Gramshi (Foto nga facebook)
Muaji gusht i këtij viti ka qenë i mbushur me larmi aktivitetesh dhe koncertesh të ndryshme. Nga 17-20 gusht për katër ditë me rradhë u zhvillua “Gusht e n’Fest” në Gramsh, një mënyrë e mirë kjo për të promovuar atraksionet kryesore turistike të zonës si kanionin e Holtës, liqenin e Banjës, liqenin e Dushkut etj. Kjo festë i risolli ngjyra banorëve të Gramshit, por një mënyrë e mirë që ky vend me një natyrë të bukur të mund të vizitohet edhe nga turistët e huaj. Në çeljen e këtij eventi ishte i pranishëm dhe Presidenti i Republikës Bajram Begaj bashkë me Zonjën e Parë Armanda.
Presidenti Begaj në vizitën e tij në Gramsh (Foto nga facebooku i Kryetarit te Bashkisë)
Festa, e cila mblodhi qinda qytetarë u organizua nga bashkia dhe u sponsorizua nga Birra Korça. Kryebashkiaku i Gramshit Besian Ajazi, në fjalën e tij u ndal në pikat turistike që ka kjo bashki, të cilat priten të jenë një nga arsyet e zhvillimit të kësaj zone. Ndërsa Presidenti Begaj theksoi se “Gusht e n’festë është një rast shumë i mirë për të shijuar natyrën, bukuritë e dhëna nga Zoti dhe ato nga dora e gramshiotëve. Sipas tij është një tribut i çmuar ndaj vlerave njerëzore”. Gjithashtu ai përgëzoi autoritetet dhe biznesin për organizimin e këtij aktiviteti me shumë vlera.
“Dua së bashku me ju ta përcjell këtë festë në çdo familje shqiptare”, tha Begaj, duke theksuar promovimin e traditave gramshiote. Duke vlerësuar panairin, Presidenti Begaj u shpreh për mediat: “Jemi sot këtu gjithashtu në këtë nismë kaq interesante të Bashkisë së Gramshit për të promovuar zejet dhe punimet artizane te zonjave duararta gramshiote. Për ne, mbështetja e trashëgimisë kulturore nënkupton promovimin dhe vënien në dukje të rëndësisë së saj”.
Kryetari i Bashkisë Gramsh Ajazi dhe Presidenti Begaj (Foto nga facebooku i Kryetarit te Bashkisë)
Për Kreun e Shtetit është e rëndësishme jo vetëm njohja e traditës kulinare, agroturistike apo kulturore, por edhe ruajtja, vlerësimi dhe nxitja që ajo të mos humbasë dhe të përcillet te brezat e rinj.
Promovimi i produkteve vendase, kulinarisë së zones, por edhe artizantit ishte po ashtu në fokusin e këtij aktiviteti. Presidenti Begaj dhe kryebashkiaku vizituan stendat e ekspozuara, duke nisur nga pikturat, panairi, e kulinaria.
Foto nga facebook
Birra Korça sponsori i këtij eventi, shoqëroi për 4 netë me rradhë argëtimin për vizitorët dhe qytetarët e Gramshit. Pjesëmarrës në këtë festë ishin emra të njohur të muzikës shqiptare si, Soni Malaj e cila dhuroi një performancë fantastike bashkë me grupin e baletit, këngëtaret Era Rusi, Eranda Libohova, etj.
“Gusht N’Fest” është një festë që i shtohet Gramshit, duke sjellë gjallëri në qytet me atmosferën e krijuar dhe koncertet e realizuara duke shndërruar Gramshin në qytet plot jetë e gjallëri. Kjo shërben dhe si një ftesë për të gjithë turistët të cilët tashmë do të kenë mundësi të njihen më shumë me destinacionet turistike që ka bashkia e Gramshit.
(Foto nga facebooku)
Rrethi i Gramshit ndodhet në pjesën qëndrore dhe jugore të Shqipërisë. Ky rreth numëron rreth 42616 banorë. Sipas ndarjes klimatike bën pjesë në zonën klimatike mesdhetare kodrinore nënzona jugperëndimore që shtrihet deri në 800-1000m mbi nivelin e detit. Në këtë rreth gjenden edhe burime të pastra të ujit të pijshëm me rezerva të mëdha, siç janë ujrat Sotires e Kërpicës,ku prej këtij burimi furnizohet me ujë të pijshëm qyteti i Gramshit. Njihen gjithashtu burime ujrash Kurative si në Kërpicë, Liqeni i Zi, dhe Holtë të cilat nëpërmjet investimeve mund të përdoren për kurimin e reumatizmës. Kanionet e Holtës janë një nga destinacionet mjaft të frekuentuara nga turistë vendas dhe të huaj. Rrethi i Gramshit bën pjesë në prefekturën e Elbasanit. Ai kufizohet nga shtatë rrethe të tjera të cilat janë; Elbasani, Librazhdi, Pogradeci, Korça, Skrapari, Berati dhe Kuçova, dhe ka një sipërfaqe prej 695 km2. Shtrihet në pjesën juglindore të Shqipërisë dhe mund të shkohet me çdo lloj mjeti me anë të rrugës së asfaltuar Elbasan-Cërrik-Gramsh.
Sava Lena