CFP
Presidenti rus, Vladimir Putin, shprehu ngushëllime për familjet e atyre që humbën jetën në një aksident ajror pranë Moskës të mërkurën.
“Sa i përket rrëzimit të avionit, para së gjithash, dua të shpreh ngushëllimet e mia të sinqerta për familjet e të gjithë atyre që vdiqën”, deklaroi presidenti Putin, njofton Kremlini, citon “Xinhua”.
Një aeroplan privat “Embraer” që udhëtonte nga Moska në Shën Pjetërburg u rrëzua në rajonin Tver, duke shkaktuar vdekjen e 10 personave në bord, njoftoi Ministria ruse e Emergjencave.
Agjencia Federale Ruse për Transportin Ajror konfirmoi se Yevgeny Prigozhin, kreu i grupit ushtarak “Wagner”, ishte në mesin e pasagjerëve në bordin e fluturimit.
“E njoh Prigozhin për një kohë shumë të gjatë, që nga fillimi i viteve 1990. Ai bëri gabime të rënda në jetën e tij, por gjithashtu arriti rezultatet e nevojshme si për veten e tij ashtu edhe për kauzën e përbashkët, si në muajt e fundit”, tha Putin.
CFP
Prigozhin u akuzua për përpjekje për të kryer një rebelim të armatosur në Rusi këtë qershor. Më 24 qershor, Prigozhin hyri në selinë e Qarkut Ushtarak Jugor të Forcave të Armatosura ruse në qytetin e Rostov-on-Don. Më pas u raportua se autoritetet ruse dhe Prigozhin arritën një kompromis me ndërmjetësimin e presidentit Bjellorus, Aleksandër Lukashenko. (Irma)