miliardë dollarë në ekonominë amerikane. Ne shpesojmë të mirëpresim edhe një herë udhëtimin e grupeve kineze në ShBA," tha ajo në një deklaratë.

 

Sun Chenghao, studiues me Qendrën e Sigurisë dhe Strategjisë Ndërkombëtare në Universitetin Tsinghua, tha që, me vizitën e Raimondo-s, do të ketë një raund të ri të shkëmbimeve të nivelit të lartë ndërmjet Kinës dhe ShBA-së.

 

“Kjo tregon që komunikimi ndërmjet Kinës e ShBA-së vijon të jetë krejtësisht i lirshëm, çka sigurisht ndihmon në stabilizimin e marrëdhënieve kino-amerikane,” i tha Sun Chenghao CGTN-it.

(Jiang Lei)