Presidenti kinez takohet me homologun senegalez në Johanesburg
2023-08-24 12:00:09

Foto nga Xinhua

Presidenti kinez Xi Jinping u takua të mërkurën me presidentin senegalez Macky Sall në Johanesburg të Afrikës së Jugut, ku ata ndodhen për të ndjekur Samitin e 15-të të BRICS-it.

Gjatë takimit, Xi vuri në dukje se Senegali është një partner i rëndësishëm i Kinës në Afrikë. Vitet e fundit, me përpjekjet e përbashkëta nga të dyja palët, besimi i ndërsjellë politik midis Kinës dhe Senegalit ka vazhduar të thellohet dhe janë arritur rezultate të frytshme në fusha të ndryshme bashkëpunimi.

Pala kineze mbështet fuqishëm përpjekjet e Senegalit për të ruajtur qëndrueshmërinë e zhvillimin kombëtar dhe është e gatshme të forcojë mbështetjen e ndërsjellë me Senegalin dhe të thellojë bashkëpunimin në fusha të tilla si industria, bujqësia, ndërtimi i infrastrukturës dhe zhvillimi i burimeve njerëzore, tha Xi.

Ai theksoi se situata aktuale ndërkombëtare po kalon ndryshime të thella e komplekse dhe që Kina e Afrika duhet të forcojnë solidaritetin e bashkëpunimin më shumë se kurrë.

Nga ana e tij, Sall deklaroi se Senegali dhe Kina janë partnerë të bashkëpunimit të gjithanshëm strategjik me cilësi të lartë dhe se presidenti Xi Jinping është një mik i madh i Afrikës dhe Senegalit.

Ai shtoi se të dyja palët kanë zhvilluar bashkëpunim me dobi të përbashkët në fusha të ndryshme si infrastruktura, industria, bujqësia dhe arsimi, të udhëhequr nga një frymë miqësie të sinqertë.

Sall vuri në dukje se Senegali i përmbahet në mënyrë të vendosur parimit të "Një Kine", vlerëson ndjekjen prej Kinës të një politike diplomatike paqësore dhe shpreson të thellojë bashkëpunimin dypalësh e shumëpalësh me Kinën. (Çang Çuo)