Kreshnik Aliçkaj, kompozitori me vlerësime në skenat ndërkombëtare
2023-08-23 15:06:04

Kreshnik Aliçkaj është një kompozitar shqiptar nga Kosova. Puna e tij, ndërthurja e muzikës tradicionale shqiptare me muzikën e Ballkanit, është vlerësuar si në skenat vendase ashtu edhe në ato ndërkombëtare. Ai u zgjodh për të shfaqur një nga veprat e tij në shenjtërimin e ‘Nënë Terezës’ në Vatikan në vitin 2016. Aktualisht ai punon si profesor në Fakultetin e Muzikës në Prishtinë dhe ka marrë pjesë në mjaft aktivitete muzikore ndërkombëtare me krijimet e tij muzikore, duke u vlerësuar dhe me çmime.. Në një intervistë për Radio Ejani Kreshnik Alicckaj tregon për rrugëtimin e tij muzikor, aktivitete ku ka marrë pjesë si dhe projektet muzikore në të ardhmen.

CMG: Si lindi pasioni juaj për muzikën?

Kreshnik Aliçkaj: Ne e kemi traditë familjare muzikën sepse e kam trashëguar nga babai dhe të afërm të tjerë dhe jam rritur me muzikën, duke e filluar me muzikën popullore. Kështu që e kemi traditë të vazhdueshme edhe pse faktikisht unë jam i vetmi që kam studiuar muzikë. Babai im ka studiuar gjuhë-letërsi shqipe, por muzika ka qenë prezente gjithmonë tek ne dhe jemi rritur me këngët tona burimore si ato folklorike apo popullore, që i kemi dëgjuar gjithmonë në Radio Tirana të atëhershme.

CMG: Cilat kanë qenë vështirësitë që keni hasur gjatë këtij rrugëtimi?

Kreshnik Aliçkaj: Sigurisht që gjatë rrugëtimit ka pasur gjëra të vështira, por njeriu kur e ka një qëllim për diçka besoj që e arrin. Mund të përmend profesorin tim, i cili më ka hapur pothuajse të gjitha rrugët, dhe nga ai unë kam mësuar shumë me partitura dhe me veprat më të mëdha botërore. Kështu që ka qenë një rrugëtim i gjatë por që ja kemi dalë disi.

CMG: Cili ka qenë momenti më kulminant në karrierën tuaj muzikore gjatë këtyre viteve?

Kreshnik Aliçkaj: Unë kam pasur shumë pjesëmarrje muzikore, por do të veçoja disa momente ku njëri është shumë i rëndësishëm në vitin 2016 në Vatikan, ku kemi mbajtur një koncert me rastin e shenjtërimit të Nënë Terezës. Ky ka qenë një koncert shumë i madh në bashkëpunim me Kosovën dhe Shqipërinë, ku kam qenë i ftuar nga dirigjenti jonë i mirënjohur Bujar Llapaj nga Shqipëria. Unë kam shkruar një vepër për Nënë Terezën, që ka qenë vepra për soprano, kor dhe orkestër të madhe simfonike dhe lahutë. Ky ishte një moment mjaft madhështor, por  do të veçoja dhe një aktivitet tjetër këtë vit para dy muajsh isha në Tajlandë në një koncert bashkëpunim mes Tajlandës dhe Kosovës, ku u ekzekutua vepra ime numër dy nga orkestra Royal e Bangkokut. Kjo ka qenë një ngjarje shumë e rëndësishme dhe orkestra shumë profesionale.

CMG: Si e keni promovuar ju muzikën klasike në Ballkan dhe aktivitetet ku keni marrë pjesë në vendet e Ballkanit.

Kreshnik Aliçkaj: Kemi pasur shumë aktivitete dhe në Ballkan sepse muzika klasike i bashkon njerëzit dhe është një e përbashkët në Ballkan dhe Europë, ku është shumë e rëndësishme sepse ne përfaqësojmë dhe vendin tonë.

CMG: Prej vitesh punoni si profesor në Fakultetin e Muzikës në Prishtinë. Si janë marrëdhëniet tuaja me studentët dhe ka interes nga të rinjtë për muzikën klasike?

