Samiti i BRICS që po zhvillohet në Afrikën e Jugut është i një rëndësie të veçantë për sa i përket ndërveprimit mes vendeve anëtare. Sipas ekspertëve, rritja e bashkëpunimit në sektorë të ndryshëm mund të luajë një rol të rëndësishëm në ngritjen e niveleve të rritjes ekonomike dhe punësimit në vendet anëtare të BRICS-it.
Kina kontribuon me forcë në partneritetin e BRICS-it për bashkëpunim me përfitim të ndërsjellë
Ekspertët mendojnë se Kina po luan një rol të rëndësishëm në nxitjen e bashkëpunimit me përfitim të ndërsjellë mes vendeve të BRICS-it, duke vënë në dukje se zhvillime të mëtejshme priten gjatë samitit të 15-të të BRICS, në Johanesburg të Afrikës së Jugut, që zgjat deri më 24 gusht. Sipas ekspertëve, të udhëhequr nga fryma e hapjes, gjithëpërfshirjes dhe bashkëpunimit të favorshëm, vendet anëtare të BRICS-it kanë zgjeruar bashkëpunimin për të promovuar rimëkëmbjen ekonomike pas pandemisë Covid-19.
Tregtia e jashtme e Kinës me vendet e tjera të BRICS - Brazili, Rusia, India dhe Afrika e Jugut - u rrit me 19.1 për qind në bazë vjetore në 2.38 trilionë juanë (rreth 330.62 miliardë dollarë amerikanë) në shtatë muajt e parë të vitit, bëhet e ditur nga të dhënat e Administratës së Përgjithshme të Doganave. Kjo përbënte 10.1 për qind të vlerës totale të tregtisë së jashtme të Kinës gjatë kësaj periudhe, duke shënuar një rritje prej 1.6 pikë përqindje. Konkretisht, eksportet e Kinës në këto vende arritën në 1.23 trilionë juanë, 23.9 për qind më shumë në bazë vjetore, ndërsa importet e saj arritën në 1.15 trilionë juanë, me një rritje prej 14.3 për qind në bazë vjetore.
Xinhua
Dr. Kenneth Creamer, ekonomist në Universitetin e Witwatersrand në Johanesburg, deklaroi se objektivi kryesor i BRICS-it është të inkurajojë rritjen e niveleve të tregtisë dhe bashkëpunimit midis vendeve anëtare dhe BRICS-i ka qenë i suksesshëm në avancimin e këtij objektivi që nga takimi i tij i parë.
“Rritja e bashkëpunimit në sektorë të tillë si energjia dhe bujqësia mund të luajë një rol të rëndësishëm në ngritjen e niveleve të rritjes ekonomike dhe punësimit në vendet anëtare të BRICS-it. Rritja e tregtisë dhe bashkëpunimit midis vendeve të BRICS-it mund të ndihmojë gjithashtu në promovimin e rimëkëmbjes ekonomike pas ndikimit negativ të pandemisë”,- tha Creamer, i cili është gjithashtu anëtar i Këshillit Këshillimor Ekonomik Presidencial.
Lidhur me bashkëpunimin Kinë-Afrikë e Jugut, Creamer tha se Kina dhe Afrika e Jugut duhet të forcojnë marrëdhëniet ekzistuese për të kërkuar të integrojnë më mirë zinxhirët e prodhimit dhe furnizimit për të ndihmuar zhvillimin dhe mundësitë në të dy vendet. Në gjysmën e parë të vitit, tregtia dypalëshe midis Kinës dhe Afrikës së Jugut arriti në 28.25 miliardë dollarë amerikanë, me një rritje prej 11.7 për qind në bazë vjetore, sipas të dhënave zyrtare. Kina ka ruajtur pozicionin e saj si partneri më i madh tregtar i Afrikës së Jugut për 14 vjet rresht, ndërsa Afrika e Jugut ka qenë partneri më i madh tregtar i Kinës në Afrikë për 13 vjet rresht.
Xinhua
“Ndërmarrjet kineze duhet të inkurajohen ta shikojnë Afrikën e Jugut si një vend bazë nga i cili do të prodhojnë dhe ofrojnë produkte dhe shërbime për shitje në vende të tjera në Afrikën Sub-Sahariane”,- tha Creamer.
Ministria kineze e Tregtisë bën të ditur se Kina ka mbetur partneri më i madh tregtar i Afrikës për 14 vjet rresht. Sipas të dhënave, të dyja palët së bashku kanë ndërtuar dhe vënë në funksion mbi 10.000 km hekurudhë, gati 100.000 km autostradë dhe një sërë projektesh të rëndësishme infrastrukturore, duke përfshirë aeroporte, doke, ura dhe termocentrale.
Tshifhiwa Tshivhengwa, drejtori ekzekutiv i Këshillit të Biznesit të Turizmit të Afrikës së Jugut, deklaroi për “Xinhua” se samiti i BRICS-it shihet si një mundësi për të rritur turizmin. “Është një ngjarje e madhe. Ne presim që ky samit të nxisë turizmin tonë”, - tha ai.
Sipas tij, fokusi duhet të bjerë më shumë në vende si Kina për të sjellë më shumë turistë në vend, për pasojë do të shtohet dhe shtrirja e zonave turistike.
Wandile Sihlobo, kryeekonomist dhe studiues në Dhomën e Biznesit Bujqësor të Afrikës së Jugut, theksoi se Kina ka një nga tregjet më të mëdha në botë për sa i përket produkteve bujqësore.
Xinhua
“Afrika e Jugut është një nga vendet që po përpiqet gjithashtu të thellojë eksportet e saj në Kinë, gjë që është pjesë përbërëse e diskutimeve që po ndodhin brenda grupeve të ndryshme të punës të biznesit BRICS”, tha Sihlobo.
Me temën “BRICS dhe Afrika: Partneriteti për Rritje të Përshpejtuar Reciprokisht, Zhvillim të Qëndrueshëm dhe Multilateralizëm Gjithëpërfshirës”, ky samit do të çojë përpara vrullin e shëndoshë të bashkëpunimit nga samiti i mëparshëm dhe do të përshkruajë një të ardhme më të ndritshme për BRICS-in.
“Samiti është i një rëndësie të madhe për avancimin e bashkëpunimit praktik midis tregjeve në zhvillim dhe vendeve në zhvillim në fusha të ndryshme, promovimin e reformës së qeverisjes globale dhe rritjen e përfaqësimit dhe zërit të vendeve në zhvillim”,-tha Li Wentao, studiues në Institutin e Kinës për Marrëdhëniet Ndërkombëtare Bashkëkohore.
Sipas tij, në sfondin e ndryshimeve të mëdha globale, solidariteti dhe bashkëpunimi midis vendeve të BRICS-it do të sjellë më shumë siguri në një botë të pasigurt.
Xinhua