Erdogan mund të takohet me Putinin për marrëveshjen e grurit të Detit të Zi
2023-08-23 16:13:08

Foto nga VCG

Presidenti turk, Recep Tayip Erdogan, tha se muajin e ardhshëm, nëse i jepet mundësia, mund të zhvillojë bisedime ballë për ballë me homologun e tij rus, Vladimir Putin, për të diskutuar marrëveshjen e grurit të Detit të Zi.

“Në shtator kemi takimin e G20-s në Indi dhe Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së në SHBA. Nëse gjejmë mundësinë në këtë mjedis të ngarkuar, do të takohemi dhe bisedojmë me Putinin ballë për ballë”, - u tha Erdogan gazetarëve, në aeroplanin presidencial, ndërsa kthehej nga vizita e tij në Hungari, shkruan “ATSH”.

Erdogan bëri një vizitë njëditore në kryeqytetin Budapest për festën e ditës kombëtare të Hungarisë.

Ai u takua veçmas me homologen e tij hungareze Katalin Novak dhe kryeministrin Viktor Orban për të diskutuar lidhjet dypalëshe, si dhe zhvillimet rajonale dhe globale.

Ministri i Jashtëm turk, Hakan Fidan, mund të vizitojë Rusinë së shpejti për të zhvilluar bisedime ballë për ballë, tha Erdogan, duke shtuar se kjo mund të japë rezultate më të mira.

Për bisedimet e mundshme të paqes Rusi-Ukrainë, Erdogan tha se shpreson të ketë rezultate nëse Putin dhe presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, bien dakord për ndërmjetësimin turk. Ankaraja ka bërë përpjekje intensive në rrugë diplomatike për rifillimin e marrëveshjes. (Elona)