Zjarret ne Greqi (Foto Rtsh)
Autoritetet greke kanë vënë në pranga 79 persona të dyshuar për zjarrvënie të qëllimshme, ndërsa vendi lufton me flakët që po shkrumbojnë hektarë të tëra toke në Greqi.
Ministri i Mbrojtjes Civile, Vassilis Kikilias, tha se zjarrvënësit tentuan të krijonin sërish vatra të reja në malin Parnita, në veriperëndim të Athinës, duke i cilësuar këto veprime një krim kundër vendit, përcjell “RTSH”.
“Zjarrvënësit e poshtër po ndezin zjarre që rrezikojnë pyjet, pronën dhe, mbi të gjitha, jetën e njerëzve. Nuk keni për të shpëtuar. Do t'ju gjejmë, do të mbani përgjegjësi”,- bëri të ditur ministri Kikilias.
Zëdhënësi i qeverisë, Pavlos Marinakis, ka deklaruar se nga 140 ndalime të lidhura me zjarret, 79 kanë të bëjnë me zjarrvënien.
Në Greqi raportohen qindra vatra zjarri aktive. Më i rrezikshmi është bërë vatra në qytetin portual të Aleksandropulit, ndërkohë që flakët në malin Parnitha afër Athinës po rrezikon parkun kombëtar.
Gjatë kësaj jave u gjetën në verilindje të Greqisë edhe trupat e pajetë të 19 personave, mes tyre edhe fëmijë, të cilët mendohet të jenë emigrantë. (Irma)