Ekonomia shqiptare në gjysmën e dytë të vitit 2023
2023-08-25 11:33:28

Rritje e sektorit të ndërtimit (Foto Telegraf)

Rritje e sektorit të ndërtimit (Foto Telegraf)

 

Pas një nisjeje të vështirë, me inflacionin e lartë të muajve të parë të vitit, i cili, sipas INSTAT, ishte në janar 2023 në nivelin 7.2 përqind dhe në shkurt në nivelin 7.1 përqind, ekonomia e Shqipërisë arriti të stabilizohet në rritjen e saj gjatë dy tremujorëve të parë, duke e ulur inflacionin në një nivel gati të kontrollueshëm, prej 4.5 përqind në qershor 2023.

Me ndërtimin që u rrit si vëllim në shifra dyshifrore për periudhën janar-qershor 2023 dhe me turizmin, i cili, sipas të dhënave nga Ministria e Turizmit, vetëm për muajin korrik 2023, rregjistroi 1.7 milionë vizitorë të huaj që zgjodhë të vizitojnë Shqipërinë, shenjat janë për një rritje të qëndrueshme ekonomike gjatë gjithë vitit. Shifra e korrikut 2023 për turizmin është 26 përqind më shumë, krahasuar me korrikun e një viti më parë. Që nga fillimi i këtij viti, kemi pritur 5.1 milionë vizitorë të huaj, ose 31 përqind  më shumë se periudha janar-korrik 2022.

Turizmi dhe ndërtimi duken dy motorrët që po e shtyjnë “me gaz të plotë” ekonominë tonë drejt një rritjeje të qëndrueshme edhe për gjysmën e dytë të vitit, ndërkohë që eksportet e produkteve bujqësore po ashtu shënuan rritje dyshifrore për gjashtë muajt e parë të këtij viti.

Lajmi i ditëve të fundit i zbulimit të një fushe naftëmbajtëse në Shpirag të Beratit, shton më shumë optimizmin për një gjysëm viti të dytë pozitiv për ekonominë e Shqipërisë.

 

Igli Zepishta në intervistë për CMG

Igli Zepishta në intervistë për CMG

CMG: Z. Zepishta, çfarë do të thotë për ekonominë tonë 1.7 milionë vizitorë të huaj vetëm në korrik 2023(me një mesatare ditore 57 mijë vizitorë), ose një të katërtën më shumë se korriku 2022? Sipas INSTAT, turizmi, pa sektorët mbështetës dhe pa pjesën informale, jep 18 përqind të GDP-së.

 

Igli Zepishta: Këto janë të dhëna të INSTAT. Se sa ndikojnë këto në ekonomi, duhet një analizë më e thellë, shifra më të thella. Por le të ngelemi tek turizmi. Ai sivjet për Shqipërinë përbën një bum, normalisht.

Ne jemi të kënaqur që vendi ynë po zhvillohet, ka këto ritme. Turizmi pa dyshim duhej të ishte në pararojë dhe tani duket se ka filluar të marrë pjesën eskluzive të rritjes, të zhvillimit të Shqipërisë.

Kjo, për arësye se ai, si atraksion dhe si aktivitet, ka një pjesë shumë të madhe prapavijë, e cila e furnizon me të gjitha elementët që ka nevojë turizmi. Them që shifra 18 përqind është e paplotë, pasi kërkon një analizë të thelluar.

Më tepër, ne na intereson sa është pjesa që e mbështet turizmin. Kjo pjesë ka nevojë për politika të tjera të qeverisë, që përveç turizmit të mirëfilltë të hyrje-daljeve, të mbështetet me politika, që përfitimi në ekonomi të jetë akoma dhe më i madh.

Këto politika kanë të bëjnë, pikë së pari, me nxitjen e prodhimit vendas, që ta furnizojë industrinë e turizmit. Ne akoma lëmë për të dëshiruar, pasi një pjesë shumë e madhe e mbështetjes agroushqimore për turizmin vjen përmes importit. Pjesa mbështetëse, sidomos për turizmin, duhet të ketë përparësinë, për kontributin që ajo i jep kësaj industrie.   

