Shqiponja Doko publikon këngët popullore, kryesisht nga Shqipëria e Mesme dhe e Jugut në kanalin e saj në You Tube dhe deri tani ka arritur në 114 mijë klikime nga dashamirësit e kësaj muzike. Prej 27 vitesh kjo këngëtare e muzikës popullore jeton në Itali, dhe malli për vendlindjen e ka kthyer me pasion te muzika. Për Radio Ejani ajo tregon emocionet që e lidhin me këngën, vendlindjen, por dhe dëshirën për të promovuar artin e saj.
Shqiponja Doko (Facebook)
Shqiponja Doko: Dua që njerëzit të ndjehen mirë me këngët e mia
Shqiponja Doko është këngëtare e muzikës popullore, tek e cila talenti për muzikën dhe kërcimin ka lindur që herët. Ajo jeton në Itali prej shumë vitesh dhe malli për vendlidjen dhe muzikën shqiptare e ktheu tek pasioni dhe ëndrra e saj e madhe, muzika. Shqiponja ka realizuar disa produksione muzikore që janë pritur mjaft mirë nga adhuruesit e saj dhe shpreson që së shpejti të arrijë të realizojë edhe materiale të tjera muzikore. Në një intervistë për Radio Ejani Znj.Doko tregon për jetën e saj në emigracion, rikthimin tek muzika dhe planet për të ardhmen.
CMG: Përshëndetje Znj.Doko dhe faleminderit për pjesëmarrjen në Bio Folk.
Shqiponja Doko: Faleminderit shumë për ftesën. Falenderoj të gjithë njerëzit e mi të dashur dhe dëgjuesit që do të ndjekin këtë intervistë. Ndjehem shumë e lumtur që po arrij me sukses në punën time, sepse në emigracion prej 27 vitesh unë muzikën, këngët e bukura shqiptare nga të gjitha trevat e vendit i kam kënduar gjithmonë. Edhe kur kam qenë e vetme në Itali kam kënduar për qejfin tim nëpër festa familjare dhe pse për publikun nuk kam kënduar deri para tre vitesh. Gjithmonë më kanë pëlqyer dhe i falenderoj shumë se më kanë dhënë një shtytje për të vazhduar në rrugën e suksesit dhe për t’i bërë gjërat më profesionale.
CMG: Keni 27 vite që jetoni dhe punoni në Itali. Si u integruat me jetën atje?
Shqiponja Doko: Ka qenë e vështirë, por njeriu gjithmonë po të jetë vetvetja dhe po të ketë një vullnet për të arritur në çdo sukses arrin kudo, jo deri aty ku kam arritur unë por edhe më shumë. Unë kam qenë e vendosur për të arritur kudo, jo vetëm për muzikën, por për punën, familjen dhe çdo gjë. Kam arritur që të integrohem dhe të krijoj dashuri dhe respekt jo vetëm me familjen time, por me të gjithë miqtë dhe njerëzit që kam aty afër, në vendin ku jetoj dhe në ambientet e punës. Kam dashuri pafund për Shqipërinë dhe respekt pafund edhe për Italinë sepse është një vend që unë kam 27 vite dhe më është bërë vendi im i dytë.
CMG: Sa e vështirë ka qenë për ju të bëni muzikë në një vend të huaj?
Shqiponja Doko: Ka qenë e vështirë në periudhën e pandemisë sepse nuk mundesha të këndoja dhe mundohesha mos të dilja nga shtëpia, por t’i bëja gjërat brenda në shtëpi. Nuk ka qenë shumë e vështirë, por përkundrazi ka qenë kënaqësi sepse në atë periudhë jam munduar të realizoj gëjra jo shumë të bukura nga ana profesionale të realizuara nga shtëpia ime, por njerëzit i kanë dëgjuar me shumë kënaqësi.
Shqiponja Doko me veshje popullore (Foto personale)
Unë kam realizuar në atë periudhë shumë kënga nga të gjitha trevat, por dhe këngë italiane, rumune, greke dhe turke, këngë nga Kosova dhe të gjitha vendet, që i këndoja live në shtëpi. Çdo krahinë ka kulturën e vet dhe unë jam një shqiponjë e hapur, ashtu si emri që kam Shqiponjë ashtu jam unë, dua të respektoj çdo kulturë dhe mbi të gjitha të respektoj pafund vendin tim, Shqipërinë. Kam dëshirë të bëj këngë më të bukura, këngët e vjetra por dhe të reja nga jugu, veriu, pra nga të gjitha trevat.
