Xi mban fjalim në ceremoninë e mbylljes së Forumit të Biznesit të BRICS-it
2023-08-23 10:37:18

Foto nga VCG

Foto nga VCG

Të martën, në ceremoninë e mbylljes së Forumit të Biznesit të BRICS-it, kryetari i shtetit i Kinës Xi Jinping mbajti një fjalim me temën “Thellimi i solidaritetit e bashkëpunimit për përballimin e rreziqeve dhe ndërtimin e përbashkët të një bote më të mirë.

Xi vuri në dukje në këtë fjalim që tani bota, koha dhe historia po ndryshojnë si kurrë më parë dhe njerëzimi po ndodhet në një udhëkryq kritik. Duhet të synojmë bashkëpunimin e integrimin apo ndarjen e kundërvënien; paqen e qëndrueshmërinë apo “Luftën e Ftohtë të re”, begatinë me hapje e gjithëpërfshirje apo hegjemoninë dhe depresionin, shtimin e besimit të ndërsjellë me shkëmbime apo arrogancën dhe paragjykimet që errësojnë ndërgjegjen? Drejtimi i historisë varet nga zgjedhjet tona, tha ai.

Kreu i shtetit kinez vuri në dukje më tej që bota e sotme është një bashkësi me fate të përbashkëta. Popujt e ndryshëm nuk po presin as një “Luftë të Ftohtë të re”, as krijimin e “grupeve të vogla”, por një botë paqësore, të sigurt, të lulëzuar, përfshirëse, të pastër e të bukur. Kjo është logjika e përparimit të historisë dhe prirja e zhvillimit të kohës. Palët duhet të kenë një këndvështrim të drejtë të botës, të historisë e të situatës së përgjithshme dhe ta shndërrojnë konceptin e bashkësisë me fate të përbashkëta të njerëzimit në veprime konkrete dhe vizionin ta bëjnë realitet.

Foto nga VCG

Foto nga VCG

Ne duhet të nxisim zhvillimin dhe lulëzimin e përbashkët, u shpreh në vijim udhëheqësi kinez. Ekonomitë e reja dhe vendet në zhvillim kanë kaluar shumë vështirësi për të fituar pavarësinë kombëtare dhe gjithçka që kanë bërë ka si qëllim t'u mundësojë popujve të tyre të jetojnë në lumturi. Çdo vend ka të drejtën e zhvillimit dhe të gjithë popujt kanë lirinë për të kërkuar një jetë të lumtur. Kina është e gatshme të punojë me vendet e tjera për të përshpejtuar bashkëpunimin në Nismën e Zhvillimit Global për të përballuar sfidat e përbashkëta dhe për të rritur mirëqenien e popujve të të gjitha vendeve. 

"Ne do të përpiqemi për sigurinë e përgjithshme. Vetëm duke iu përmbajtur konceptit të ri të sigurisë së përbashkët, përfshirëse, bashkëpunuese dhe të qëndrueshme, mund të ecim në një rrugë me siguri të përgjithshme," tha Xi. Sipas tij, Kina është e gatshme të punojë me të gjitha palët për të nxitur zbatimin e Nismës së Sigurisë Globale, t'i përmbahet dialogut e jo konfrontimit, partneritetit e jo aleancave, përfitimeve të përbashkëta dhe jo konceptit që “fituesi merr gjithçka” e të punojë së bashku me palët për të ndërtuar një komunitet me siguri të përbashkët.

Ai u shpreh gjithashtu se duhet të ngulet këmbë në shkëmbimet dhe mësimin e ndërsjellë mes qytetërimeve. Qytetërimi njerëzor ka ngjyra të larmishme. Nxitja enkas e kundërvënies mes “demokracisë dhe autoritarizmit”, “lirisë dhe autokracisë”, do të shkaktojë vetëm ndarje e konflikte në botë. Kina mirëpret vendet e ndryshme për të marrë pjesë aktivisht në bashkëpunimin për Nismën e Qytetërimit Global, të përhapin vlerat e përbashkëta të njerëzimit, të nxisin zhvillimin e lulëzimin e qytetërimeve të ndryshme dhe të trashëgojnë thelbin e qytetërimit njerëzor. 

