Nga projekti i Kinës për energjinë e erës në Afrikën Jugore përfiton komuniteti lokal
2023-08-24 15:07:11

Çdo mëngjes në orën 06:30, në De Aar, një qytet i vogël më shumë se 750 km në verilindje të Kejp Taun, kryeqyteti legjislativ i Afrikës së Jugut, Deswin Basson qëndron në derën e shtëpisë së tij, duke pritur që kolegët të vijnë ta marrin për ta çuar në punë në një nënstacion më shumë se 20 km larg. Edhe pse zgjimi kaq herët nuk është gjithmonë argëtues, 27-vjeçari vendas është çdo ditë plot entuziazëm. Deswin punon në nënstacionin e projektit “Wind Power Project Longyuan South Africa Renewables (Pty) Ltd. (Longyuan SA)”, në De Aar.

 

Gjatë një prononcimi për “Xinhua” ai tha se ky ishte projekti që i ndryshoi jetën. “Sinqerisht besoj se, pa këtë punë, nuk do të isha personi që jam sot apo ku jam sot”, tha ai.

 

foto: VCG

foto: VCG

Projekti i energjisë së erës ndodhet afër De Aar në provincën e Kepit Verior të Afrikës së Jugut, e cila ka një burim të bollshëm të erës. Projekti u përfundua dhe u vu në funksion në vitin 2017 nga “Longyuan SA”, një degë në pronësi të plotë të “China Energy Investment Group” (CHN Energy) dhe “China Longyuan Power Group Corporation Ltd.” (Longyuan Power), me një investim total prej rreth 2.5 miliardë juanë (343 milionë dollarë amerikanë) dhe një kapacitet total të instaluar prej 244.5 MW.

 

Përveç furnizimit të vazhdueshëm të komunitetit lokal me rreth 760 milionë KWH energji elektrike të qëndrueshme dhe të pastër çdo vit, kompania nuk ka kursyer asnjë përpjekje për të përmbushur përgjegjësinë e saj sociale si një ndërmarrje kineze jashtë shtetit, duke ofruar ndihmë për banorët vendas. Për shembull, ajo dhuron mbi 4.5 milionë rand çdo vit (rreth 236.100 dollarë) për një program bursash, i cili deri më sot ka financuar 112 studentë të kolegjit të Afrikës së Jugut për të përfunduar studimet e tyre.

 

foto: VCG

foto: VCG

Deswin është një prej tyre. “Kam pasur gjithnjë dëshirën të bëhesha inxhinier”, tha ai për “Xinhua”.

Ai kishte ecuri të mirë në shkollën e mesme, por prindërit e tij të papunë nuk mund ta përballonin shkollimin.

Pikërisht kur ai ishte gati të hiqte dorë nga studimet, “Longyuan Power”, e cila hyri në Afrikën e Jugut në atë kohë, e sponsorizoi për të vazhduar studimet me programin e bursave. Falë kësaj, ai u pranua në universitet në vitin 2019.

 

Pas diplomimit nga universiteti, Deswin iu bashkua zyrtarisht “Longyuan SA” në prill të vitit të kaluar dhe u bë anëtar i ekipit të tij të funksionimit dhe mirëmbajtjes. Deri më tani, projekti i energjisë së erës ka krijuar më shumë se 700 vende pune lokale dhe ka ndihmuar në përmirësimin e standardeve të jetesës së banorëve vendas.

 

Në De Aar, një autobus shumë i veçantë mund të shihet shpesh duke lëvizur rrugëve, duke tërhequr një numër të madh njerëzish kudo që shkon.

 

foto: VCG

foto: VCG

Kjo është klinika e lëvizshme, një autobus mjekësor profesionist i blerë nga “Longyuan SA” në vitin 2020. Autobusi është i pajisur me pajisje të plota mjekësore dhe personel mjekësor profesional, duke ofruar kujdes shëndetësor me cilësi të lartë, por pa pagesë për rreth 9000 banorë vendas çdo vit, duke përfshirë ekzaminimet e përgjithshme, shërbimet mjekësore dentare dhe të syrit.

 

Mjekja dentare Teboho Mpotle, e cila ka punuar në autobusin mjekësor për gati katër vjet, tha: “Do të habiteni që, kur të vijë fundi i muajit, pasi e parkojmë autobusin pranë qendrës tregtare në qytet, shumë njerëz nga zona të tjera dynden drejt autobusit”.

 

Gjimnazistja Sharone Oliphant tha se autobusi mjekësor ka sjellë përfitime të mëdha për komunitetin lokal. “Shkojmë në klinikën e lëvizshme, sepse është e përshtatshme dhe më e rëndësishmja, është falas”.- tha ajo.

 

foto: VCG

foto: VCG

Sharone shkon në një fushë të gjerë futbolli për stërvitje çdo ditë pas shkollës. Fusha u mbështet gjithashtu nga fondet e “Longyuan SA”. Firma kineze rinovoi stadiumin e rrënuar të De Aar në vitin 2021, me një investim total prej rreth 9 milionë rand (472.100 dollarë). Kompania ka sponsorizuar gjithashtu më shumë se 40 klube futbolli për meshkuj dhe 13 klube futbolli për femra, duke përfituar më shumë se 900 atletë në total.

 

Lesley Condile, një i moshuar që po shikonte Sharone dhe shokët e saj të skuadrës duke luajtur futboll në fushë, mendon se ky objekt sportiv jo vetëm që u ka sjellë lumturi fëmijëve vendas, por edhe i ka larguar ata nga veset e këqija, si droga dhe krimi. “Ne jemi shumë mirënjohës”,- tha ai.

 

Përveç programit të bursave, klinikës së lëvizshme dhe stadiumit sportiv, “Longyuan” SA ka financuar gjithashtu katër institucione parashkollore, dy shtëpi për të moshuarit, si dhe një projekt për ujërat nëntokësore. Disang Moladle, menaxher bashkiak i komunës Emthanjeni, që përfshin De Aar dhe dy qytete të tjera, foli shumë mirë për Projektin Longyuan De Aar.

 

Lidhur me samitin e BRICS që përfshin Brazilin, Rusinë, Indinë, Kinën dhe Afrikën e Jugut, ai tha: “Ne do të donim vërtet që Kina të ndante metodat dhe teknologjinë më të mirë me vendet e tjera të BRICS-it”.