Xinhua
Kryeministri etiopian, Abiy Ahmed, deklaroi se anëtarësimi i Etiopisë në mekanizmin BRICS do të forcojë më tej kuadrin në rritje të bashkëpunimit Jug-Jug.
Udhëheqësit e BRICS ranë dakord të enjten të ftojnë gjashtë vende, përkatësisht Argjentinën, Egjiptin, Etiopinë, Iranin, Arabinë Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, për t'iu bashkuar grupit.
Në një videomesazh pas vendimit të drejtuesve të BRICS-it, Ahmed tha se pranimi dhe ndikimi i BRICS në arenën ndërkombëtare po rritet. Sipas tij, duke parë pranimin në rritje të mekanizmit BRICS, vendet në mbarë botën kanë treguar interes për t'iu bashkuar grupit, shkruan “Xinhua”.
Kryeministri i Etiopisë përgëzoi pesë vendet anëtare të BRICS për mbështetjen e tyre për pranimin e Etiopisë. Etiopia, tha ai, do të vazhdojë të forcojë punën e saj për t'u bërë zëri i Afrikës përtej vetvetes.
“Etiopia do të punojë për të zgjeruar rolin dhe pjesëmarrjen e saj në fushën e diplomacisë shumëpalëshe në skenën ndërkombëtare”,- tha Ahmed.
Anëtarësimi i gjashtë vendeve do të hyjë në fuqi më 1 janar 2024, njoftoi presidenti i Afrikës së Jugut, Cyril Ramaphosa, në një konferencë shtypi gjatë Samitit të 15-të të BRICS. (Irma)