Foto nga Xinhua
Kina po nxit modernizimin kinez me zhvillimin e saj me cilësi të lartë, gjë që do të sjellë mundësi të reja për bashkëpunimin ndërmjet Kinës dhe Etiopisë, u shpreh presidenti kinez Xi Jinping të mërkurën në takimin me kryeministrin etiopian Abiy Ahmed në Johanesburg të Afrikës së Jugut, ku ata ndodhen për të marrë pjesë në samitin e 15-të të BRICS-it.
Kina është një vend mik i besueshëm dhe një partner i vërtetë i Etiopisë, tha Xi, duke vënë në dukje se në vitet e fundit të dy vendet kanë pasur shkëmbime dhe komunikim të shpeshtë të nivelit të lartë dhe kanë arritur rezultate të pasura në kuadër të bashkëpunimit për nismën "Një brez, një rrugë" dhe Forumit mbi Bashkëpunimin Kinë-Afrikë.
Xi theksoi se të dy palët duhet të vazhdojnë të mbështesin fuqimisht njëra-tjetrën në çështjet lidhur me interesat thelbësorë dhe shqetësimet kryesore të tyre, të forcojnë sinergjinë midis nismës "Një brez, një rrugë" të propozuar nga Kina dhe Planit të Zhvillimit Perspektiv Dhjetëvjeçar të Etiopisë (2021-2030) dhe të përshpejtojnë zhvillimin e projekteve të përbashkëta, duke përfshirë hekurudhën Adis-Abeba - Xhibuti dhe zhvillimin e gjelbër.
Miqësia etiopiane-kineze është e thellë dhe marrëdhëniet midis të dy vendeve kanë ruajtur një impuls të mirë zhvillimi, tha Ahmed, duke shprehur vlerësimin e sinqertë për mbështetjen e madhe e të vyer që i ka dhënë Kina vendit të tij për një kohë të gjatë.
Falë ndihmës dhe bashkëpunimit me Kinën, Etiopia ka arritur zhvillim dhe transformime të rëndësishme në vitet e fundit, tha kryeministri Etiopian, duke vënë në dukje se të dy vendet ndajnë përvojë të ngjashme dhe kanë qëndrime të përbashkëta për shumë çështje madhore.
Ahmed theksoi se Etiopia e çmon lart miqësinë me Kinën, ndjek me vendosmëri politikën e "Një Kine", mbështet Nismën e Zhvillimit Global, Nismën e Sigurisë Globale dhe Nismën e Qytetërimit Global të propozuara nga Xi dhe merr pjesë aktivisht në bashkëpunimin në kuadër të nismës "Një brez, një rrugë".
Etiopia është e gatshme të mësojë nga përvoja e qeverisjes e Kinës për të arritur më mirë zhvillimin e vet kombëtar dhe të thellojë bashkëpunimin me Kinën në bujqësi, industrinë minerare dhe fusha të tjera, tha ai.
Etiopia shpreson të anëtarësohet në BRICS për të nxitur thellimin e bashkëpunimit në mekanizmat shumëpalësh dhe për të krijuar një të ardhme të përbashkët më të mirë për të dy vendet.