Aksident ajror, dy avionë luftarakë të Ukrainës përplasen në perëndim të Kievit
2023-08-28 15:32:19

Avione (Foto Rtsh)

Avione (Foto Rtsh)

Dy avionë luftarakë të Ukrainës u përplasën me njëri-tjetrin, teksa po merrnin pjesë në një mision trajnues mbi rajonin Zhitomir të Ukrainë, bëri të ditur Zyra Shtetërore e Hetimeve, lajmëron “RTSH”.

Tre pilotët që gjendeshin në avionë e llojit L-39 vdiqën gjatë incidentit që ndodhi në qiellin e Zhitomirit, qytet rreth 140 kilometra në perëndim të Kievit.

Mbetjet e avionëve ranë në oborrin e një shtëpie private dhe ato u përhapën rreth 300 metra. Askush në terren nuk u lëndua dhe nuk raportohet për dëme në banesa. Ushtria ka larguar të gjitha copëzat e avionëve që u përfshin në incident.

Zyra Shtetërore e Hetimeve ka nisur një hetim për të përcaktuar nëse avionët ishin në gjendje të mirë dhe nëse janë ndjekur të gjitha rregullat para se ata të ngriheshin në ajër.

Specialistët po ashtu do të hetojnë kutitë e zeza të avionëve, që përmbajnë të dhëna për lëvizjet e fluturimeve dhe reagimit të pilotëve. (Fatosi)