Foto nga VCG
Pekini planifikon të ndalojë recetat mjekësore në internet që gjenerohen nga inteligjenca artificiale, sipas një draft-rregulli për shërbimet mjekësore të bazuara në internet të publikuar nga autoritetet shëndetësore të kryeqytetit kinez.
Rregulli synon të rregullojë menaxhimin e ilaçeve në shërbimet mjekësore në internet, njoftoi Komisioni Shëndetësor i Pekinit, citon “China Daily”.
Masa të tjera për arritjen e këtij qëllimi përfshijnë ndalimin e dhënies së barnave përpara se të jepet receta, si dhe ndalimi i bërjes së statistikave të inventarit të recetave për qëllime tregtare.
Drafti me 41 nene përcakton rregulla për palë të ndryshme të përfshira në shërbimet mjekësore të bazuara në internet, duke përfshirë spitalet, mjekët, pacientët dhe mbikëqyrësit.
Për shembull, drafti kërkon që mjekët që ofrojnë diagnozë mjekësore në internet të kenë praktikuar mjekësinë klinike për të paktën tre vjet. Për t'u siguruar që ata mos të imitohen nga njerëz të tjerë ose nga inteligjenca artificiale, mjekëve u kërkohet të regjistrohen me emrat e tyre të vërtetë përpara se të komunikojnë me pacientët në internet.
Ndërkohë, mjekët duhet t'u tregojnë pacientëve se janë të detyruar të japin informacion real identifikimi dhe nuk duhet të imitojnë persona të tjerë për të marrë ndihmë mjekësore. Nëse mjekët i shohin pacientët të papërshtatshëm për të vazhduar diagnozën në internet, ata duhet të ndërpresin menjëherë shërbimet e internetit dhe t'i drejtojnë pacientët në spitale.
Të dhënat mjekësore të krijuara nga shërbimet online duhet të mbahen për të paktën 15 vjet, sipas rregullave, ku theksohet se procesi i diagnostikimit, përfshirë bisedat, regjistrimet audio dhe video, duhet të ruhet për të paktën 3 vjet. Në dokument shkruhet se zinxhiri i informacionit në lidhje me përshkrimin, marrjen e porosive në farmaci dhe dorëzimin duhet të jetë i gjurmueshëm.
Komisioni kërkon që objektet mjekësore në internet të publikojnë tarifat e tyre për referencë, duke shtuar se kufizimet në lidhje me tarifat për mjekët, si ndalimi i referimeve të pacientëve për qëllime fitimprurëse dhe kërkesa që pacientët të blejnë ilaçe, apo sende të ndryshme farmaceutike në vende të caktuara, zbatohen gjithashtu për shërbimin e bazuar në internet.
Komisioni pret komente dhe sugjerime nga publiku për projekt-rregullat deri më 16 shtator. (Elona)