Një avion Airbus A350 u ngrit të premten në mëngjes nga Wuhan-i, kryeqendra e provincës Hubei në Kinën qendrore, me 270 pasagjerë të nisur për në aeroportin “Heathrow” të Londrës, duke shënuar rifillimin e rrugës së fluturimit të drejtpërdrejtë nga Wuhan për në Evropë pas pandemisë, shkruan “Xinhua”.
I operuar nga “China Southern Airlines”, ky shërbim ajror do të funksionojë një herë në javë të premteve.
Fluturimi drejt Londrës ishte në 88% të kapacitetit të pasagjerëve, ndërsa ai i kthimit arriti në rreth 90 për qind, deklaroi Li Shuwen, zëvendësmenaxheri i shitjeve të degës Hubei të “China Southern Airlines”.
“Jemi shumë optimistë për të ardhurat që do të vijnë nga ky itinerar. Deri më tani, mbi 80 për qind e kapacitetit të disponueshëm të vendeve të fluturimeve Wuhan-Londër në shtator është rezervuar”, tha Li, duke shtuar se kompania planifikon të shtojë një fluturim tjetër çdo javë në nëntor.
Deri më tani, Aeroporti Ndërkombëtar i Wuhan-it “Tianhe” ka rifilluar nëntë linja ajrore në metropolet ndërkombëtare, duke përfshirë Dubai, Sydney, Tokio, Singapor dhe Bangkok. (Irma)