Kina do të përgjysmojë taksën e vulës për tregtimin e letrave me vlerë për të forcuar tregun e kapitaleve
2023-08-28 19:30:07

Foto nga VCG

Kina do të përgjysmojë taksën e vulës për tregtimin e letrave me vlerë që nga 28 gushti, në përpjekje për të aktivizuar tregun e kapitaleve dhe për të rritur besimin e investitorëve, njoftoi të dielën Ministria e Financave dhe Administrata Shtetërore e Taksave e Kinës.

Kjo është ulja e parë e tillë në vend që nga viti 2008, kur autoritetet kineze e zvogëluan normën e taksës së vulës nga 3 për mijë në 1 për mijë.

"Përgjysmimi i taksës së vulës për tregtimin e letrave me vlerë është një ndër masat më të rëndësishme për të rritur besimin e investitorëve," tha Zhao Xijun, profesor në Shkollën e Financës në Universitetin Renmin të Kinës.

Zhao vuri në dukje se historikisht, rregullimet e taksës së vulës lidhur me transaksionet e letrave me vlerë janë pritur në mënyrë pozitive nga tregu i kapitaleve. "Veçanërisht më 2008, shkurtimi i taksës së vulës solli një rritje të ndjeshme të tregut të aksioneve të Kinës," u shpreh ai.

Kina filloi të merrte taksën e vulës për tregtimin e letrave me vlerë më 1990. Taksa është ulur katër herë që nga viti 2000, përveç shkurtimit të fundit. Në katër rastet, Treguesi i Përbërë i Bursës së Shangait u rrit përkatësisht me 71, 98, 114 dhe 139 për qind.