Foto nga VCG
Presidenti brazilian, Luiz Inácio Lula da Silva, tha se do të dëshironte të diskutonte konfliktin në Ukrainë me homologun e tij rus, Vladimir Putin, në samitin e BRICS, që po mbahet në Afrikën e Jugut.
Vladimir Putin do të marrë pjesë vetëm nga distanca, pasi mbi të ka një urdhër arresti nga Gjykata Ndërkombëtare Penale. Në vend të tij do të jetë ministri i Jashtëm, Sergei Lavrov, shkruan “ATSH”.
“Ministri i Jashtëm (Sergei) Lavrov është një diplomat shumë i rëndësishëm, por do të ishte thelbësore që Rusia të merrte pjesë në këtë takim (BRICS) me presidentin e saj (Putin)”, - tha Lula për gazetën afrikano-jugore “The Sunday Times”.
“Ne do të diskutojmë çështje globale, si paqja dhe lufta kundër pabarazisë, dhe unë do të doja t’i diskutoja ato personalisht me presidentin Putin”, - shtoi lideri brazilian, promotor i një tryeze bisedimesh për t’i dhënë fund konfliktit në Ukrainë. (Elona)