foto nga CFP
Ambasadori kinez në Shtetet e Bashkuara Xie Feng pati të martën një diskutim konstruktiv mbi lidhjet ekonomike e tregtare Kinë-ShBA gjatë takimit me sekretaren amerikane të Tregtisë Gina Raimondo disa ditë përpara vizitës së saj në Kinë.
Të dy palët pranuan që takimi ishte "i thellë, pragmatik e konstruktiv" dhe shprehën shpresën për mbajtjen e komunikimit, sipas një deklarate nga ambasada kineze.
Politika e Kinës lidhur me ShBA-në ka qenë gjithmonë e qëndrueshme, duke ndjekur parimet e respektit të ndërsjellë, bashkëjetesës paqësore dhe bashkëpunimit me përfitime të përbashkëta të propozuara nga udhëheqja kineze, tha Xie.
Duke vënë në dukje paqëndrueshmërinë dhe turbullirat në botë, rimëkëmbjen e dobët të ekonomisë globale dhe krizat e shumta që po shfaqen njëra pas tjetrës, ambasadori kinez i kërkoi Uashingtonit të punojë së bashku me Pekinin.
Ai shprehu shpresën se ShBA-ja do të ecë në të njëjtin drejtim me Kinën, do të shtojë pikat e bashkëpunimit dhe do të bëjë përpjekje të përbashkëta për të stabilizuar marrëdhëniet dypalëshe.
Raimondo do ta vizitojë Kinën nga 27 në 30 gusht me ftesën e ministrit kinez të Tregtisë Wang Wentao, njoftoi të martën Ministria e Tregtisë. (Artan)