Modiarov Behzod u zgjua rreth orës 06:00 për t’u përgatitur për një ditë tjetër pune thellë në shkretëtirë. Dielli i gushtit kishte filluar të shkëlqente dhe qielli po kthjellohej gradualisht pasi kushtet ranore të natës së mëparshme ishin zhdukur.
foto/VCG
Duke u përballur me valët e të nxehtit, Behzod, operator në një fushë gazi natyror, dhe kolegët e tij, u drejtuan në stacionin e tyre të punës në shkretëtirën e madhe Karakum, që ndodhet në rajonin e Azisë Qendrore të Turkmenistanit, i njohur për rezervat e katërta më të mëdha të gazit natyror në botë.
Behzod vjen nga Turkmenistani dhe ndoqi shkollimin e tij universitar në Kinë. Pas përfundimit të studimeve, ai u kthye në atdheun e tij për të ndjekur një karrierë në industrinë e gazit natyror me projektin e gazit të lumit Amu Darya të Korporatës Kombëtare të Naftës të Kinës, projekti më i madh i gazit natyror jashtë vendit me një kapacitet maksimal prodhimi prej 41 milionë metra kub në ditë.
Procesi i rrjeteve të gazit dhe rrjedha e tyre është shumë e ndërlikuar. Gazi i saponxjerrë nga mbi 100 puse të shpërndara nëpër shkretëtirë kanalizohet përmes stacioneve grumbulluese përpara se të transportohet në fabrikën e përpunimit për një sërë procedurash thelbësore, duke përfshirë desulfurizimin, dekarbonizimin, dehidratimin dhe dehidrokarbonizimin.
Gazi arrin në zonën kufitare midis Turkmenistanit dhe Uzbekistanit, 10 km larg, dhe bashkohet në tubacionin e gazit natyror Kinë-Azia Qendrore, të operuar së bashku nga korporata e Kinës dhe partnerët lokalë.
Duke filluar nga stacioni i parë i kompresorit, gazi natyror në tubacion do të udhëtojë rreth 2000 km në drejtim të lindjes gjatë 84 orëve të ardhshme duke përshkuar shkretëtirat e egra dhe kullotat për të arritur në qytetin kufitar kinez të Horgos në Rajonin Autonom të Xinjiang Ujgur.
“Ka katër burime gazi për rrjetin e gazsjellësit. Dy burimet kryesore të gazit janë nga Turkmenistani, që përbëjnë tre të katërtat e totalit të marrjes. Përveç kësaj, ka burime gazi në Uzbekistan dhe Kazakistan”,- tha Zuo Dong, drejtor i zyrës së sipërmarrjes së përbashkët të tubacionit të gazit natyror Kinë-Kazakistan të kompanisë “Sino-Pipeline International”, duke shtuar se rrjeti i tubacioneve ka rritur shumë ndërlidhjen e infrastrukturës energjetike midis Kinës dhe vendeve të Azisë Qendrore.
Më 14 dhjetor 2009, krerët e shteteve të Kinës, Turkmenistanit, Uzbekistanit dhe Kazakistanit përuruan së bashku tubacionin e gazit natyror Kinë-Azia Qendrore. Duke qenë se një pjesë e rrjetit të gazsjellësit shkon paralel me Rrugën e lashtë të Mëndafshit, tubacioni është konsideruar si Rruga e Re e Mëndafshit e Energjisë.
Në Horgos, gazi kompresohet përsëri përpara se të përcillet më tej në brendësi të tokës. Këtu mund të përpunohen çdo ditë deri në 160 milionë metra kub gaz. E thënë thjesht, 300 metër kub gaz, mjaftueshëm për të plotësuar nevojat e një familjeje me tre persona për një vit, rrjedhin në Horgos sa hap e mbyll sytë.