 CMG: Si mund të ulet informaliteti në turizëm? Ai është i lartë, pasi janë me dhjetëra mijëra dhoma që jepen me qera dhe nuk figurojnë të rregjistruara në aktivitetin “bed&breakfast(qëndrimi një natë dhe mëngjezi)”. 

Igli Zepishta: Kjo më kujton një situatë të ngjashme në Itali përpara pak kohësh, kur u ngritën grupet e interesit, të cilët janë grupet hoteliere, etj. Kërkonin një kontroll më të fortë ndaj shtëpive që jepeshin me qera. Kjo është detyrë e shtetit dhe mënyrën se si ai do ta kontrollojë këtë aktivitet. Aktivitetet e akomodimin përtej hotele janë të kontrollueshme, pasi vijnë përmes dy platformave online “b&b” dhe “booking”.

Ne kemi fronte të tjera ku duhet të fokusohemi, për të rritur efi­çiencën fiskale dhe të ekonomisë. Sigurisht që kontrolli duhet të jetë edhe në këtë front, pasi një hotel i madh që ka bërë investime me qindra mijëra euro, kërkon një konkurrencë më të ndershme. Pa dyshim që kjo konkurrencë, si është sot, e pengon.

Megjithatë, jemi në fazën ku Shqipëria nuk ka kapacitetin e duhur akomodues, sa të përballojë një fluks të madh turistik. Hotelet, po t’i shohim sot, janë në nivelet e tyre maksimale të kapacitetit. Nuk ka dhoma të lira. Dhe ato akoma nuk e ndjejnë nevojën e konkurrencës së ndershme.

Por shumë shpejt do të vijë koha që ato do ta ndjejnë nevojën e konkurrencës së ndershme dhe detyra e shtetit aty është e madhe.    

Parashikimi i BSH për ekonominë (Foto BSH)

Parashikimi i BSH për ekonominë (Foto BSH)

CMG: Si mund të ndihmohen eksportuesit tanë, në gjykimin tuaj, nga niveli shumë i ulët i këmbimit të euros me lekun? A ka masa që ende nuk janë ndërmarrë?

Igli Zepishta: Pjesa më e padëshërueshme gjatë këtij zhvillimi turistik, është pjesa e zhvlerësimit të euros. Në gjykimin tim, banka qendrore duhej të kishte marrë masa më të mjaftueshme, për ta mbajtur euron në kontroll në tregun tonë të brendshem.

Tregu i lirë i këmbimit sigurisht që do të bëjë të vetën, por banka qendrore duhej të ndërhynte në momentet e duhura, për ta mbajtur në pozicion më të fortë euron karshi lekut. Mosmarrja e masave të duhura dëmtoi një pjesë të ekonomisë, që element kryesor ka eksportin.

Shumë biznese po hasin vështirësi të mëdha, për të perballuar këtë kosto të lartë të shvlerësimit të euros tek ne. Disa prej tyre nuk kanë arritur as t’i mbyllin detyrimet për pagat e punonjësve të tyre. Presim fundin e sezonit veror, për të parë një reflektim rritës në kursin e këmbimit të euros me lekun.

Sigurisht nuk do të shkojë më në nivelin 120 lekë një euro, por do të vendoset një nivel më i pranueshëm, që edhe kjo pjesë e ekonomisë që punon me kursin e euros të mos ndjejë më vështirësi shumë të mëdha. Po ashtu edhe për atë pjesë të popullsisë që varet nga dërgesat e emigrantëve, pra nga remitancat. 

Saranda (Foto ATSH)

Saranda (Foto ATSH)

CMG: Sa mbështetëse është për sektorët prodhues politika jonë fiskale dhe ajo e subvencioneve?

Igli Zepishta: Ne nuk shquhemi për ndihma fiskale me subvencione për bizneset. Gjatë gjithë kësaj kohe subvencionet dhe ndihmat fiskale kanë qenë minimale. Ato tani, në vitet në vazhdim po fillojnë dhe po rriten dhe kjo është një gjë e mirë.

