Ndryshimet klimaterike/ Humbje katastrofike në kolonitë e pinguinëve perandorë
2023-08-27 18:13:21

CFP

CFP

Ngrohja e shpejtë e temperaturave globale po çon në nivele të ulëta të paprecedenta të akullit të detit në Antarktidës, duke rrezikuar edhe ekzistencën e pinguinëve perandorë.

Sipas një studimi të botuar në revistën “Nature Communications Earth & Environment”, katër nga pesë kolonitë e pinguinëve perandorë të analizuar në detin Bellingshausen, në perëndim të Gadishullit Antarktik, nuk patën asnjë mbijetesë të zogjve të rinj vitin e kaluar, pasi zona përjetoi një humbje të madhe të akullit të detit, shkruan “RTSH”.

Ky dështim katastrofik i mbarështimit, sipas raportit, mbështet parashikimet e zymta se mbi 90% e kolonive të pinguinëve perandorë do të zhduken deri në vitin 2100, ndërsa Toka vazhdon të ngrohet.

Studiuesit monitoruan pesë koloni të pinguinëve perandorë në detin Bellinghausen, që varionin në madhësi nga afërsisht 630 në 3500 çifte. Duke përdorur imazhe satelitore nga viti 2018 deri në vitin 2022, ata numëruan se sa nga zogjtë ishin të pranishëm në këto koloni gjatë sezonit të shumimit.

Ata zbuluan se në vitin 2022, katër nga kolonitë përjetuan dështim total riprodhues, që do të thotë se ka shumë të ngjarë që asnjë zog mos të mbijetojë.

Vitet e fundit, shkencëtarët kanë dhënë alarmin për një rënie të madhe të akullit të detit të Antarktidës. Ai ra në nivele të ulëta të paprecedentë në shkurt, në kulmin e verës së kontinentit. Edhe në thellësi të dimrit, kur akulli zakonisht rikthehet, ai përsëri nuk u kthye në nivelet e pritura.

Në mesin e korrikut, akulli i detit Antarktik arriti nivelin më të ulët për këtë periudhë të vitit që nga fillimi i regjistrimeve në vitin 1945. Ai ishte 2.6 milionë kilometra katrorë nën mesataren e viteve 1981-2010, një zonë e madhe sa Argjentina. Shkencëtarët janë ende duke u përpjekur të zbulojnë arsyet, por shumë besojnë se kriza klimaterike e shkaktuar nga njeriu është një ndër faktorët kryesorë. (Irma)