Foto nga Xinhua
Presidenti kinez Xi Jinping u bëri thirrje të mërkurën Kinës dhe Bangladeshit të nxitin bashkëpunimin me cilësi të lartë në kuadër të nismës "Një brez, një rrugë" dhe të shfrytëzojnë plotësisht përplotësimin ekonomik të tyre.
Në takimin me kryeministren e Bangladeshit Sheikh Hasina në Afrikën e Jugut, ku ndodhen për të marrë pjesë në Samitin e BRICS-it, Xi i nxiti gjithashtu të dy palët që të shtojnë bashkëpunimin në fusha si ajo e infrastrukturës, teknologjisë së informacionit, energjisë së re dhe bujqësisë.
Kina dhe Bangladeshi kanë një miqësi tradicionale, tha ai, duke shtuar se në vitin 2016 të dy vendet i ngritën marrëdhëniet dypalëshe në nivelin e partneritetit të bashkëpunimit strategjik, çka tregon drejtimin për thellimin e bashkëpunimit të tyre.
Xi u shpreh gjithashtu që Kina mbështet Bangladeshin në mbrojtjen e sovranitetit kombëtar, pavarësisë e integritetit territorial dhe në kundërshtimin e ndërhyrjes së huaj, për të ruajtur unitetin e qëndrueshmërinë e brendshme dhe për të arritur zhvillimin e mëkëmbjen.
Ai bëri thirrje për shtimin e shkëmbimeve të personelit dhe për lidhje më të thella kulturore e ndërnjerëzore.
Xi i shprehu urime kryeministres për anëtarësimin e vendit të saj në Bankën e Re të Zhvillimit, duke thënë se Kina është e gatshme të forcojë bashkërendimin e bashkëpunimin me Bangladeshin në çështjet shumëpalëshe dhe të mbrojë barazinë e drejtësinë ndërkombëtare, si edhe interesat e përbashkët të vendeve në zhvillim.
Hasina nga ana e saj vuri në dukje se vizita shtetërore e presidentit Xi Jinping në Bangladesh është një moment i rëndësishëm i lidhjeve dypalëshe.
Ajo tha se Kina i ka dhënë një mbështetje të paçmuar Bangladeshit në luftën kundër COVID-19 dhe për zhvillimin ekonomik, duke ndihmuar në nxitjen e zhvillimit të Bangladeshit dhe në përmirësimin e jetesës së popullit të tij.
Kryeministrja theksoi se marrëdhëniet e shëndetshme Bangladesh-Kinë janë të bazuara në respektin e ndërsjellë e në mosndërhyrjen në punët e brendshme të njëri-tjetrit.
Hasina e uroi presidentin Xi për 10-vjetorin e nismës "Një brez, një rrugë", duke thënë se bashkëpunimi në kuadër të kësaj nisme ka krijuar një platformë të re për zhvillimin e Bangladeshit.
Sipas saj, Bangladeshi mbështet fuqimisht parimin e "Një Kine", vlerëson rolin e rëndësishëm të Kinës në nxitjen e paqes e qëndrueshmërisë rajonale dhe është i gatshëm të thellojë lidhjet e të forcojë bashkëpunimin me Kinën në mekanizmat shumëpalësh si BRICS-i.
Zhvillimi i mekanizmit të BRICS-it do të sjellë mundësi të reja zhvillimi për vendet në zhvillim, shtoi ajo.