CMG: Kur ka lindur pasioni për këngën tek ju?
Shqiponja Doko: Pasioni për këngën ka lindur në një moshë shumë të vogël. Kur kam qenë në klasën e parë mësuesja shikonte talentin tim për muzikën dhe një ditë më tha se kisha një zë shumë të bukur. Ajo më bëri që të këndoj një këngë të vjetër popullore “O Zambak i bardhë” dhe plot këngë të tjera. Mësuesja më dha më tepër forcë dhe unë kam filluar nga klasa e parë e deri tani duke i dedikuar gjithmonë shumë kohë muzikës dhe mundohem të mësoj sa më tepër këngë.
Kam një repertor të madh me këngë dhe madje as nuk i shkruaj këngët sepse i kam të gjitha në mendje. Gjithashtu në momentet e nostalgjisë kur jam vetëm në Itali, kur jam duke bërë punët e shtëpisë ose kur dal shëtitje mundohem të këndoj sidomos këngët e vjetra popullore, që janë kënduar nga Hafsa Zyberi, këngët e Parashqevi Simakut, të Liri Rashës, Greta Zanit dhe Artiola Toskës.
CMG: Cila trevë fle më tepër në shpirtin tuaj përsa i përket muzikës popullore shqiptare?
Shqiponja Doko ne interviste per CMG
Shqiponja Doko: Unë jam me këngët e Shqipërisë së mesme sepse jam lindur dhe rritur në Tiranë, edhe pse e kam nënë nga Saranda ndërsa babain nga Korça. Nuk kam qenë indiferente karshi muzikës korçare, të jugut, veriut apo Shqipërisë së mesme, por duke qenë se jam lindur dhe rritur në Tiranë kam qenë më tepër te këngët e Shqipërisë së mesme. Një video klip me potpuri të Shqipërisë së mesme e kam realizuar dhe publikuar dhe këngët e Shqipërisë së mesme janë në zemrën time.
CMG: Keni kënduar këngë popullore për komunitetin italian dhe si janë ndjerë ata me muzikën tonë popullore?
Shqiponja Doko: Kam kënduar nëpër lokale si dhe tek një lokal që quhet Fernato në periferi të Milanos ku jetoj. Gjithashtu kam kënduar në Zvicër. Ajo që më ka emocionuar më tepër një natë në Itali kur po kërcenim të gjithë bashkë vallen pogonishte dhe këngën “Xhamadani vija-vija”, janë ngritur të gjithë italianët duke kërcyer me këngët tona të bukura. Këto këngë pëlqehen edhe nga vendet e tjera, pëlqehet shumë muzika jonë dhe kjo është një gjë shumë e bukur.
CMG: Kostumi tradicional popullor zë një vend të veçantë tek ju sepse e keni veshur gjatë realizimit të videoklipeve të këngëve tuaja.
Shqiponja Doko: Kostumin popullor unë e kam pasur qejf që në moshën 15 vjeçe, por në atë kohë nuk mundesha ta kisha një të tillë për kushtet rrethanore. Kur mu dha mundësia e kam blerë kostumin popullor dhe e mbaj si diçka më të shtrenjtë në shtëpi. Kostumin popullor e vesh shpesh kur kam organizime me muzikë në Itali dhe ju spjegoj të huajve që kjo është një veshje e jona e traditës, veshje e Shqipërisë së mesme që për mua kjo ka shumë vlerë dhe pëlqehet jashtë mase. Veshjen e Çamërisë nuk e kam, por e kam përdorur kur kam realizuar një videoklip me potpuri këngësh të trevës së jugut, që janë këngë të vjetra dhe që nuk i humbasin kurrë vlerat. Mua më pëlqejnë të gjitha veshjet popullore dhe shpresoj që së shpejti të realizoj edhe një kolazh këngësh nga veriu.
CMG: Deri tani keni publikuar në kanalin tuaj YouTube disa materiale muzikore. Si janë pritur këto produksione nga publiku?
Shqiponja Doko: Unë jam shumë e lumtur dhe falenderoj shumë të gjithë adhuruesit që më kanë mbështetur, sidomos publikun e jugut që më kanë dhënë mbi 114 mijë klikime. Po ashtu edhe në videoklipet e tjera kanë kalur mbi 100 mije klikime në kanalin YouTube. Gjithashtu kam dhe shumë përkrahje nga rrjetet sociale, për çdo publikim që bëj edhe kur publikoj video të thjeshta nga shtëpia unë i bëj me zemër dhe nuk pres që të bëj një video profesionale. Ajo që mua më intereson nuk janë fitimet por thjesht t’i bëj njerëzit të ndjehen mirë sepse në shpirtin tim njoh vetëm mirësinë.
