Qeveria gjermane lehtëson procedurat për marrjen e nënshtetësisë
2023-08-25 17:20:35

Foto nga VCG

Qeveria federale gjermane do të lehtësojë rregullat për marrjen e nënshtetësisë, si dhe do të thjeshtojë ndryshimin e gjinisë dhe emrit në pasaportë.

Me reformën e ligjit të marrjes së shtetësisë, qeveria federale dëshiron të shkurtojë periudhën e pritjes përpara marrjes së nënshtetësisë, shkruan “Panorama”.

Në të ardhmen, kjo do të jetë e mundur vetëm pas pesë vitesh, krahasuar me tetë vjet që janë aktualisht. Shtetësia e dyfishtë do të jetë gjithashtu e mundur.

Deri tani, në parim, duhet të heqësh dorë nga shtetësia që ke përpara se të marrësh nënshtetësinë gjermane.

Marrja e nënshtetësisë gjermane është e përjashtuar shprehimisht për personat që kanë kryer vepra penale për motive antisemite ose raciste.

Njerëzit që kanë shkuar në Gjermani në vitet 1970 si punëtorë mysafirë ose në RDGJ deri në vitin 1990 si punëtorë me kontratë do t’u nënshtrohen kërkesave më të ulëta gjuhësore. Atyre gjithashtu nuk do t’u duhet të kalojnë një test për marrjen e shtetësisë.

Kabineti federal gjerman gjithashtu dëshiron të zbatojë të ashtuquajturin ligj të vetëvendosjes. Në të ardhmen, të gjithë në Gjermani do të mund të përcaktojnë vetë gjininë dhe emrin e tyre dhe t’i ndryshojnë ato përmes një procedure të thjeshtë në zyrën e gjendjes civile.

Sipas Ministrisë së Familjes dhe Drejtësisë, ligji u drejtohet personave transgjinorë, ndërgjinorë dhe jobinarë. (Irma)