Festa e Birrës, festa më e madhe verore në Shqipëri
2023-08-24 10:34:08

Javën që lamë pas qyteti i Korçës gumëzhinte nga vizitorë të shumtë të cilët zgjodhën që ditët e nxehta të gushtit t’i kalonin aty. Nga 16-20 gusht Korça priti vizitorë nga i gjithë vendi, por edhe emigrantë që i bashkohen “Festës së Birrës”, një  promovues mjaft i mirë  për turizmin, jo vetëm për qytetin, por për gjithë rajonin e Korçës. Fundjavën që shkoi vendosa që të qëndroja edhe unë në Festën e Birrës në Korçë, për të ndjekur në natën e Nostalgjisë, muzikën e viteve 90’ e cila erdhi e interpretuar nga artistët La Bouche dhe No Mercy, të cilët ishin të ftuar për të performuar atë natë. Ishte një nga netët më emocionuese, teksa shihje grupmoshat që e kanë ndjekur, i kanë pasur të preferuar në vitet ’90-të kur këto grupe kanë qenë në kulmin e suksesit të tyre. Tashmë Festa e Birrës është kthyer në një nga eventet më popullore të stinës së verës, ku publiku shijoi për 5 netë me radhë muzikë me këngëtarët Elvana Gjata, Eugent Bushpepa, Endri e Stefi Prifti, Ylli Limani, por dhe emrave të njohur të muzikës botërore si grupet  “No Mercy”, “La Bouche”,  yjet e muzikës greke Despina Vandi, Keti Garbi etj.

Atmosfera në Korçë (Bashkia Korçë)

Atmosfera në Korçë (Bashkia Korçë)

Biletat u rezervuan jo vetëm nga publiku shqiptar, po edhe ai i huaj, të cilët patën mundësinë jo vetëm të vizitonin  Shqipërinë, por dhe të shijonin koncertin me artistët e preferuar.  Festa e Birrës në vitin e saj të 17-të është kthyer në një nga festat më të mëdha verore në Shqipëri.

Edicioni i parë i Festës së Birrës startoi në Korçë në vitin 2007, pra 17 vjet më parë. Festa e Birrës nisi si koncept i një produkti turistik, një mënyrë për të tërhequr vizitorët vendas dhe të huaj në qytetin e Korçës. Si fillim nisi  të mbahej nga Parku Rinia dhe përpara Pallatit të Sportit . Tashmë Festa e Birrës në Korçë vijon rrugëtimin e suksesshëm, me programet e pasura artistike, me të ftuar artistët më të mirë  shqiptarë e të huaj, duke shtuar numrin e turistëve e duke 100 fishuar tashmë numri e rezervimeve të hoteleve jo vetëm në Korçë, por në të gjithë rajonin. Për të na treguar më tepër rreth kësaj tradite 17- vjeçare të Festës së Birrës, realizuam një intervistë për Radio Ejani me nënkryetaren e Bashkisë së Korçës, Benila Terova, njëkohësisht menaxhere e Festës së Birrës, që në fillesat e saj.

Zv Kryetare e Bashkisë, Benila Terova

Zv Kryetare e Bashkisë, Benila Terova

CMG: Si nisi kjo festë, duke u kthyer sot në traditë?

Benila Terova: Edicioni i parë i Festës së Birrës në Korçë nisi në vitin 2007, pra 17-të vjet më parë. Festa  e Birrës lindi si një koncept i një produkti turistik, si një magnet për ti tërhequr vizitorët vendas dhe të huaj në territorin e Bashkisë së Korçës. Kam qenë pjesë e stafit të Bashkisë që në ato vite dhe vërenim që vizitorët kryesisht nga Tirana, mbërinin deri në Pogradec për të shijuar peshkun e liqenit dhe ktheheshin në Tiranë. Korça në atë kohë kishte një hotel të madh dhe një apo dy bujtina. Edhe pse Korça është po e njëjta, me të njëjtën kulturë e traditë, bukuri natyrore jo vetëm në qytet, por edhe në rrethina, nuk ishte një destinacion i vizituar.

Festa e Birrës ka qenë sinjali dhe magneti i parë i tërheqjes së vizitorëve vendas kryesisht. Festa u mirëprit nga banorët dhe nga bizneset  lokale të cilët në ditët e festës patën një shtim të xhiros. Sot 17 vite të kësaj feste jemi në një realitet të ri, numri i hoteleve në Korçë është më shumë sesa njëqind fishuar, e jo vetëm falë Festës së Birrës, por edhe falë një qasje që ne patëm të një turizmi shumë të veçantë, turizmit të eventeve.