Shqiponja Doko.(Facebook)
CMG: Në Shqipëri vini shpesh dhe ju mungon vendlindja?
Shqiponja Doko: Vendlindja më mungon shumë, aq më tepër që unë këtu në Shqipëri nuk kam asnjë nga anëtarët e familjes. Gjithëkush që vjen këtu në Shqipëri ka dikë që e pret, motra, vëllai apo nëna me babain. Ndërsa mua më kanë ndërruar jetë të gjithë dhe nuk kam njeri këtu, kam vetëm derën e shtëpisë të mbyllur, por edhe pse është e mbyllur ndjehem e lumtur kur zbres në aeroport, dhe më duket sikur ajri më mbush shpirtin, një gjë që nuk më ndodh në Itali.
Kur vij në Shqipëri ndjehem vërtetë shumë mirë. Dëgjoj njerëz që thonë që në Shqipëri ka vuajtje, ndërsa për mua edhe vuajtja është pjesë e jetës. Unë në Itali i kam kushtet shumë të mira, por edhe këtu që nuk i kam ato kushte prapë ndjehem 1000 herë më mirë sesa në Itali. Unë do këshilloja me zemër rininë tonë dhe ata që marrin një vendim për ta lënë vendin e tyre dhe për të ikur jashtë shtetit, ju them me zemër nëne dhe zemër të një shqiptareje që mos ta lenë Shqipërinë sepse këtu gjithçka është e bukur dhe do bëhet akoma dhe më e bukur.
CMG: Pse ju rikthyet kaq vonë muzikës apo nuk keni pasur mundësi në Itali?
Shqiponja Doko: Vetëm mërzitja, dashuria për Shqipërinë dhe për këngët e vendit tim dhe nostalgjia. Ajo që më mungonte unë i gjeja te këngët dhe gjithmonë i këndoja sepse sa herë mërzitesha në shtëpi e hiqja mallin duke kënduar. Edhe kur më kanë ndërruar jetë njerëz nga të familjes time e hiqja mallin vetëm duke kënduar. Më mungonte nëna dhe filloja të kënndoja këngët e jugut sepse më dukej sikur e gjeja te këngët që këndoja njeriun e zemrës nënën, vëllain, babain apo njerëzit e mi.
Jeta në emigracion ka qenë e vuajtur, por unë mendoj se nuk është vonë, edhe pse vitet kalojnë për të realizuar një dëshirë kushdo që e ka një pasion, jo vetëm tek muzika por tek çdo gjë nuk duhet të ketë frikë, por duhet t’i japë forcë vetes sepse nuk është e vështirë për ti arritur gjërat. Kështu që edhe pse me vonesë u mundova dhe po mundohem akoma që të arrij suksese dhe mos ta kem peng në jetë që nuk e provova.
CMG: Përveç këngës keni pasione të tjera në jetë?
Shqiponja Doko: Unë kam pasion recitimin, më pëlqen të shkruaj kujtimet e mia ose histori të ndryshme. Gjithashtu më pëlqen të kërcej, ku të gjitha këngët i shoqëroj me vallëzim. Muzika lind nga shpirti, ku performancat e mia dhe gjithçka që bëj kanë lindur nga shpirti. Unë jam vetvetja dhe nuk ndryshoj dot.
CMG: Cilat janë projektet tuaja muzikore?
Shqiponja Doko gjate realizimit te nje videoklipi (Foto personale)
Shqiponja Doko: Projektet janë të shumta por për t’i realizuar nuk mjafton vetëm vullneti im sepse duhen shumë elementë bashkë. Shpresoj që sa më shpejt të realizoj gjëra sa më të bukura. Janë disa këngëtarë që i kam shumë përzemër, më p[lqejnë këngët e tyre dhe dua të bëj disa bashkëpunime, duke menduar që të realizoj më të bukurën për kënaqësi personale, për dëgjuesit dhe publikun.
CMG: Përshëndetja juaj për dëgjuesit tanë dhe adhuruesit tuaj.
Shqiponja Doko: Një përshëndetje me zemër nga unë, ju dua shumë. Ju falenderoj pa masë për mbështetjen tuaj. Unë do mundohem me shpirt të realizoj gjëra nga më të bukurat. Edhe pse nuk jam e re, zemra ime ka ngelur e re ashtu siç kam ikur nga Shqipëria në moshën 23 vjeçare.
Intervistoi: Gazmend Agaj