Stuhitë pritet të thyejnë valën rekord të të nxehtit në Itali
2023-08-26 19:37:47

Vape e madhe ne Itali (Foto Thestatesman)

Vape e madhe ne Itali (Foto Thestatesman)

Vala përvëluese e të nxehtit dhe thatësira që kanë kapluar pjesën më të madhe të Italisë këtë verë do t'i lënë vendin paralajmërimeve për shi, breshër dhe përmbytje gjatë fundjavës.

Italia ka regjistruar temperatura rekord në shumë qytete këtë verë, duke pasur disa alarme të kuqe, që nënkuptojnë rreziqe shëndetësore edhe për individët e rinj dhe të shëndetshëm, shkruan “Xinhua”.

Nxehtësia dhe moti i thatë kanë rezultuar në shumë zjarre dhe gërryerje të akullnajave të vendit.

Sipas Sindikatës kryesore të Bujqësisë në Itali, “Coldiretti”, këto kushte u kanë kushtuar fermerëve italianë të paktën 6 miliardë euro (6.5 miliardë dollarë amerikanë) dëme në të mbjellat. Ky është viti i dytë radhazi që vendi vuan nga një seri e gjatë valësh të të nxehtit dhe thatësirave, të cilat janë shoqëruar nga periudha të tjera të motit ekstrem, duke përfshirë breshër, rrufe, tornado, përmbytje dhe stuhitë me erë.

Këtë fundjavë, sinoptikanët thonë se pjesa më e madhe e vendit do të goditet nga stuhi të forta dhe stuhi breshëri.

Vendi ka parë tashmë periudha të shkurtra, por të fuqishme shiu, duke përfshirë një seri stuhish në rajonin Emilia-Romagna në maj që la të paktën 15 njerëz të vdekur.

Vala e të nxehtit pritet të vazhdojë edhe gjatë fundjavës. Të enjten, Ministria e Shëndetësisë njoftoi se 17 nga 27 qytetet më të mëdha të vendit ishin nën alarmin e kuq për nxehtësinë. Ndërkohë, katër të tjera u klasifikuan me alarm portokalli, që do të thotë se temperaturat përfaqësonin një rrezik për shëndetin për të moshuarit dhe ata me shëndet të dobët.

Deri të dielën, temperaturat në pjesë të veriut dhe në pjesën më të madhe të pjesëve qendrore dhe jugore të vendit do të ndikohen nga ajo që sinoptikanët e konsiderojnë një "kolaps termik", i krijuar nga sistemet e motit nga Evropa Veriore. Temperaturat gjatë natës do të zbresin me rreth 10 gradë Celsius në pjesën më të madhe të vendit. (Irma)