Xi: Kina do të vijojë të përkrahë me vendosmëri Kubën në mbrojtjen e sovranitetit kombëtar
2023-08-24 12:03:44

Foto nga Xinhua

Presidenti kinez Xi Jinping u shpreh të mërkurën se Kina do të vazhdojë të mbështesë me vendosmëri Kubën në mbrojtjen e sovranitetit kombëtar dhe në kundërshtimin e ndërhyrjeve dhe bllokadës së jashtme.

Kina gjithashtu do të bëjë sa mundet për të ofruar mbështetje për zhvillimin ekonomik dhe shoqëror të Kubës, tha Xi në një takim me presidentin kuban Miguel Diaz-Canel në Johanesburg, ku të dy udhëheqësit gjenden për të marrë pjesë në Samitin e 15-të të BRICS-it.

Xi përmendi se presidenti Diaz-Canel bëri një vizitë të suksesshme shtetërore në Kinë nëntorin e kaluar, gjatë së cilës ata arritën konsensus të gjerë për thellimin e mëtejshëm të marrëdhënieve kino-kubane në epokën e re dhe për të punuar së bashku për ndërtimin e një bashkësie Kinë-Kubë me një të ardhme të përbashkët.

Me përpjekjet e përbashkëta të të dyja palëve, konsensusi po zbatohet në mënyrë efektive, tha Xi, duke shtuar që Kina është e gatshme të punojë me Kubën për të vazhduar thellimin e besimit të ndërsjellë politik, zgjerimin e bashkëpunimit praktik, forcimin e koordinimit strategjik dhe nxitjen e përparimit në marrëdhëniet e veçanta miqësore midis dy partive dhe dy vendeve.

Nga ana e tij, Diaz-Canel kujtoi vizitën e tij të suksesshme shtetërore në Kinë nëntorin e kaluar, duke thënë se të dyja palët po zbatojnë me vendosmëri konsensusin e rëndësishëm të arritur nga të dy liderët.

Ai tha se marrëdhëniet aktuale Kubë-Kinë janë në një kulm historik, duke shtuar se populli kuban e admiron thellësisht presidentin Xi dhe është mirënjohës për mirëkuptimin e Kinës dhe mbështetjen e paçmuar për kauzën e drejtë të Kubës.

Kuba mbështet fuqishëm Nismën e Zhvillimit Global, Nismën e Sigurisë Globale dhe Nismën e Qytetërimit Global të propozuara nga Xi dhe është e gatshme të punojë me Kinën për të thelluar bashkëpunimin në kuadër të nismës "Një brez, një rrugë", për të ndërtuar  bashkësinë e fateve të përbashkëta Kuba-Kinë dhe për të arritur përparim në rrugët e socializmit me karakteristikat e secilit vend. (Çang Çuo)