Festa e Birrës Korçë 2023 (Foto për CMG)

Festa e Birrës Korçë 2023 (Foto për CMG)

Me sloganin, “Korça, qyteti i festave”, bashkia hartoi një paketë të tërë eventesh shumë të mëdha kombëtare dhe një pjesë e tyre edhe ndërkombëtare, të cilat të paqyruara në një kalendar, u bënë magnet i tërheqjes së mijëra vizitorëve në Korçë. Festa ka arritur një rritje të madhe nga viti në vit, jo vetëm të numrit të pjesëmarrësve, por edhe parametrave të cilësisë,  jo vetëm në mënyrën e shërbimit, por edhe të programit muzikor që shoqëron festën.

Në 17-të vite histori, festa e Birrës ka patur emrat më të njohur të muzikës shqiptare, kosovare, por edhe shumë emra të huaj. Kujtoj që i ftuar disa vite më parë ka qenë edhe kitaristi i Guns N’Roses, Ron i cili ka interpretuar me artistin shqiptar  Eugent Bushpepa, duke shënuar një kulminacion. Më pas  ne kemi tentuar me artistë të huaj, sidomos këto vitet e fundit, sepse përveç tërheqjes së vizitorëve vendas  tashmë synimi i festës në bashki është ndërkombëtarizimi i vizitorëve, pra tërheqja e vizitorëve edhe nga vende të tjera të botës. Në vitin 2011 Festa e Birrës në Korçë ka merituar nga Ministria e Turizmit, çmimin “Produkti më i mirë turistik”.

Festa e Birrës në Korçë 2023 (Foto  për CMG)

Festa e Birrës në Korçë 2023 (Foto  për CMG)

CMG:  Cilat janë risitë e këtij viti?

Benila Terova: Risia këtë vit në Festën e Birrës ka qenë pjesëmarrja e artistëve të huaj ndërkombëtarë. Ndëkohë që dy vite më parë ne kemi patur artistin e madh të Ballkanit Goran Bregovic, vitin e kaluar kemi patur Konstantinos Argiros, këtë vit në skenë u ngjitën dy këngëtarë grekë Keti Garbi me djalin e saj, si dhe Despina Vandi një nga emrat më të mëdhenj të muzikës greke, si edhe për herë të parë në Korçë, por edhe në Shqipëri ishte grupi i mirënjohur i viteve ’90-të, No Mercy. Gjithashtu pati një rikthim për herë të dytë në Shqipëri, por për herë të parë në Korçë grupi i famshëm La Bouche. Përveç tyre kulmuan edhe emra të njohur të muzikës shqiptare, duke e bërë programin muzikor të shkëlqyer. Këtë vit të gjithë pjesëmarrësit e festës kanë patur mundësi që të pararezervonin tavolinën e tyre në të pesta netët e festës dhe gjithçka që ata kanë paguar për rezervimin e tavolinës, u ka shkuar në konsum ushqime e birra për tetë pjesëtarët e tavolinës, pasi rezervimi bëhej për tetë persona. Ne kemi tentuar për bileta për këngëtarët vip dhe të huaj, ku kanë qenë me biletë tre netë të festë,s për shkak se në të treja netët ne kishin këngëtarë të huaj. Kjo ka ardhur për arsye se kostot e larta të artistëve të huaj e kanë bërë që bileta të jetë e detyruar, sepse kontributi financiar i bashkisë, i sponsorve dhe bizneseve pjesëmarrëse, është e pamundur që të mbulojnë pjesëmarrjen e  emrave kaq të njohur ndërkombëtarë.

Publiku në Festën e Birrës (Bashkia Korçë)

Publiku në Festën e Birrës (Bashkia Korçë)

CMG: Tashmë Festa e Birrës ka përfunduar, a keni filluar të mendoni për edicionin e ardhshëm?

Benila Terova: Pjesëmarrja e jashtëzakonshme, ku ishin me mijëra njerëz në të gjitha netët e festës, tregoi suksesin, tregoi që jemi në rrugën  e duhur. Ne jemi duke menduar formulën për vitin e ardhshëm sepse dhe pjesëmarrja dhe kërkesat kanë qenë shumë të mëdha,e Terminali nuk e nxë më Festën e  Birrës, por edhe qyteti nuk e nxë më. Kemi tentuar disa herë ta organizojmë festën qoftë pranë stadiumit, apo tek terminali, pra janë zona të banuara përreth, respekt edhe për ata qytetarë që rrethohen nga zhurmat, por edhe përmasat që Festa e Birrës ka marrë. Vitin e ardhshëm ne do të vijmë me një risi të madhe. Jemi duke ndërtuar polin e jugut pranë vaskave të peshkut, pranë fshatit Drenovë, që do të jetë zona më e madhe e koncerteve dhe e jetës së natës, eventeve, e padyshim dhe e Festës së Birrës. Do jetë një zonë që do të mbajë mijëra njerëz, do jetë një organizim i një formati tjetër, por unë premtoj si nënkryetare e Bashkisë dhe si një nga menaxheret e eventit, që Festa e Birrës e vitit të ardhshëm, do të jetë një tjetër standard përherë në rritje dhe gjithëpërfshirëve.

