Putin: Vendet e BRICS-it vazhdojnë të forcojnë bashkëpunimin mes sfidave ekonomike globale
2023-08-24 10:15:12

Foto nga VCG

Vendet e BRICS-it po vazhdojnë të thellojnë bashkëpunimin mes sfidave të vazhdueshme ekonomike të jashtme, tha të martën presidenti rus Vladimir Putin, teksa iu drejtua forumit të biznesit BRICS 2023 përmes lidhjes video.

Putin vuri në dukje se futja e sanksioneve të paligjshme dhe ngrirja e paligjshme e aseteve sovrane kanë pasur një ndikim të përgjithshëm negativ në ekonominë globale, citon “Xinhua”. Ai theksoi se praktika të tilla kanë çuar në mungesë burimesh, rritje të pabarazisë, papunësi dhe rritje të çmimeve, të cilat kanë prekur vendet më të rrezikuara.

"Është e rëndësishme që vendet anëtare të BRICS të vazhdojnë të forcojnë bashkëpunimin në rrethana të tilla dhe puna jonë e përbashkët, e cila synon të sigurojë rritje ekonomike dhe zhvillim të qëndrueshëm, ka prodhuar rezultate konkrete, të prekshme",- tha presidenti Putin, siç citohet nga Kremlini në një deklaratë.

Bashkëpunimi brenda BRICS bazohet në parimet e barazisë dhe respektit të ndërsjellë, tha Putin, duke shtuar se ky është thelbi i kursit të ardhshëm strategjik të grupit, i cili plotëson interesat e shumicës globale.

Sipas Putin, investimet e ndërsjella midis vendeve të BRICS-it janë rritur gjashtëfish gjatë dekadës së fundit dhe qarkullimi tregtar i Rusisë me partnerët e saj BRICS aktualisht ka arritur një rekord prej mbi 230 miliardë dollarësh amerikanë.

Putin diskutoi gjithashtu rëndësinë e nxitjes së bashkëpunimit në një gamë të gjerë fushash, duke përfshirë transportin dhe logjistikën, biznesin dhe ndryshimet klimatike.

"Rusia është në favor të krijimit të një bashkëpunimi më të ngushtë brenda kornizës së BRICS për çështjet e furnizimit të besueshëm dhe të pandërprerë të energjisë dhe burimeve ushqimore në tregjet botërore",- vuri në dukje Putin.

Partneriteti i shumanshëm i BRICS jo vetëm që ka siguruar rritjen e qëndrueshme të vendeve anëtare, por gjithashtu ka kontribuar në përmirësimin e situatës ekonomike globale dhe zbatimin e suksesshëm të Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm të Kombeve të Bashkuara, sipas presidentit Putin. (Elona)