Mr. Elvis është reperi shqiptar, që kulmin e suksesit e ka patur në fund të viteve 90-të deri në fillim të viteve 2000. Pas një mungese të gjatë në tregun muzikor shqiptar ai i është rikthyer muzikës në koncertin Alpha Show 2, që u mbajt së fundmi në Tiranë. Në intervistë për Radio Ejani Mr. Elvis flet për lidhjen e ngushtë me muzikën, talentin në pikturë, por dhe për këngët që pritet të publikojë së shpejti.
(Foto personale)
Mr. Elvis rikthehet me projekte të reja muzikore
Elvis Bushi apo siç njihet me emrin e artit Mr. Elvis, ka qenë një ndër reperët e suksesshëm në fundin e viteve ’90 dhe në fillim të viteve 2000. Këngët e tij bashkë me mesazhet që ai përcillte dëgjoheshin kudo në radio, playlista muzikore etj. Pas një mungese në tregun muzikor shqiptar, kohët e fundit ai i është rikthyer muzikës. Në fillim të muajit gusht Mr. Elvis ishte pjesë e koncerti madhështor që u mbaj në Tiranë Alpha Show 2, ku ishin protagonistë artistët e parë të rep-it shqiptar. Në intervistë për Radio Ejani Mr.Elvis rrëfen emocionet e atij koncerti, këngët e reja, por edhe për planet e tij në vazhdim.
CMG: Ndodhemi në lagjen Kombinat, në vendin tënd të lindjes, por njëkohësisht dhe në ambjentin ku ti ke xhiruar një nga videoklipet e tua. Të bën nostalgjik ky ambjent, ky vend?
Mr. Elvis: Dikur këtu ka qenë një gjelbërim shumë i bukur dhe në këtë vend unë kam xhiruar videoklipin e këngës “Disko Sharra”. Gjithashtu këtej afër kam xhiruar edhe videoklipe të tjera. Djemtë me të cilët punoj janë miqtë e mi dhe mund të përmend Endrit Shkretën një nga kameramanët e parë shqiptarë që ka ndihmuar edhe shumë të tjerë që të jenë sot kameramanë shumë të mirë. Plus edhe Kreshnik Marku që merret me montimet e klipeve të mia. Janë videoklipe që i kam bërë me zero kosto dhe për këtë duhen falenderuar djemtë, të cilët kanë qenë të gatshëm gjithmonë për të realizuar videoklipet e mia.
CMG: Është bukur kur suporton artistë të rinj të talentuar. Ndalemi në koncertin e fundit ku ti ishe i pranishëm “Alpha Show” që u mbajt në Tiranë dhe të riktheu ty pas dy vitesh pranë publikut.
Mr. Elvis: Ky koncert u organizua nga Noizy dhe pasi ai bëri “Alpha 1” një vit më parë, tani erdhi me koncertin “Alpha 2”, sepse ky koncert do ketë vazhdimësi, do jetë si një festival i hip-hop-it, siç e ka quajtur edhe ai. Më bëri një ftesë personalisht, ftoi edhe emra të tjera që janë larguar prej vitesh nga skena, erdhi nga jashtë edhe Rudi, si dhe të tjerë grupe pionerë të kësaj rryme muzikore. Pra riktheu brezin tonë për atë publik që na ka ndjekur dikur. Ishte një organizim i jashtëzakonshëm e një publik mjaft i mire, i mrekullueshëm.
CMG: Ti ke qenë larg publikut me koncerte, por me këngë të reja je prezantuar disa muaj më parë me këngën me titull “Stop” në bashkëpunim me Nikun. Si erdhi kjo këngë dhe cila është fabula e saj?
Mr Elvis dhe Elgit Doda (Foto personale)
Mr. Elvis: Unë shkoj shpesh në studion e mikut tim Stines dhe dëgjoj instrumentalet që ai realizon. Një ditë i thashë se më duhej një instrumentale për tekstin që kisha shkruar. Nisëm punën ta realizonim një material për atë tekst dhe vendosa që ta realizoja me mikun tim Nikun e grupit “2 Die 4”. Kënga ka një mesazh edukativ, i përket reperave të rinj, që me thënë të drejtën tekstet e tyre lënë për të dëshiruar, nuk japin asnjë lloj mesazhi. Brezat e rinj kanë nevojë për mesazhe pozitive. Prandaj kënga mban titullin “Stop”, në mënyrë që të mos publikojnë më këto tekste që po sjellin këta të rinj, pa dhunë e pa banalitete nëpër tekste, maska apo armë, nuk janë mesazhe të mira që t’u përcillen adoleshentëve.
CMG: A ka nga këta të rinj që vijnë dhe kërkojnë sugjerime nga ty për këngët e tyre?
