Presidenti kinez Xi Jinping kërkoi të shtunën kuptimin me vendosmëri të pozicionimit strategjik të Xinjiangut në situatën e përgjithshme kombëtare dhe ndërtimin e një Xinjiangu të bukur në vazhdën e procesit të modernizimit kinez.
Xinhua
Xi, njëkohësisht sekretar i përgjithshëm i Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Kinës (PKK) dhe kryetar i Komisionit Qendror Ushtarak, i bëri komentet ndërsa informohej në Urumqi për punën e komitetit të Partisë dhe të qeverisë së Rajonit Autonom të Xinjiang Ujgurit të Kinës Veriperëndimore si dhe të Korpusit të Prodhimit dhe Ndërtimit në Xinjiang.
Ai kërkoi përpjekje të plota, të përpikta, konkrete dhe të qëndrueshme për të zhvilluar një Xinjiang të bukur, i cili është i bashkuar, harmonik, i begatë dhe i avancuar kulturalisht, me ekosisteme të shëndetshme dhe njerëz që jetojnë dhe punojnë të kënaqur, duke ndjekur procesin e modernizimit kinez.
Xi ishte në Xinjiang pas kthimit në Kinë nga Samiti i 15-të i BRICS-it dhe një vizite shtetërore në Afrikën e Jugut.
Duke njohur arritjet e Xinjiangut në aspekte të ndryshme, Xi tha se puna në lidhje me Xinjiangun ka rëndësi të veçantë në punën e Partisë e të vendit dhe ka të bëjë me detyrën e përgjithshme të ndërtimit të Kinës në një vend të fortë socialist modern në të gjitha aspektet dhe promovimin e ringjalljes së kombit kinez.
Përpjekjet duhet të bëhen jo vetëm për të adresuar problemet kryesore që aktualisht kufizojnë zhvillimin dhe stabilitetin e Xinjiangut, por gjithashtu edhe për planet afatgjata në promovimin e punës themelore, bazë dhe afatgjatë për prosperitetin dhe stabilitetin e qëndrueshëm në rajon, tha ai.
Ruajtja e qëndrueshmërisë sociale është një përparësi kryesore, tha Xi, duke theksuar përpjekjet për të bashkërenduar punën për ruajtjen e stabilitetit dhe avancimin e zhvillimit, dy aspekte që promovohen reciprokisht. Ai bëri thirrje gjithashtu për përpjekje në përmirësimin e sundimit të ligjit për të ndërtuar një bazë të fortë ligjore për stabilitet të qëndrueshëm.
Xinhua
Mekanizmi për parandalimin dhe zbutjen e rreziqeve të mëdha e atyre potenciale duhet të përmirësohet, tha Xi, duke shtuar se lufta kundër terrorizmit dhe separatizmit duhet të integrohet me punën e zbatuar në ligj dhe të vazhdueshme për ruajtjen e stabilitetit.
Formimi i një ndjenje të fortë të komunitetit për kombin kinez është në fokusin e punës së PKK-së për çështjet etnike në epokën e re dhe e gjithë puna në rajonet me popullsi të madhe të pakicave etnike, tha Xi.
Ai theksoi gjithashtu rëndësinë e forcimit të mbrojtjes dhe përdorimit të relikteve dhe trashëgimisë kulturore për të ndihmuar zyrtarët dhe publikun që të zhvillojnë një kuptim të saktë të shtetit, etnisë, historisë dhe feve.
Xi bëri thirrje për edukim të zgjeruar mbi qytetërimin dhe shkencën bashkëkohore mes të rinjve dhe adoleshentëve, duke i inkurajuar ato që të përfshihen në jetën moderne. Ai theksoi avancimin e urbanizimit të ri me në qendër njerëzit dhe promovimin e shkëmbimeve dhe ndërveprimeve midis të gjitha grupeve etnike.
Xi tha se Xinjiang duhet të marrë iniciativën për të shfrytëzuar mundësitë e reja që dalin nga përpjekjet e vendit për të krijuar një model të ri zhvillimi, për të çuar përpara zhvillimin me cilësi të lartë dhe për të nxitur modernizimin kinez.
Xinjiang duhet të avancojë inovacionin në shkencë dhe teknologji, të nxitë dhe zhvillojë industri me avantazhe unike dhe të zhvillojë në mënyrë aktive industritë në zhvillim. Duhen bërë përpjekje për të përshpejtuar ndërtimin e një sistemi industrial modern që pasqyron karakteristikat dhe pikat e forta të Xinjiangut dhe për ta ndihmuar atë të përparojë në rrugën e zhvillimit me cilësi të lartë, tha ai.
Xinhua
Për të arritur stabilitet social dhe zhvillim me cilësi të lartë në Xinjiang, detyra më e mundimshme është në rajonet rurale, tha Xi, duke theksuar punën për të konsoliduar arritjet e zbutjes së varfërisë dhe për të promovuar rigjallërimin rural.
Ai bëri thirrje për më shumë bashkëpunim industrial dhe shkëmbim personal mes Xinjiangut dhe pjesës tjetër të vendit, duke inkurajuar njerëzit nga Xinjiangu që të punojnë jashtë këtij rajoni dhe njerëzit në pjesë të tjera të vendit për të filluar biznes dhe jetuar në Xinjiang.
Me avantazhet gjeografike unike, Xinjiangu duhet të përshpejtojë ndërtimin për ta bërë veten porta e hapjes së Kinës drejt perëndimit, tha Xi.
Xi u kërkoi anëtarëve dhe zyrtarëve të partisë që të qëndrojnë të angazhuar dhe afër njerëzve dhe komuniteteve të tyre. Ai tha se organizatat e Partisë në nivelin vendor duhet të forcohen për të mësuar mbi shqetësimet e njerëzve dhe për t’iu përgjigjur në kohë vështirësive dhe problemeve të tyre.
Xinjiangu do të hapet më gjerësisht për turizmin dhe të inkurajohen turistët vendas dhe të huaj që të udhëtojnë në këtë rajon, tha ai.
Xi theksoi mbështetjen e udhëheqjes së përgjithshme të Partisë dhe forcimin e saj në nivel lokal në Xinjiang. Ai nënvizoi rëndësinë e mbajtjes me vendosmëri të autoritetit të Komitetit Qendror të Partisë dhe udhëheqjes së tij të centralizuar e të unifikuar. (Xu Guang)