Përcaktimi i kursit për zhvillimin global me partneritet dhe bashkëpunim me cilësi të lartë të BRICS-it
2023-08-24 10:32:08

Të dhënat nga Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) tregojnë se vëllimi i përgjithshëm i tregtisë së mallrave të vendeve të BRICS-it ishte rreth 9.2 trilionë dollarë në vitin 2022, 7.8 për qind më shumë krahasuar me vitin pararendës. Ndër to, vëllimi i përgjithshëm i tregtisë së mallrave ndërmjet pesë vendeve anëtare të këtij mekanizmi ishte 1.14 trilionë dollarë, duke pasur një rritje prej 13.3 për qind.

Presidenti kinez Xi Jinping mban fjalim në Samitin e 15-të të BRICS-it, Johanesburg, Afrikë të Jugut, 23 gusht 2023(Foto:Xinhua)

Para sfidave aktuale të rimëkëmbjes ekonomike globale, vendet e BRICS-it kanë thelluar bashkëpunimin, kanë luajtur rolin e "stabilizatorëve" e "nxitësve" të zhvillimit dhe kanë shtuar fuqinë e BRICS-it në ruajtjen e qëndrueshmërisë së tregut global.

"Zhvillimi është një e drejtë e patjetërsueshme e të gjitha vendeve," tha presidenti kinez Xi Jinping në fjalimin e tij të mbajtur në Samitin e 15-të të BRICS-it, që u zhvillua të mërkurën në Johanesburg të Afrikës së Jugut, ku u kërkoi të gjitha vendeve përkatëse të jenë partnere të njëra-tjetrës në rrugën drejt zhvillimit dhe rigjallërimit.

Rimëkëmbja ekonomike botërore mbetet e brishtë, me më pak se tre për qind rritje këtë vit, siç vlerësohet nga disa institucione ndërkombëtare.

Megjithatë, vendet e BRICS-it kanë krijuar një bashkëpunim të ngushtë me tregjet e reja dhe vendet në zhvillim nëpërmjet aktiviteteve dhe bashkëpunimit "BRICS+", duke nxitur shtrirjen e ndikimit të bashkëpunimit në kuadër të këtij mekanizmi përtej këtyre pesë vendeve.

PBB-ja e vendeve anëtare të BRICS-it përbën 25 për qind të PBB-së së përgjithshme botërore, ndërsa vëllimi i përgjithshëm tregtar i tyre zë 18 për qind të vëllimit botëror, duke u bërë një forcë e rëndësishme që nuk mund të anashkalohet në ekonominë botërore.

Për Kinën, bashkëpunimi i saj ekonomik dhe tregtar me vendet e tjera të BRICS-it ka arritur rezultate të jashtëzakonshme.

Sipas Administratës së Përgjithshme të Doganave të Kinës, në shtatë muajt e parë të këtij viti, tregtia ndërkufitare e Kinës me vendet e tjera të BRICS-it arriti në 2.38 trilionë juanë (rreth 330 miliardë dollarë), një rritje prej 19.1 për qind në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, duke përbërë 10.1 për qind të totalit të import-eksportit të vendit.

Pjesmarrësit dalin në bashkë në fotografi(Foto:Xinhua)

(Foto:Xinhua)

Bashkëpunimi në fusha të tilla si pjesët e këmbimit të makinave, pajisjet elektro-shtëpiake, makineritë bujqësore, energjetika dhe produktet bujqësore ndërmjet Kinës dhe vendeve të tjera të BRICS-it gjithashtu ka pasur një rritje të dukshme në shtatë muajt e parë të këtij viti.

Duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit praktik, presidenti kinez Xi Jinping bëri thirrje për forcimin e shkëmbimeve ekonomike, tregtare e financiare në fusha si ekonomia digjitale, zhvillimi i gjelbër dhe zinxhiri i furnizimit.

Sipas tij, Kina do të krijojë një park të inkubacionit shkencor e inovativ Kinë-BRICS për epokën e re, për të mbështetur zbatimin e rezultateve të inovacionit.

Ndërkohë, Kina do të punojë gjithashtu me të gjitha palët për të krijuar së bashku Kornizën e BRICS-it mbi Bashkëpunimin Industrial për Zhvillim të Vazhdueshëm, si një platformë për koordinimin dhe bashkëpunimin industrial në kuadër të projekteve për zbatimin e Agjendës për Zhvillimin e Vazhdueshëm 2030 të OKB-së.

Nxitja dhe udhëheqja e reformës së sistemit të qeverisjes globale është një pjesë e rëndësishme e bashkëpunimit në kuadër të BRICS-it.

Siç tha kreu i shtetit i Kinës në samit, "forcimi i qeverisjes globale është zgjedhja e duhur nëse bashkësia ndërkombëtare synon të ndajë mundësitë e zhvillimit dhe të trajtojë sfidat globale".

Presidenti kinez u bëri thirrje vendeve anëtare të BRICS-it të praktikojnë multilateralizmin e vërtetë për të hartuar planin për përballimin e sfidave të përbashkëta globale, si kriza ushqimore dhe energjetike, ndryshimi klimatik, terrorizmi, konfliktet gjeopolitike, hegjemonia dhe proteksionizmi.

Si institucioni i parë financiar shumëpalësh i krijuar brenda bashkëpunimit të BRICS-it, Banka e Re e Zhvillimit ka miratuar 99 projekte, duke dhënë mbi 33 miliardë dollarë kredi deri më tani dhe duke ofruar një garanci të fortë për ndërtimin e infrastrukturës dhe për zhvillimin e vazhdueshëm në tregjet e reja dhe vendet në zhvillim.

Foto:VCG

Foto:VCG

Në fjalimin e tij të rastit, Xi Jinping-u bëri thirrje për të shfrytëzuar plotësisht rolin e kësaj banke për të çuar përpara reformën e sistemeve financiare e monetare ndërkombëtare dhe për të forcuar përfaqësimin dhe zërin e vendeve në zhvillim.

Vendet e BRICS-it ndajnë një vizion të përbashkët për zhvillimin e ardhshëm të njerëzimit, i cili tërheq një numër në rritje vendesh për t'iu bashkuar bllokut.

"Shoh me gëzim se entuziazmi i vendeve në zhvillim për bashkëpunimin e BRICS-it është në rritje dhe shumë prej tyre kanë aplikuar për t'u anëtarësuar në mekanizmin e bashkëpunimit të BRICS-it," tha Xi, duke kërkuar më shumë përpjekje për të sjellë më shumë vende në "familjen e BRICS-it", për të grumbulluar mençuri e forcë për ta bërë qeverisjen globale më të drejtë dhe më të barabartë.(Zhang Yan/Artan)