Xi theksoi që ngritja e ekonomive të reja dhe vendeve në zhvillim, që përfaqësohen nga vendet e BRICS-it, po ndryshon në mënyrë thelbësore hartën e botës. Edhe pse ka shumë pengesa, forca pozitive dhe e qëndrueshme në shërbim të së mirës e BRICS-it do të vazhdojë të rritet. Vendet anëtare do të vazhdojnë të thellojnë partneritetin strategjik të BRICS-it, të zgjerojnë modelin "BRICS+", të nxisin aktivisht procesin e zgjerimit të anëtarësisë, të thellojnë solidaritetin dhe bashkëpunimin me ekonomitë e reja dhe vendet në zhvillim dhe të nxisin shumëpolarizimin e demokratizimin e marrëdhënieve ndërkombëtare dhe zhvillimin më të drejtë dhe më të arsyeshëm të rendit ndërkombëtar. "Më shumë se 20 vende po trokasin në derën e BRICS-it dhe në mënyrë të sinqertë Kina i mirëpret të gjithë t'i bashkohen mekanizmit të bashkëpunimit të BRICS-it," shtoi ai.

Foto nga VCG

Foto nga VCG

Kina ndjek me vendosmëri një politikë të jashtme paqësore e të pavarur dhe përpiqet për krijimin e një bashkësie me fate të përbashkëta të njerëzimit, tha presidenti i Kinës. Si një vend në zhvillim dhe anëtar i Jugut Global, Kina gjithmonë ka ndarë të njëjtin fat me vendet e tjera në zhvillim, ka ruajtur fuqishëm interesat e përbashkët të vendeve në zhvillim dhe ka nxitur forcimin e së drejtës së fjalës dhe ngritjen e nivelit të përfaqësimit të vendeve në zhvillim për çështjet globale. Hegjemonizmi nuk është në ADN-në e Kinës, dhe gjithashtu Kina nuk ka motiv për përfshirje në konkurrencë ndërmjet fuqive të mëdha. Kina qëndron në mënyrë të vendosur në anën e drejtë të historisë dhe ndjek me vendosmëri parimin "Rruga publike është rruga e drejtë, bota është e të gjithëve".

Xi vuri në dukje më tej që tani populli kinez po nxit rilindjen e madhe kombëtare me procesin e modernizimit të stilit kinez që drejtohet nga Partia Komuniste e Kinës. Kina ka epërsitë e ekonomisë socialiste të tregut,  të tregut të vet gjigant, të sistemit të plotë industrial për sa i përket ofertës dhe të forcës punëtore e sipërmarrësve të talentuar për sa u përket burimeve njerëzore. Ekonomia kineze ka elasticitet të fortë, potencial të fuqishëm e gjallëri të madhe dhe ka një bazë të fortë për zhvillimin afatgjatë. Kina do të vijojë të jetë një mundësi e madhe për zhvillimin e botës, do të nxitë hapjen me nivel të lartë, do të krijojë një mjedis biznesi të nivelit të lartë të orientuar nga tregu, me sundim të ligjit e të ndërkombëtarizuar dhe do të ndërtojë një rrjet të standardit të lartë botëror të zonave të tregtisë së lirë. Me modernizimin e 1.4 miliardë banorëve të vet, Kina me siguri do të japë kontribut më të madh për ekonominë botërore dhe do të ofrojë më shumë hapësirë për qarqet e biznesit global, vuri në dukje në fjalën e tij në ceremoninë e mbylljes së Forumit të Biznesit të BRICS-it kryetari i shtetit i Kinës Xi Jinping. (Jiang Lei)