Rriten pagesat me kartë në Shqipëri
2023-08-24 14:22:44

Foto nga VCG

Pagesat me kartë bankare janë rritur ndjeshëm në gjysmën e parë të këtij viti. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, në këtë periudhë u regjistruan gjithsej rreth 6.5 milionë pagesa me kartë në terminalet elektronike të shitjes (POS). 

Numri mesatar i pagesave mujore ka arritur në pothuajse 1.1 milionë, nga afërsisht 890 mijë pagesa të regjistruara në të njëjtën periudhë të një viti më parë, shkruan “RTSH”.

Vlera totale e pagesave me kartë për gjashtë muaj ka arritur në 26.3 miliardë lekë, me një mesatare mujore prej 4.7 miliardë lekësh, nga 4.2 miliardë lekë që kishte qenë mesatarja mujore e vitit 2022.

Duke pasur parasysh se periudhat e pikut turistik korrik-gusht shoqërohen me rritje të pagesave me kartë,pritet që mesatarja e pagesave për pjesën e dytë të vitit të rritet më shumë.

Ekspertët thonë se rritja e numrit të turistëve është një nga faktorët kryesorë që po ndikon në rritjen e shpejtë të pagesave me kartë bankare në ekonominë shqiptare. 

Të dhënat e INSTAT-it treguan se numri i shtetasve të huaj që vizituan Shqipërinë u rrit me 33% për 6-mujorin e parë të këtij viti.

Megjithatë, përveç ndikimit të ndjeshëm të turizmit, vlerësohet se edhe përdorimi i pagesave me kartë nga rezidentët është në rritje në vitet e fundit, sidomos pas periudhës së pandemisë. (Elona)