Nga Horgos, gazi nga Azia Qendrore lidhet me Gazsjellësin e Kinës Perëndim-Lindje, i cili e çon gazin më tej në rajone të ndryshme kineze, duke përfshirë Shangain, Fuzhou dhe Hong Kongun.
Të dhënat treguan se në vitin 2022, stacioni Horgos dërgoi rreth 43 miliardë metra kub gaz natyror të Azisë Qendrore nëpërmjet tubacionit, duke përbërë 11.8 për qind të konsumit të Kinës në të njëjtin vit.
foto/VCG
Fu Mingfu, zëvendësmenaxheri i përgjithshëm i “West Pipeline Company” nën Korporatën e Rrjetit të Naftës dhe Gazit të Kinës (PipeChina), tha se deri më tani janë dorëzuar më shumë se 440 miliardë metra kub gaz natyror nga Azia Qendrore, duke përfituar rreth 500 milionë njerëz në Kinë.
Nëpërmjet bashkëpunimit në sektorin e gazit natyror me Kinën, vendet e Azisë Qendrore janë integruar edhe në tregun e madh të energjisë. Në Turkmenistan, 14 dhjetori është caktuar si Dita e Punëtorëve të Industrisë së Naftës dhe Gazit, pasi kjo datë shënon inaugurimin zyrtar të tubacionit.
“Në Kazakistan dhe Uzbekistan kemi krijuar më shumë se 11.000 pozicione të përkohshme dhe kemi ofruar mbi 1600 vende pune afatgjatë. Gjatë periudhës 30-vjeçare operacionale të gazsjellësit pritet gjithashtu të gjenerohen dhjetëra miliarda dollarë në të ardhura tatimore”,- tha Meng Xiangdong, drejtor ekzekutiv i “Sino-Pipeline International Company”.
Aktualisht, rrjeti i tubacioneve të gazit natyror Kinë-Azia Qendrore ka tre linja në funksionim, përkatësisht Linjat A, B dhe C, ndërsa Linja D është në ndërtim e sipër.
Gjatë Samitit Kinë-Azia Qendrore të mbajtur në maj të këtij viti, Kina propozoi krijimin e një partneriteti për zhvillimin e energjisë Kinë-Azinë Qendrore, përshpejtimin e ndërtimit të linjës D të tubacionit të gazit natyror Kinë-Azinë Qendrore, rritjen e tregtisë së naftës dhe gazit, bashkëpunimin në sektorin e energjisë në të gjithë zinxhirin industrial dhe nxitjen e bashkëpunimit në energjinë e re dhe për përdorimin paqësor të energjisë bërthamore.
foto/VCG
Rruga e Re e Mëndafshit e Energjisë ka rëndësi më të madhe sesa thjesht një linjë transmetimi energjie. Së fundmi, djemtë binjakë të Chen Kuan festuan ditëlindjen e tyre të 5-të. Fëmijët janë quajtur Yi Dai dhe Yi Lu, përkatësisht “Një brez” dhe “Një rrugë”.
Chen Kuan është një punonjës i ndërmarrjes së përbashkët të tubacionit të gazit natyror Kinë-Uzbekistan. Ai punonte si kuzhinier me ndërmarrjen e përbashkët, ku fati ndërhyri duke e sjellë së bashku me Agafya, e cila ishte punonjëse në një stacion kompresori gazi. Kjo kthesë e fatit çoi në historinë e tyre të thellë dhe të qëndrueshme të dashurisë.
Sipas fjalëve të Chen, tubacioni jo vetëm që lidhi Kinën dhe vendet e Azisë Qendrore përmes një sistemi furnizimi me energji, por gjithashtu i dha atij mundësinë për të takuar gruan e tij, Agafya.
“Miqësia mes Kinës dhe njerëzve të vendeve përgjatë rrugës po forcohet gjithnjë e më shumë”,- tha Kairat Ospankulov, zëvendësmenaxheri i përgjithshëm, përgjegjës për ndërtimin e gazsjellësit Kinë-Kazakistan.