Jo çdo artist guxon të pikturojë portretin e një fëmije. Imazhet e fëmijëve në kanavacë sa janë të bukur, aq edhe janë delikate, pasi spontaniteti fëminor, tiparet e karakterit, lëvizjet, gjestet janë mjaft të vështira për t'u përcjellë. Është e vështirë për një artist të bëjë një fëmijë të pozojë për disa orë.
Djali me liber- Bajram Mata- Foto GA
Por nga ana tjetër për ne, soditësit e tyre, është shumë e këndshme të shohim piktura të tilla. Sidoqoftë, artistët shqiptarë ia dolën që në veprat e tyre të sillnin edhe botën e fëmijëve, prandaj ne sot do të flasim për pikturat e tyre.
Vajza me kordele- Abdurrahim Buza - foto GA
1. “Vajza me fjongo”nga Abdurrahim Buza
Abdurrahim Buza la shumë trashëgimi. Midis pikturave të tij ka shumë imazhe të fëmijëve.“Portreti i vajzës me fjongo”mbi flokë është ndër më interesantët e portreteve që kanë në qendër një fëmijë. Kjo vepër i përket periudhës kur piktori sapo ishte kthyer nga Torino ku kishte shkuar për studime (1933) prandaj tek kjo vepër vihen re qartë ndikimet e impresionizmit dhe ekspresionizmit. Në këtë portret, si edhe në shumë portrete të tjera të kësaj periudhe shihet qartë se sa rëndësi i kushton Buza psikologjisë së fëmijëve. Ne veprat e Buzës ne gjejmë fëmijë të përjetimeve të ndryshme: që meditojnë trishtueshëm, sikundër kjo vajzë me fjongo, por edhe fëmijë të shqetësuar, siç janë fëmijët e kompozimit “Refugjatët, apo dy bebe të vogla që përkunden në dy djepa nga nëna e tyre e ku bien në sy simbolet kombëtare. Gjithçka në këto piktura përshkruhet me aq vërtetësi dhe bukuri sa është thjesht e pamundur t'i rezistosh.
Fatosat ne muze- Liljana Çefa, 1974, vaj ne kanavace - foto GA
2. “Fatosat në muze”nga Liljana Çefa
Piktorja shkodrane Liliana Çefa mund të konsiderohet pa hezitim si piktorja e fëmijëve. Ajo i ka kushtruar një periudhë të gjatë të jetës së saj pikturimit të fëmijëve në kompozime apo portrete të ndryshme. “Fatosat në muze” është një prej tyre. Liljana Çefa punoi rreth tre muaj për kompozimin (1974), ku si fillim realizoi një mori skicash dhe studimesh të detajuar për secilin nga fëmijet në tabllo duke u bazuar në karaktere të vërtetë. Ndër to edhe djali i saj dhe moshatarë të tij. Tabloja paraqet mësuesen me një grup fëmijësh të klasës së parë gjatë një vizite në pavionin e Luftës Nacional Çlirimtare në një Muze Historik. Hapësira e muzeut siç është paraqitur në pikturë është e imagjinuar por e rikrijuar duke ju referuar Muzeve të epokes në Shkodër dhe Muzeut Historik në Tiranë. Tabloja paraqet një moment interesant në përballjen me historinë dhe mënyrën se si ajo përcillet dhe në të njëjtën kohë i shërben krijimit të kujtesës kolektive.
Femijet kendojne- Muhamet Deliu, 1976 - foto GA
3. “Fëmijët këndojnë” nga Muhamed Deliu
“Fëmijët këndojnë” është një kompozim i autorit Muhamed Deliu të cilin nuk ke se si të mos e adhurosh. I krijuar në vitin 1976, ky kompozim fokuson një grup fëmijësh të veshur me veshje kombëtare të trevave të ndryshme, duke kënduar në një skenë festivali. Në këtë vepër kemi një kompozim që realizohet me shumë figura duke paraqitur botën festive të fëmijëve. Ndonëse lëvizjet e tyre janë të limituara, sepse ata janë pjesë e një kori polifonik që këndon, prap se prap piktori ka arritur që me gjuhën e ngjyrave si dhe duke u ndalur në tipare të karakterit, të tregojë një pjesë të aktivitetit argëtues të fëmijëve të atyre viteve. Kompozimi është punuar me vaj dhe ruhet në Galerinë Kombëtare të Arteve.
Enderrime feminore - Vilson Kilica, 1972, pastel leter- foto GA
4. “Ëndërrime fëminore” nga Vilson Kilica
Bëhet fjalë për një kompozim të piktorit Vilson Kilica që përmes një subjekti të thjeshtë në dukje, arrin të zbulojë shumë nga bota ëndërrimtare e fëmijëve. Fakti që një vajzë e vogël brenda dhomës së shtëpisë, sheh me kërshëri përtej xhamit të dritares plot dritë të bardhë, flet shumë për gjuhën me të cilën vepra komunikon me publikun. Vilson Kilica, si në çdo vepër të tij, edhe në këtë tabllo kapërcen kufinjtë e realizmit, duke pikturuar me forma të mëdha dhe ngjyra dekorative. Bluja dhe jeshilja, raporti mes tyre dhe loja që ato krijojnë me të bardhën që vjen nga jashtë dritares, dëshmojnë për një atmosferë shprese që sjell e ardhmja për fëmijët, por edhe dyshimin e së papriturës dhe njëkohësisht besimin se e ardhmja e fëmijëve do të jetë e bukur dhe e mirë.
