Presidenti francez planifikon referendume për të kaluar ngërçin në Parlament
2023-08-25 10:36:21

Foto nga VCG

Presidenti francez, Emmanuel Macron, po shqyrton mbajtjen e një referendumi për të zhbllokuar situatën politike të shkaktuar nga një Parlament që i mungon shumica.

Në mbledhjen e qeverisë, Macron bëri të ditur se javën e ardhshme do të ketë bisedime me të gjithë liderët politikë, përfshirë edhe ata të opozitës, të cilat mund të çojnë në projektligje dypartiake, por edhe në referendume, përcjell “ATSH”.

Në fillim të këtij muaji, presidenti francez njoftoi iniciativën e madhe politike pas pushimeve verore, me synimin për të rinisur mandatin e tij të dytë dhe të fundit, i penguar nga mungesa e shumicës parlamentare, për çështje kyçe si emigracioni, siguria, puna, shërbimet publike apo edhe ekologjia.

Qeveria arriti të negociojë disa ligje të reja me mbështetjen e partive opozitare, por për reformën e pensioneve, masën kryesore të Macron, presidenti iu drejtua pushteteve ekzekutive emergjente, duke shkaktuar një valë protestash.

Që prej vitit 1958, presidenti francez ka përdorur referendumet nëntë herë.

Hera e fundit ishte në vitin 2005, ku presidenti i atëhershëm Jacques Chirac u bëri thirrje qytetarëve të shprehnin mendimin e tyre për Kushtetutën e re evropiane, por pësoi një disfatë të zhurmshme. (Irma)