Mr. Elvis: Të rinj ka plot që e përcjellin këtë muzikë, por më shumë përmbahen tek muzika e re, por ka edhe ata që thonë; “Elvis ne tek muzika jote kemi gjetur veten, kemi gjetur atë muzikë të pastër, që shumë rrallë e përcjellin sot”. Madje një prind i cili jeton jashtë vendit më tha se, djali i tij po ndiqte këngën e një reperi, teksti i të cilit ishte komplet banal dhe më pas ai i kishte sygjeruar që të dëgjonte këngët e mia. Zotëria më falenderonte për këngët dhe mesazhet që përcjellin këto këngë edukative. Më erdhi mirë kur e dëgjova këtë gjë, sepse ka njerëz që duan të mirën e fëmijëve të tyre, qoftë edhe nëpërmjet përzgjedhjes muzikore.
CMG: Kthehemi pas në kohë dhe ndalemi në vitet 1997-1998 , periudha kur në adoleshencën tënde fillove të merreshe me muzikë. Nga se u ndikove dhe pse pikërisht me këtë rrymë muzikore?
Mr. Elvis: Me thënë të drejtën nuk dëgjoja rep në atë kohë, por shumë dëgjoja muzikë rrok të grupeve të huaja, ndërsa nga shqiptarët dëgjoja shumë Elita 5 . Gjithashtu kam patur shumë pasion edhe pikturën e ndërsa pikturoja edhe këndoja. Aty e kuptova se kisha talent për muzikën, kështu që me disa miq filluam të eksperimentonim me disa instrumentale, por atëherë ka qenë pak e vështrirë. Ka qenë studio Jess për ata që e dinë dhe aty bënin muzikë rrok. Mbaj mend që në atë studio vinin Aleksandër Gjoka, Elton Deda, Redon Makashi etj.
CMG: Në çfarë moshe ke qenë?
Mr Elvis dhe Rudi (Foto personale)
Mr. Elvis: Kam qenë 21 vjeç. Më pas shkova në një tjetër studio, ku u njoha me mikun tim Fabian Asllanin, i cili ka qenë në grup me Bojken Lakon. Te studio e Fabit unë realizova dhe albumin e parë “Moj kasolle ku na mblodhe” një album me rreth 8 këngë.
CMG: Ke patur shumë bashkëpunime në atë kohë?
Mr. Elvis: Kam patur shumë bashkëpunime, njëra ka qenë me Rezartën, ajo një soprano lirike ku në “Poli Fest” në Kosovë realizuar nga Naim Krasniqi, unë u vlerësova bashkë me të me çmimin “Best Hip-hop”.
CMG: Cili ishte personi i cili të inkurajoi dhe të tha “po” ti ja vlen të merresh me muzikë?
Mr. Elvis: Ishte Fabian Asllani. Ky album pasi u realizua edhe me video, kënga shkoi në Top Albania dhe rezultoi një nga këngët më të suksesshme në atë kohë. Kjo media i dha një mbështetje të madhe artistëve të rinj, me në krye të ndjerin Dritan Hoxha, të cilin pata fatin ta njihja persnalisht, pasi ma prezantoi Fabiani.
CMG: Këngët e tua kanë qenë ndër më të shiturat në atë kohë, por a ke patur fitime nga ato shitje?
Mr. Elvis: Me thënë të drejtën në atë kohë me aq sa na paguanin, ishim mirë. Unë kam qenë i ri dhe kërkoja suksesin më së shumti sesa paratë. Shihja karrierën që të ecja përpara.
CMG: Kanë qenë vite të arta për ty, kishe shumë koncerte dhe ishe i ftuar në gjithë Shqipërinë.
Mr. Elvis: Sa i përket këtij albumi, ka qenë producenti Fatmir Duro që më mori bashkë me Fabin. Ai më ka dhënë në atë kohë 8 milionë lekë të vjetra për shitjen e albumit, por se sa kam marrë unë kjo është pjesë e imja. Unë nuk e prisja me thënë të drejtën dhe mbeta shumë i kënaqur. Më thanë që kaseta ime ishte shitur në Shqipëri dhe në Kosovë. Më pas me Fabin realizuam këngën “Femra shqiptare”, por kjo këngë ka një mesele. Unë e kisha realizuar këtë këngë dhe ja tregova Fabit tekstin, e më pas filluam ta punonim si këngë. Në atë kohë sa kishte filluar të organizohej Top Fest-i. Ai e kishte marrë atë këngë dhe e kishte çuar aty dhe më thotë “këtë këngë e ke hit”. Unë nuk e besoja se më dukej normale si këngë.
CMG: Pse ke qenë i pasigurt?
Mr. Elvis: Po sepse më dukej shumë normale si këngë. Duket se gjërat e thjeshta janë më të bukura, se ato që mundohemi shumë e vrasim mendjen për të bërë gjëra të bukura. Gjërat spontane vijnë natyrshëm, por nuk ma merrte medja se do ishte një nga këngët që do bënte zhurmë.
CMG: Si kanë ardhur këto këngë në mënyrë spontane, kanë patur pasqyrim të jetës tënde?
