Ekspertët me sytë nga nafta në Shpirag
2023-08-28 15:19:17

Vendburimi i naftës në Shpirag (Foto Epoka e re)

Vendburimi i naftës në Shpirag (Foto Epoka e re)

Në Shqipëri kompania shumëkombëshe Shell  ka mbyllur fazën e kërkimeve në vendburimin e Shpiragut  dhe pritet që në muajin tetor të nisë testin final nga rezultatet e të cilit do të varet nëse do të vijohet me operacionet e nxjerrjes së naftës dhe gazit. Konkretisht bëhet fjalë për sfidën e testit përfundimtar teknik  të vlerësimit të qëndrushmërisë së presionit të fluksit të gazit e naftës deri mbi sipërfaqen e tokës. Kjo u bë e ditur nga kryeministri Edi Rama, sipas të cilit cilësia e naftës së zbuluar është e niveleve më të larta e nëse gjithshka do të shkojë pozitivisht atëherë ky zbulim mund të ketë sipas tij një ndikim historik në zhvillimin ekonomik, por dhe në pozicionin gjeopolitik dhe gjeostrategjik të Shqipërisë.

Analizat e bëra nga kompania kanë treguar se bëhet fjalë për një naftë të një cilësie shumë të lartë, të krahasusehme me atë premium të Arabisë Saudite ndërsa vetëm investimi i kompanisë për infrastrukturën dhe logjistikën llogaritet të nisë me 3 miliardë euro.

Si e shohin ekspertët e fushës këtë lajm, sa përfiton investitori dhe sa shteti shqiptar.

Eksperti Stavri Dhima (Foto Top Channel)

Eksperti Stavri Dhima (Foto Top Channel)

Në një intervistë për Top Channel,  eksperti i hidrokarbureve  Stavri Dhima tha se legjislacioni shqiptar e përcakton qartë pjesën e përfitimeve të shtetit.

“Në legjislacionin shqiptar, që është bazuar dhe është i harmonizuar me një legjislacion ndërkombëtar në fushën e kërkimeve dhe prodhimeve dhe kërkimeve të naftës bruto janë të përcaktuar disa tregues thelbësorë për sa i përket përfitimeve të vendit, i cili e zotëron atë pasurim. Edhe në ligjin shqiptar të miratuar në vitin 1993 përcaktohet se nafta është pasuri kombëtare,  pronë e shtetit dhe përdoret për zhvillimin ekonomik dhe shoqëror të vendit, kjo është e qartë dhe e padiskutueshme. Në rastin ku përmendet fjala 3 miliardë apo 7 miliardë investim, bëhet fjalë për invesimin teknik dhe teknologjik për të bërë të mundur nxjerrjen e kësaj nafte”, theksoi eksperti Dhima.

Eskperti thotë se skema që do të përdoret është e ngjashme me shfrytëzimin e një vendburimi nafte në Itali.

“Vetë kompania Shell pritet të jetë një vendburim i ngjashëm me një vendburim në Itali, i cili është në fazë shfrytëzimi tashmë dhe është zbuluar në vitin 1987 dhe futur në shfrytëzim në 1996. Që nga momenti i pusit të parë që tregton se këtu naftë deri në momentin që kompletohet duhet një dekadë”

Përfitimet direkte të Shqipërisë pritet të jenë në nivele shumë të larta pasi flitet për një prodhim 5 milionë ton në vit, naftë bruto.  

“Shqipëria në këto faza është sepse nuk po përmendim zbulimin e 2001 pasi kompania pas kësaj është larguar nga Shqipëria dhe ka vijuar më pas me një kompani zvicerane kanadeze e kështu me radhë. Eshtë një afat i pranueshëm dhe për faktin se aty është një zonë me vështirësi teknologjike specifike. Nisur nga këto të dhëna që vetë Shell thotë që është e ngjashme me atë në Itali do të thotë se në këtë vendburim Italian prodhhen rreth 85 mijë fuçi në ditë që e përkthyer në ton ësht rreth 15 mijë ton. Këtu pritet diçka më shumë sepse nga informacionet e bëra publike pritet rreth 100 mijë fuçi nafte në ditë, që do të thotë afërsisht një prodhim rreth 5 milionë ton në vit, naftë bruto”, theksoi eksperti  

Kryeministri Rama në Shpirag (foto Kryeministria)

Kryeministri Rama në Shpirag (foto Kryeministria)

Aktualisht Shqipëria prodhon afro 1 milion fuçi nafte  në vit.

“Ne jemi në shifrat rreth 1 milionë që prodhojmë tani. Këtu kemi një sasi kolosale dhe e konvertuar në 85 mijë apo 100 mijë fuçi, do të shkojë deri në 10 milionë euro në ditë, nga shitja e kësaj nafte.“

 Nafta do të jetë e papërpunuar dhe në të ardhmen do të duhet të krijohen kushtet për përpunimin e saj.

“Është problem tjetër, sepse kjo naftë është bruto dhe e papërpunuar, ndaj do të duhet që të përpunohet dhe në planet që janë thënë dhe kompania dhe kryeministri parashikohet ngritja e një rafinerie, e cila do të bëjë të mundur që të prodhohet kjo naftë dhe benzina, apo gazoil. Këto janë investime që do të jetë për tubacione, që do çojë për ta eksportuar që nuk do të përdoret pasi bëhet fjalë për sasi kolosale të prodhuara, do të duhet ndërtimi i një tubacioni të gazit që do të lidhet me tubacionin e TAP-it që vjen që nga Azerbajxhani në Turqi, Greqi, Shqipëri dhe Itali”

Shqipëria do të jetë një vend që do të prodhojë një sasi të rëndësishme nafte dhe gazi,  e ndarë 60% për naftën dhe 40% për gazin.

Vendburimi i naftës në Shpirag. (Foto kryeministria)

Vendburimi i naftës në Shpirag. (Foto kryeministria)


“Shifra të tilla pritet të jenë edhe për zonën e Dumresë, siç u shpreh zv-ja Balluku. Në burim do të ketë disa impiante që mund t’i quajmë rafineri, por nuk janë në kuptimin klasik të prodhojnë benzinën, gazoilin apo produktet e tjera, por do të bëhet ndarja e naftës, gazit dhe sasive do të bëhet një filtrim për t’u bërë nafta e tregtueshme si naftë bruto, pastaj përpunohet.”

Ndërkohë sipas ekspertëve të ekonomisë,  taksat që do mblidhen çdo vit nga nxjerrja e naftës në Shpirag dhe jo vetëm, parashikohet të arrijnë deri në disa qindra milionë dollar. Kompania holandeze “SHELL” parashikohet t’i paguajë shtetit shqiptar 10% rentë minerare dhe 50% tatim fitim.