No Mercy në Festën e Birrës Korçë 2023 (Foto nga facebook)

No Mercy në Festën e Birrës Korçë 2023 (Foto nga facebook)

Ne po punojnë për rritjen e  cilësisë, vetëm për rritjen e numrit të vizitorëve dhe kryesisht për stimulimin e ekonomisë lokale. Mesa e kemi informacionin, hotelet kanë qenë të tejmbushura, baret, restorantet dhe gjithë qyteti ka qenë i tejmbushur, çka përkthehet në të ardhura për bizneset lokale të Korçës . Për ne, ky është suksesi, impakti ekonomik që Festa e Birrës ka në Korçë.

Me mikrofonin e Radio Ejani mblodhëm emocionet nga Festa e Birrës së korçares Oliona, Inës emigrante në Greqi, si dhe Evës nga Tirana, e cila e vizitoi këtë vit Festën e Birrës për të ndjekur grupin e saj të preferuar të viteve ’90-të, No Mercy.


Eva nga Tirana

CMG: Është hera e parë që vini në Festën e Birrës?

Eva: Festën e Birrës e kam frekuentuar çdo vit, por ky vit ishte më special për mua.

CMG: Përse ishte kaq special këtë vit?

Eva: Sepse këtë vit kam ardhur posaçërisht në Korçë që të ndjek grupin tim të preferuar që në kohën e adoleshencës, kanë qenë idhujt e mi “No Mercy”. U lumturova shumë kur mora vesh se ky grup do vinte për këtë eveniment, kështu që nuk doja ta humbja këtë rast për t’i ndjekur.

CMG: Çfarë ju pëlqeu më shumë këtë vit?

Eva: Çdo gjë ishte fantastike, atmosfera, muzika, ambjenti. Më pëlqeu shumë e shijova.

Oli nga Korça (Foto personale)

Oli nga Korça (Foto personale)

Oli nga Korça

CMG: Si e pritët këtë vit Festën e Birrës?

Oli: Festa e Birrës këtë vit ka qenë shumë emocionuese, kishte shumë artistë të ftuar, këngëtarë të muzikës greke, si edhe dy grupe shumë të famshëm të viteve ’90-të.

CMG: Çfarë ka patur ndyshe këtë vit dhe cila nga netët ju pëlqeu më tepër?

Oli: Më tepër më pëlqeu nata e dytë dhe nata e tretë, si edhe nata greke.

CMG: Si qytetare e Korçës, kur mendoni se ka qenë festa më e bukur në gjithë këto  vite?

Oli: Për mendimin tim festat më të bukura kanë qenë në ato fillime, kur festat bëheshin nga Parku Rinia, kanë qenë edhe më emocionuese. Mbaj mend kur ka ardhur dhe kitaristi i grupit Guns N’Roses,  Ron.

Ina emigrante ne Greqi (Foto personale)

Ina emigrante ne Greqi (Foto personale)

Ina emigrante në Greqi

CMG: Si  prite këtë vit Festën e Birrës dhe cila nga netët ju pëlqeu më tepër?

Ina: Vij çdo vit për të ndejkur Festën e Birrës. Nata më e bukur ishte kur këndoi këngëtarja Elvana Gjata.

CMG: Cili ka qenë viti më i bukur për ty?

Ina: Për mua më të bukura kanë qenë dy vitet e fundit që janë bërë këtu te Terminali.

Këtë vit kjo festë u organizua për të tretin vit rradhazi në Terminalin e Autobusëve. Qyteti i Korçës njihet si qyteti i kulturës, arsimit, serenatave, karnavaleve, etj. Kjo festë e ka shndërruar Korçën në një ndër vendet më të frekuentuara turistike në Shqipëri.  Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi dhe njëkohësisht drejtues poltik i PS në qarkun e Korçës, ka qenë një nga themeluesit e kësaj feste 17 vite më parë, por këtë vit ai ndau një status në rrjetet sociale: “Super atmosferë në natën e parë të “Festës së birrës” që startoi mbrëmë në Korçë! Mbi 10 mijë vizitorë ishin mysafirë të kësaj nate dhe disafish më shumë priten në 4 netët në vijim! Një ftesë për qytetarët të shijojnë muzikën dhe produktet tradicionale  të Korçës!”, ka shkruar Peleshi. Por tashmë prej 17 vjetësh, Festa e Birrës i ka dhënë edhe më shumë gjallëri këtij qyteti duke shtuar vit pas viti numrin e turistëve aty. Kjo traditë vazhdon rrugëtimin e vet me suksese gjithmonë e në rritje.

Intervistoi: Sava Lena