Mr Elvis, West Side Family,Stine,Rudi , Noizy (Foto gjate koncertit)
Mr. Elvis: Përveç muzikës unë jam marrë edhe me artin figurativ, me vizatimin dhe këto janë të lidhura shumë ngushtë, sidomos nga ana shpirtrore. Unë gjithmonë kam krijuar dhe duke shëtitur nëpër këto studio, sidomos me Nestin kam punuar shumë, jam ndikuar edhe nga jeta e përditshme, duke qenë se jam tip shumë social dhe e kam natyrën që nuk shkëputem dot nga socialia, pa përcjellë një mesazh, të paktën pozitiv tek njerëzit. Të gjitha këngët e mia janë si një film me metrazh të shkurtër.
CMG: Pikturon duke kënduar, krijon këngë duke pikturuar. Si është marrëdhënia jote midis këngës dhe pikturës?
Mr. Elvis: Këto kohë nuk jam marrë shumë me pikturën, por tekstet e mia vijnë natyrshëm. Ndikohesha nga ndonjë instrumental i mirë dhe kur dëgjoja diçka që më pëlqente në studion e Nestit, pra Stines atë material kërkoja që ta realizonim.
CMG: Të vjen keq që nuk e ke vazhduar pikturën?
Mr. Elvis: Faktikisht ai është një pasion i imi i lënë për momentin në sirtar. Ndoshta një ditë të bukur mund ta nis prapë, se nuk e kam lënë totalisht.
CMG: Po muzikën pse nuk ke zgjedhur që ta kesh edhe profesion e jo vetëm pasion? Sepse në fillimet e tua ke qenë mjaft i suksesshëm dhe ke patur shitje rekord të albumeve.
Mr. Elvis: Çdo gjë ka kohën e vet, unë nuk kam hequr dorë nga muzika, por thjesht nuk jam shumë komercial si natyrë, ndoshta kjo më ka penalizuar.
CMG: Ndoshta një menaxhim më i mirë?
Mr. Elvis: Edhe kjo mund të jetë, por edhe fakti që unë nuk ndryshoj. Kam bërë atë që më ka thënë zemra dhe jo ato që kërkojnë njerëzit. Jam munduar që të sjell atë që të ndjehen njerëzit mirë nga ana shpirtërore dhe jo të kërcejnë njerëzit nëpër diskoteka. Unë nuk jam kështu. Kjo më ka penalizuar përsa i përket këngëve që unë bëj.
CMG: Artisti yt i preferuar përtej kufijve, cili është?
Mr. Elvis: Artistët e mi të preferuar janë; Eminem, 2 Pac, Snoop Dogg, e shumë artistë të tjerë.
CMG: Ke provuar të shkosh edhe përtej tregut muzikor shqiptar?
Mr. Elvis: Për t’i ndjekur nëpër koncerte, por është e vështirë. Meqënëse nuk shoh ndonjë veçanti nga ajo që bëj unë, vetëm ndryshon gjuha. Unë kam këngë shumë të forta si “Freedom” është një këngë shumë e bukur, kënga me titull “Sa e sa”.
CMG: Sa i përket planeve dhe projekteve të tua në vazhdim. Me çfarë je duke punuar momentalisht?
Mr. Elvis: Po punoj për një këngë të re, shpresoj që të dalë diçka e mirë. E kam shumë pasion muzikën rep dhe do ta vazhdoj , nuk do heq dorë nga muzika.
CMG: Planet për të ardhmen cilat janë?
Mr. Elvis: Së shpejti një këngë e re në studion e Nestit, në “Stine Records”, të cilën shpresojmë që ta shoqërojmë me video. Është një këngë shumë e bukur dhe shpresoj që të mirëpritet nga publiku. Plus bashkëpunimi me Nikun që sapo kam patur gjithashtu pas Alpha Show mund të kemi edhe ndonjë bashkëpunim me artistë të Kosovës. Shpresoj që të nxjerrim diçka të mirë e të bukur.
CMG: Do sjellësh ndonjë këtë të re muajin e ardhshëm?
Mr. Elvis: Po në shtator do të ketë këngë të reja.
Mr Elvis (Foto personale)
CMG: Cilët nga artistët do të veçoje, që do të doje të bëje edhe një bashkëpunim?
Mr. Elvis: Do të veçoja Mc Kresha, Lyrical Son.
CMG: Shpesoj që të shohim në një bashkëpunim me ta. Ndalemi te familja. Ti ke një vajzë e cila e ka pasion artin?
Mr. Elvis: Vajza ime është 8 vjeçe. Ajo këndon ndonjëherë, por ka shumë talent pikturën. Fillon të bëj edhe kritikën për këngët e mia, ku më tregon kjo këngë bën e kjo jo.
CMG: Jemi në kulmin e sezonit të verës, ku të gjithë pushojnë. Ti i ke pushuar, apo pret që t’i bësh pushimet?
Mr. Elvis: Isha dy javë me pushime me familjen, ku kaluam mirë në bregdetin shqiptar, në Velipojë. Tani i jemi kthyer jetës së përditshme, punës, familjes.
CMG: Faleminderit dhe suksese! Uroj që të shohim nëpër koncerte, si dhe të shohim pranë këtij publiku që të ka munguar prej vitesh.
Mr. Elvis: Ju falenderoj për ftesën dhe ju uroj shumë suksese!
Intervistoi: Sava Lena