Foto nga MPJ
Kina është shumë e pakënaqur me shitjen e planifikuar të armëve nga ShBA-ja rajonit të Tajvanit dhe u kërkon Shteteve të Bashkuara ta anulojnë menjëherë këtë vendim, tha të enjten zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme kineze.
Departamenti amerikan i Shtetit ka miratuar një shitje të mundshme prej 500 milionë dollarësh Tajvanit të sistemeve të kërkimit dhe gjurmimit me rreze infra të kuqe për avionët luftarakë F-16 dhe pajisjeve të tjera, sipas raporteve të medias.
Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme Wang Wenbin tha se shitja e armëve nga ShBA-ja rajonit të Tajvanit të Kinës shkel seriozisht parimin e "Një Kine" dhe pikat e tre komunikatave të përbashkëta kino-amerikane, veçanërisht të Komunikatës së 17 gushtit 1982. Shitja shkel gjithashtu ligjin ndërkombëtar dhe normat bazë të marrëdhënieve ndërkombëtare, dëmton sovranitetin dhe interesat e sigurisë të Kinës dhe rrezikon paqen dhe qëndrueshmërinë në të dy brigjet e ngushticës së Tajvanit.
"Ajo u dërgon një sinjal shumë të gabuar forcave separatiste që kërkojnë 'pavarësinë e Tajvanit'," theksoi Wang.
Tajvani është një pjesë e pandarë territoriale e Kinës, tha ai, duke shtuar se çështja e Tajvanit është thjesht një punë e brendshme e Kinës ku nuk lejohet ndërhyrja e huaj.
Pala kineze i kërkon palës amerikane të respektojë parimin e "Një Kine" dhe dispozitat e tre komunikatave të përbashkëta kino-amerikane, të anulojë menjëherë shitjen e planifikuar të armëve Tajvanit, të ndalojë shitjen e armëve Tajvanit e kontaktet ushtarake me këtë ishull dhe të mos ndjekë prirjen e rrezikshme të armatosjes së Tajvanit, duke minuar paqen dhe qëndrueshmërinë në të dy brigjet e ngushticës së Tajvanit, tha Wang.
Ai shtoi se Kina do të marrë masa të vendosura e të fuqishme për të mbrojtur sovranitetin kombëtar dhe integritetin territorial.
Edhe Zhu Fenglian, zëdhënës i Zyrës së Çështjeve të Tajvanit të Këshillit të Shtetit, shprehu të enjten kundërshtim të fortë ndaj shitjes së armëve dhe dënoi autoritetet e Partisë Demokratike Progresive (DPP) të Tajvanit për blerjen e armëve nga Shtetet e Bashkuara, duke thënë se kjo vetëm sa do t'i çojë banorët e Tajvanit në një situatë të pasigurt.