Po futen disa lloje fashash dhe disa lloje tatimesh, të cilat deri tani nuk kane qenë. Ato po rriten për një pjesë të bizneseve. Megjithatë, një pjesë e bizneseve kanë shumë nevojë për subvencione, siç janë bujqësia dhe eksportet. Një nga lehtësirat ishte shtyrja e pagesës së sigurimeve shoqërore e shëndetësore për eksportuesit. Kjo nuk është ndihmë. Është thjesht një shtyrje.

Duhet bërë një studim, ku të përcaktohet sa varësi ka ekonomia shqiptare nga eskporti dhe a është vendi i interesuar që një pjesë të punëtorëve të këtij sektori t’i mbajë në punë këtu?

Një program subvencioni është i tillë ku, për shembull Shteti subvencionon 20 përqind të pagës dhe 50 përqind të sigurimeve shoqërore. Nuk po them me shifra të sakta, por kjo politikë dhe ndërhyrje kërkon një studim të thelluar, që të ndihmohen konkretisht sektorët më të rëndësishëm të eksporteve tona.     

Edhe bujqësia jonë ka shumë nevojë për përmirësime. Jo vetëm me projektet IPARD të Bashkimit Evropian, por edhe për produktet e veçanta dhe për fermerët në përgjithësi.

CMG: Inflacioni për muajin korrik ishte sërisht në ulje, me 4.2 përqind. A do të vijojë ai zbritjen e tij? Sa e ndihmon ekonominë tonë ky nivel më i ulur inflacioni, duke patur parasysh se një vit më parë, inflacioni në korrik 2022 ishte 7.5 përqind?

Igli Zepishta: Mendoj që ne kemi kemi akoma probleme me nivelin e inflacionit. Dimri kur të afrohet dhe vështirësitë me sigurimin e energjisë elektrike me kosto të ulët, mund të rrisin sërisht nivelin e inflacionit.

Thatësira që po kalojmë ka zbrazur nivelet e hidrocentraleve dhe dimri do të ketë efektin e vet. Po ashtu mund të hasim probleme me çmimet e karburanteve. Ndërsa pjesa tjetër e çmimeve të produkteve gjykoj se do të ketë stabilitet.    

 

Rrotja e turizmit 2023 (Foto Lapsi.al)

Rrotja e turizmit 2023 (Foto Lapsi.al)

CMG: Një parashikim tuajin, ju lutem, për rritjen ekonomike gjatë gjysmës së dytë të këtij viti. Do të jetë ajo më e lartë se sa në gjysmën e parë? Qeveria për të gjithë vitin e ka objektivin 3.5 përqind rritje. Është objektiv i realizueshëm?

 

Igli Zepishta: Po. Është i realizueshëm, nëse ecet me këto ritme. Besoj se rritja ekonomike për këtë vit do të jetë në këto shifra. Ne duhet t’i ruhemi vështirësive në tregjet ndërkombëtare, pse me një krizë të re energjie, apo të çmimeve të karburanteve, kjo do të fillonte të ndjehej menjëherë në ekonominë tonë. Ne jemi një treg i vogël. Por, duke gjykuar nga situata e mirë që po kalojmë deri tani, besoj se rritja ekonomike me 3.5 përqind do të jetë një rritje normale.Ne duam që kjo rritje të përkthehet në lehtësira dhe në mundësira më shumë për qytetarët.

CMG: Kjo është shumë e vërtetë.

Igli Zepishta: Qytetarëve nuk u interesojnë shumë shifrat dhe statistikat. Qytetari është i interesuar sa lehtësira ekonomike do të ketë dhe sa do të rritet ekonomikisht xhepi i tij. Kjo është më e rëndësishmja dhe për këtë duhet punuar fort. Qeveria po bën përpjekje. Do të ndërhyjë në shtator për të rritur pensionet. Do të ketë ndërhyje edhe për pagat.

 

Intervistoi Fatos Çoçoli