Foto nga VCG
Një grua izraelite u vra dhe një burrë u plagos në një sulm të raportuar më 21 gusht në qytetin e pushtuar Hebron në Bregun Perëndimor. Incidenti ndodhi dy ditë pasi dy vetë, babë e bir, u vranë në qytetin Huwara, gjithashtu në Bregun Perëndimor, në një kohë kur janë shtuar incidentet e dhunshme në këto zona, shkruan “Panorama”.
Shërbimi i urgjencës në një deklaratë konfirmoi vdekjen e gruas pasi u godit me armë zjarri, ndërsa shtoi se burri që udhëtonte me të ishte në një “gjendje të rëndë”.
Ushtria, duke konfirmuar vdekjen e gruas 40-vjeçare, tha se dy civilët u sulmuan me të shtëna që vinin nga një automjet.
Në Bregun Perëndimor janë regjistruar disa incidente të dhunshme që nga fillimi i vitit të kaluar. Të paktën 218 palestinezë janë vrarë si pasojë e dhunës së lidhur me konfliktin izraelito-palestinez deri tani këtë vit. Rreth 31 izraelitë, një ukrainas dhe një italian janë vrarë gjithashtu, sipas një raporti të AFP-së të përpiluar nga burime zyrtare nga të dyja palët. (Elona)