Femijet, Spiro Kristo, 1966, vaj ne kanavace - foto GA
5. “Fëmijët” nga Spiro Kristo
Në pikturën e tij "Fëmijët" viti 1966, ofron një ilustrim të hollësishëm të marrëdhënies midis sistemit shoqëror dhe urban, të cilat rriten paralelisht me njëri-tjetrin. Artisti ilustron qytetin në ndërtim paralelisht me fëmijë të rritur të shëndetshëm dhe të rastit me një pemë të re të mbjellë. Ndërsa të rriturit në prapavijë vazhdojnë me punimet e ndërtimit, fëmijët luajnë me armë lodrash dhe kamionë lodrash, të gatshëm për të luftuar pa frikë dhe për të mbrojtur vendin e tyre, njësoj si partizanët dhe të gatshëm për të ndërtuar të ardhmen e tyre me krenari, ashtu si bëjnë prindërit e tyre.
Fëmijët përfaqësojnë pafajësinë, por edhe lirinë. Njëra prej vajzave, e veshur me fustanin rozë, tregon në gju një kopje të një reviste të ilustruar për fëmijë.
Zgjimi-Safo Marko, 1978, vaj ne kanavace - foto GA
6. “Zgjimi” nga Safo Marko
“Zgjimi”, ky kompozim realizuar nga piktorja Safo marko, i përket vitit 1978 dhe është realizuar me vaj në kanavacë. Në fokus janë një grup fëmijësh që ndodhen në një klasë të një shkolle fshati, gjë që kuptohet nga veshjet e tyre të fshatrave të jugut, me fustanellë e qeleshë të vogël mbi kokë, ndërsa vajzat me kokën e lidhur me shami. Në dërrasën e zezë shihen të shkruara dy vargje të Naim Frashërit “Ti Shqipëri më jep nder/më jep emrin shqipëtar”. Piktura dallohet për vizatimet e sakta dhe të detajuara si dhe koloritin e ngrohtë me ngjyra të qeta. Safo Marko ishte pjesë e artistëve të rëndësishëm grafistë të shekullit të XX-të.
Artistja ka realizuar gjatë krijimtarisë së saj mbi 1000 kopertina librash si dhe ka qenë një nga piktoret kryesore ilustratore të revistave për fëmijë “Fatosi”, “Pionieri”.
Mira- MYrteza Fushekati, 1983, vaj ne kanavace
7. “Mira” nga Myrteza Fushekati
“Mira” e Myrteza Fushekatit është një kompozim i vitit 1983 i realizuar me vaj në kanavacë. Në qendër është një vajzë e vogël që është e rrethuar nga të gjitha kukullat dhe personazhet për të cilët i kanë rrëfyer. Duket në fakt si botë paralele e mbushur me personazhe ku bëjnë pjesë edhe kafshët, një botë ku kufijtë e reales me irealen nuk dallohen, por që gjithese i mbetet e bukur dhe intriguese. Një tabllo ku subkoshienca e vajzës krijon një dinamikë prej së cilës është e vështirë të shkëputemi edhe ne si të rritur.
Lodrat e femijes- Guri Madhi, 1958- foto GA
8. “Lodrat e fëmijëve” nga Guri Madhi
Ky kompozim i piktorit Guri Madhi i përket vitit 1958. Artisti provokohet nga lodrat e fëmijës të hedhura përdhe dhe mes rrëmujës së tyre, që transmetohet edhe si rrëmujë e ngjyrave, ai në fakt transmeton një energji të brendshme që vjen nga vetë fëmijët. Vepra është realizuar me vaj mbi kanavacë dhe ruhet në Galerinë Kombëtare të Arteve.
Violinistja - Hasan Çapari, 1981 - foto GA
Lea vizaton - Myrteza Fushekati, 1983 - foto GA
9. Artistët e vegjël nga autorë të ndryshëm
Fëmijët me talentet e tyre janë bërë shpesh herë pjesë e krijimeve të ndrsyhme në vite. Si shembull po sjellim “Djali me libër” nga Bujar Mata, “Violinistja” nga Hasan Çapari dhe “Lea vizaton” nga Myrteza Fushekati. Veshjet e fëmijëve, skicimet e buta të fytyrave të tyre, kombinimi i shkëlqyer i nuancave të ngjyrave dhe mbi të gjitha gjetjet kompozicionale ku fëmijët fokusohen me hobet e tyre, të krijojnë një përshtypje të mirë e të motivojnë fort për të ardhmen.
Neritana Kraja