Julio Imeri the voice of greece ( foto shqiptarja.com)
Julio Imeri është i njohur në rrjetet sociale për coverat e tij dhe performancat e një këngëtari që interpreton në rrugë, që ndërkombëtarisht njihet si “Street Artist”. Këngëtari rrëfeu për Radio Ejani, se puna me të cilën ai jeton janë performancat për publikun në rrugë, të njohura ndryshe si “Street Art” .
Sipas tij, kënaqësia më e madhe për një artist është që të jetojë me artin e tij pranë publikut. Pas debutimit në “The Voice of Greece” media të ndryshme në Shqipëri dhe jo vetëm i kanë bërë jehonë zërit të tij . Disa nga këngët e Julios, ndër të cilat “Ishim gjithçka”, “Arsye” e të tjera kanë marrë mijëra klikime në mediat sociale.
Julio Imeri artisti i muzikes se lehte ( foto personale)
CMG: Julio kur ka nisur pasioni për të kënduar, që ndryshe nga këngëtaret e tjerë ti e ke nisur në rrugë?
Julio Imeri: Ka nisur si një dëshirë e imja për të bërë diçka ndryshe. Nuk e prisja që te kisha këtë popullaritet dhe përkrahje nga ana e publikut, por kur e pashë që edhe ata e donin atë që unë po bëja vendosa që të përkushtohem më tepër. Unë e kam nisur duke bërë kompozime në kompjuter fillimisht dhe më pas ato i prezantoja për publikun .
CMG: Kur ke kënduar në rrugë a je ndjerë ndopak i paragjykuar?
Julio Imeri: Jo, nuk e kam ndjerë këtë gjë . Ekziston si paragjykim por unë nuk e kam ndjerë pasi vokali dhe çdo gjë e imja është profesionale. Nuk e kam ndjerë këtë gjë as në Shqipëri dhe as në Greqi në shtetin ku unë tashmë jetoj prej vitesh.
Julio Imeri artisti i muzikes se lehte ( foto personale)
CMG: A mund të ndani me ne ndonjë nga eksperiencat tuaja me persona që janë ndalur në rrugë për të dëgjuar muzikën tuaj ?
Julio Imeri: Po do tregoj një eksperiencë të freskët e cila ndodhi dje. Unë isha pozicionuar në qendër të Athinës, aty po këndoja muzikë siç në fakt e bëj gjithmonë fillimisht për qejfin tim, më pas për publikun. Mirëpo, audienca e cila po na ndiqte e ktheu performancën time si një koncert. Ata qëndruan përpara meje përreth një orë dhe teksa unë këndoja ata me fotografonin dhe më dhanë një vëmendje, e cila mua më bën të ndihem me fat për veten.
CMG: Një shqiptar i cili mahniti jurinë e "The Voice of Greece" si u ndjeve për këtë gjë ?
Julio Imeri: I lumtur dhe vlerësuar tepër. Nuk e prisja që të arrija aq lart dhe që juria të kishte atë përshtypje për mua . Kjo më dha shtysën që unë të mendoja veten në një tjetër nivel të karrierës sime. Gjeta një besim të madh aty, i cili më ndihmoi në gjithë hapat e mia më pas.
Julio Imeri artisti i muzikes se lehte ( foto personale)
CMG: Cila është këshilla më e mirë që këngëtarët e mirënjohur të dhanë me atë juri ?
Julio Imeri: Një nga këshillat që më dhanë atje dhe që unë do ta mbaj mend gjatë është "Shëmtohu kur këndon, e rëndësishme është zëri të dalë bukur ". Pra, qëllimi duhet të jetë gjithmonë sa cilësisht dukemi, jo sa bukur .
CMG: Cila është fitorja juaj më e madhe e të kënduarit në rrugë ?
Julio Imeri: Fitorja ime më e madhe është që kam njohur të dashurën time. Unë atë e kam njohur duke kënduar në rrugë. Ajo ndaloi për të më dëgjuar mua dhe kështu u njohëm. Më pas fitore do të cilësoja absolutisht publikun tim të dashur, i cili më dëgjon në çdo performancë. Njerëzit e panjohur, të cilët më japin dashuri dhe motivim për gjithçka që unë publikoj si këngë timen të radhës dhe mbi të gjitha familjen e cila besoi tek unë .
Julio Imeri artisti i muzikes se lehte ( foto personale)
CMG: A jeni duke punuar me projekte që lidhen me publikim e këngëve të reja?
Julio Imeri: Po jam duke punuar për një album, i cili në shtator do të jetë gati për t’u publikuar dhe për të qenë më pranë publikut shqiptar. Po punoj çdo ditë intensivisht dhe jam i lumtur për këngët, të cilat do të flasin "shqip".
Intervistoi : Megi Latifi