Industria e gjelbër e informatikës nxit zhvillimin e rajonit të brendshëm të Kinës
2023-08-25 11:49:35

Foto nga VCG

Foto nga VCG

 

Në një park industrial në qytetin bregdetar të Xiamen në provincën Fujian të Kinës lindore, automjetet e sigurisë pa pilot po kryenin patrulla ndërsa transmetonin të dhëna sigurie në kohë reale në një qendër të dhënash “cloud” mbi 2000 km larg, në qytetin Zhongwei në rajonin autonom Ningxia Hui në veriperëndim të vendit, gjithçka brenda një fraksioni sekonde.

 

Qendra e të dhënave “cloud” i përket degës Ningxia të gjigantit kinez të telekomit “China Unicom”, i cili së fundmi ka prezantuar një zgjidhje 5G për kontrollin e automjeteve në distancë.

“Xiamen King Long United Automotive Industry Co., Ltd”, një nga prodhuesit kryesorë të autobusëve në vend dhe pronar i automjeteve të sigurisë pa pilot, u bë përdoruesi i parë i këtij shërbimi.

 

 

Të dhënat e transmetuara në qendrën e të dhënave “cloud” mund t'i nënshtrohen njohjes së inteligjencës artificiale, duke mundësuar fillimin e paralajmërimeve të hershme për rreziqet e sigurisë përmes përpunimit llogaritës, gjë që mund të forcojë ndjeshëm masat e vazhdueshme të sigurisë të parkut industrial.

 

Për shumë njerëz, perceptimi i Ningxia mund të jetë i rrënjosur në mjedisin e saj të brendshëm, klimën e thatë dhe të ftohtë dhe shkretëtirat e gjera, të cilat mund të duken si pengesa të mundshme për përparimin ekonomik. Megjithatë, pikërisht këto karakteristika janë shndërruar në avantazhe për zhvillimin e industrive të të dhënave të mëdha dhe kompjuterit “cloud” në rajon.

 

“Merrni Zhongwei si shembull. Qyteti krenohet me burime të reja të bollshme energjie, si energjia e erës dhe e diellit, me një klimë të thatë dhe të ftohtë. Konsumi i energjisë i qendrave të të dhënave këtu është në nivelin më të ulët në mbarë vendin, duke u mundësuar atyre t'u ofrojnë ndërmarrjeve kosto jashtëzakonisht të ulëta të shërbimeve”,- tha Wu Lihua, nga dega Ningxia e “China Unicom”.

 

Industria e informatikës është me energji intensive dhe konsumi i lartë i energjisë ka qenë gjithmonë pengesa kryesore e qendrave të të dhënave. Megjithatë, si zona e parë demonstruese e Kinës për ndërtimin gjithëpërfshirës të energjisë së re, Ningxia është një furnizues kryesor i energjisë së gjelbër me burime të bollshme të saj.

 

Sipas të dhënave të fundit, pjesa e kapacitetit të instaluar të energjisë së re në Ningxia ishte 50.2 për qind dhe ajo e Zhongwei arriti në 86.18 për qind. Sot, qendrat e të dhënave në Zhongwei transformojnë energjinë e gjelbër në fuqi informatike të gjelbër dhe i kanalizojnë burimet në zonat lindore.

 

 

 

Foto nga VCG

Foto nga VCG

Për shkak të këtyre pikave të forta dalluese, Zhongwei është zgjedhur për t'u zhvilluar si një qendër kombëtare e shkëmbimit të internetit dhe një qendër kombëtare për rrjetet e integruara kompjuterike, sipas kryebashkiakut të qytetit Ma Honghai.

 

Efektiviteti mesatar i përdorimit të energjisë (PUE) i këtyre qendrave të të dhënave qëndron në 1.2 - sa më afër të jetë vlera me 1, aq më i mirë është efikasiteti i energjisë. Për shumicën e qendrave të të dhënave të sapondërtuara në Kinë, efektiviteti mesatar i përdorimit të energjisë është 1.73.

 

Deri tani, 13 qendra të mëdha dhe ultra të mëdha të të dhënave janë krijuar këtu, duke tërhequr më shumë se 200 ndërmarrje kompjuterike “cloud” dhe ndërmarrje të ngjashme. Këto qendra ofrojnë shërbime të ruajtjes së të dhënave dhe në “cloud” për mbi 4000 kompani, duke përfshirë platformën e tregtisë elektronike “Meituan”, prodhuesin e elektronikës së konsumit “Xiaomi” dhe platformën e ndarjes së stilit të jetesës “Xiaohongshu”.

 

Në Ningxia, gjithsej 18 qendra të dhënash në shkallë të gjerë po ofrojnë shërbime të ndryshme në një gamë të gjerë fushash, si arsimi, kujdesi shëndetësor, ruajtja ekologjike, siguria ushqimore dhe siguria e transportit për shumë rajone, duke mbuluar grupimet kryesore urbane si Pekini, rajoni Tianjin-Hebei, delta e lumit Yangtze dhe Zona e Madhe e Gjirit Guangdong-Hong Kong-Makao.

 

Foto nga VCG

Foto nga VCG

Gjatë Konferencës së Fuqisë Llogaritëse të Kinës 2023 të mbajtur në kryeqendrën e Ningxia-s, Yinchuan, javën e kaluar, u nënshkruan 36 marrëveshje bashkëpunimi strategjik, me një vlerë totale prej 157.1 miliardë juanë (rreth 21.82 miliardë dollarë amerikanë) dhe u nënshkruan 45 kontrata projektesh investimi, me një vlerë totale prej 83.2 miliardë juanë.

 

Këto përpjekje pritet të lehtësojnë integrimin më të gjerë dhe më të thellë të industrive të të dhënave dhe fuqisë kompjuterike në fusha të ndryshme, duke krijuar teknologji të reja, modele të reja dhe formate të reja biznesi, tha Mai Yanzhou, nënkryetar i qeverisë rajonale të Ningxia.