Kreshnik Aliçkaj: Unë punoj në Prishtinë në Fakultetin e Muzikës dhe jap lëndën e harmonisë dhe analizën harmonike. Marrëdhëniet me studentët i kam shumë të mira dhe janë të interesuar për muzikën. Ne bashkëpunojmë dhe i mirëpres mendimet e tyre rreth muzikës, por tani është dhe koha e internetit dhe studenti duhet me qenë shumë i pregatitur sepse ka informacione nga e gjithë bota. Kemi shumë studentë dhe interesim ka mjaft, ku ka studentë në shumë drejtime si në ato instrumentale por edhe në drejtimin e përgjithshëm. Unë mendoj se është një interesim shumë i madh.

CMG: Cilët janë instrumentat që ju luani më së shumti?

Kreshnik Aliçkaj: Unë kam filluar në një moshë shumë të re dhe gjatë studimeve kam ndjekur pianon që ka qenë instrument i detyrueshëm, kurse në zhanrin e folklorit, muzikën popullore dhe atë argëtuese unë luaj në disa instrumenta. Kam filluar njëherë me çiftelinë dhe pastaj me sharkinë, mandolinën, kitaren, buzukun, llahutën, harmonika dhe piano. Qejf kam instrumentin e harmonikës që e luaj edhe sot, por dhe instrumentat e tjera më pëlqejnë dhe kam luajtur shumë në publik.

CMG: Një prej veprave tuaja është interpretuar në Londër nga kuarteti “Willington Hous Music”. Si jeni ndjerë me këtë arritje tuajën?

Kreshnik Aliçkaj: Kjo vepër është shkruar gjatë pandemisë dhe kontaktet e vetme që kishim në atë periudhë ishin përmes internetit, ku dhe të gjitha koncertet u mbanin online. Kështu që edhe ato ditë ne kemi punuar në profesionin tonë. Gjithashtu kishim dhe disa prezantime të tjera, ku edhe në SHBA kam pasur një duo, dhe në Angli ishte kjo vepra frymore nga ansambli “Willingotn House Music”. Kështu që këto aktivitete ishin në kohën e pandemisë dhe veprat janë mbajtur online. Gjithashtu kam pasur dhe një vepër për kitarë dhe violinë që është luajtur në festivalin e muzikës në Prishtinë, që është mbajtur në Francë sepse kitaristi dhe violinisti kanë qenë në Francë dhe u mbajt online.

CMG: Para pak kohësh morët pjesë në disa aktivitete muzikore në vende të ndryshme të Ballkanit. Flasim për këto aktivitetet e fundit?

Kreshnik Aliçkaj: Aktivitetet e fundit ishin në një festival ballkanik “Synergy”, ku janë bashkuar disa festivale të disa shteteve ballkanike, ku kanë qenë Kroacia, Mali i Zi, Shqipëria, Kosova, Serbia dhe Sllovenia. Ne aty kemi marrë pjesë përmes festivalit “Chopin Fest”, që është një festival i Kosovës dhe vepra ka qenë enkas e porositur për këtë ansambël ku ka qenë një kuartet për violinë, violë, çelo dhe piano. Vepra është interpretuar nga këto gjashtë shtete ballkanike. Kanë qenë të zgjedhur nga dy kompozitorë prej secilit shtet. Gjithashtu kompozitorët duhet të shkonin në disa vende të këtyre shteteve, ku unë pata zgjedhur Tiranën dhe isha atje një javë, ku qëllimi i qëndrimit aty ka qenë për të njohur vendin dhe muzikën e atij vendi, ku pastaj me shkru një vepër me ato motive. Unë e kisha shumë të njohur muzikën e Shqipërisë pasi ne jemi rritur me atë muzikë. Ato ditë unë u takova me disa njerëz, studnetë dhe njerëz të ndryshëm që kanë lidhje me muzikën, ku më vonë shkrova veprën. Ky ishte një festival shumë i mirë i cili i bashkon njerëzit dhe këto vende ballkanike me njëra tjetrën.

CMG: Cilat janë projektet tuaja muzikore në vazhdim?

Krshnik Aliçkaj: Për momentin nuk ka diçka konkrete në lidhje me interpretimin e veprave, pasi kisha mjaft interpretime nga ato që pëmenda më lart. Sigurisht që do të vazhdoj me projekte të tjera, ku për momentin po krijoj diçka për orkestër dhe më vonë nëse ka ndonjë koncert konkret, sepse sigurisht që shkruaj dhe me porosi. Sidoqoftë unë vazhdimisht shkruaj gjithmonë, sepse kompozitori e ka detyrë të shkruajë dhe duhet të vazhdoi rrugëtimin e tij drejt krijimtarisë sepse ky është profesioni jonë.

Intervistoi: Gazmend Agaj